Takimi me Presidentin Shultz shkoi jashtëzakonisht mirë. Unë e falenderova Presidentin Shultz për mbështetjen e madhe që i ka dhënë proceseve demokratike në Shqipëri, e në veçanti procesit të dekriminalizimit. Ishte falë mbështetjes së tij personale që në 24 Dhjetor të vitit të kaluar, u arrit Marëveshja për Dekriminalizimin. Për fat të keq, siç jemi të gjithë dëshmitarë, kjo marëveshje nuk ka funksionuar deri më sot, për shkak të mungesës së vullnetit politik nga ana e dyshes Rama-Meta. Ndava këtë shqetësim madhor me Presidentin Shultz si dhe faktin se në vend të dekriminalizimit të jetës parlamentare, u shkua përpara me kokëfortësi drejt kriminalizimit të pushtetit vendor përmes kandidimit të personave me rekorde kriminale për kryetar bashkish nga dyshja Rama Meta, si dhe ndava shqetësimet e mëdha për zhbërjen e standardeve zgjedhore gjatë zgjedhjeve të 21 Qershorit.
Diskutuam për tri problemet kryesore, për tri sfidat e mëdha ekzistenciale me të cilat ballafaqohet demokracia sot dhe e ardhmja europiane e Shqipërisë, që janë krimi, korrupsioni dhe zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Me Presidentin Shultz, ndamë pikëpamjen se, me një angazhim konstruktiv te palëve, do të ishte rruga e duhur për tëzgjidhur këto probleme ekzistenciale dhe unë e sigurova se Partia demokratike dhe opozita dhe unë personalisht jemi të angazhuar dhe të vendosur për të ecur përpara me përparësitë, duke nisur së pari me dekriminalizimin duke bërë të qartë se, nuk mund të ketë integrim europian të vendit me kriminelë në parlament e kryetarë bashkish. Nuk mund të ketë, nuk mund të pretendohet dhe është e pasinqertë, çdo ligjërim, çdo retorikë, çdo përbetim për të ardhmen europiane të Shqipërisë, kur e sotmja kutërbon nga akte të papërgjegjshme politike siç është kandidimi i personave me rekorde kriminale për kryetarë bashkish apo mbajtja në Parlament e personave me rekorde kriminale.
Së dyti, problemi themelor është ai i votës, i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Kërkova ndihmën e Presidentit të Parlamentit Europian, që në bazë të raporteve fillestare dhe përfundimtare të OSBE-ODHIR dhe Këshillit të Evropës të rikthejmë në vëmendje të institucioneve evropiane domosdoshmërinë për të vepruar si në rrafshin legjislativ dhe institucional, edhe në rrafshin politik për të rikthyer standardet zgjedhore që u shkatërruan nga kjo dyshe, nga kjo mazhorancë në 21 Qershor.
Dhe së treti për luftën ndaj korrupsionit i cili është i lidhur me krimin dhe me zgjedhjet e kapura, 150 milion dollarë që i mungojnë doganave dhe tatimeve të shtetit, një pjesë e të cilave padyshim janë përdorur për të blerë masivisht votat në procesin e 21 Qershorit, por nga ana tjetër 150 milionë dollarë që i mungojnë pensioneve, rrogave, shkollave, shëndetësisë, ndihmës ekonomike, sepse kanë përfunduar në xhepat e oligarikisë dhe klientelës qeveritare, janë një këmbanë konkrete alarmi për shkallën e lartë të korrupsionit, në të cilën po e zhyt Shqipërinë papërgjegjshmëria dhe korrupsioni i qeverisë Rama- Meta.
Këto janë probleme të mëdha, probleme, për të cilët Partia Demokratike është e vendosur të luftojë deri në fund me të gjithë forcën e saj dhe të mbështetësve të saj, por janë po kështu probleme të mëdha dhe për Bashkimin Europian. Ndaj kam kërkuar ndihmën e Presidentit Shultz, që përveç president i një institucioni shumë të rëndësishëm siç është Parlamenti Europian, është një figurë e nderuar e të majtës europiane, në mënyrë që për hir të Shqipërisë, për hir të shqiptarëve, për hir të vlerave dhe të parimeve për të cilët qëndron Bashkimi Evropian, të përpiqemi së bashku dhe kam bindjen e plotë se do të përpiqemi së bashku, për ti dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve atë që meritojnë.
Pyetje: Z.Basha, kancelarja Merkel vizitoi Tiranën dhe po ashtu ndihmëssekretarja e Shtetit dhe kryetari i Parlamentit Europian. Pse kjo qasje ndaj rajonit dhe në veçanti ndaj Shqipërisë?
Basha: Kjo është një shenjë e qartë e qendrave të rëndësishme vendimmarrëse euroatlantike e shqetësimit për zhvillimet në rajon. Kjo është shprehur prej më shumë se dy vitesh nga të gjithë zërat e rendësishëm të vendimarrrjes euroatlamentike që nga Sekretari i Shtetit Kerri, Presidenti Shultz, vetë kryetari i Komisionit Juncker e shumë të tjerë, shqetësimi se në vend të kompletimit të procesit demokratik dhe të shtetit ligjor, vendet e Ballkanit Perëndimor në tërësi dhe Shqipëria në veçanti janë të ekspozuara nga rreziku i prapsimit demokratik, i zhbërjes së standardeve demokratike, i kapjes së shtetit dhe zëvendësimit të sundimit të ligjit me sundimin e krimit dhe korrupsionit.
Eshtë një mundësi e jashtëzakonshme për të gjithë, jo vetëm për opozitën, të bashkojmë forcat me të gjithë ata pavarësisht angazhimit politik apo mosangazhimit politik për të mos lejuar zhbërjen e standardeve demokratike, për të shpëtuar demokracinë që fillon me shpëtimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe për t’iu përveshur për një lufte të pakompromis kundër krimit dhe korrupsionit dhe kundër fenomenit të shëmtuar të veshjes së krimit me pushtet dhe të investimit të pushtetit në krim.
Pyetje: Z.Basha, pse PD po e vonon analizën e zgjedhjeve të 21 Qershorit?
Basha: E keni gabim. Nuk po e vonon aspak. Procesi sapo ka nisur dhe do të vazhdojë me efiçencë të madhe dhe pa asnjë vonesë.
Pyetje: Z.Basha do të ketë largim të kryetarëve të degëve pasi në statut nuk ka diçka të tillë?
Basha: Spekulimet për koka turku mesa duket bëhen për tirazh sepse Partia Demokratike nuk ka qënë dhe nuk është parti që bën koka turku. Por është një parti që merr përgjegjësi, merr vendime, konfirmon besimin aty ku besimi është dhënë, rivendos besimin aty ku besimi duhet rivendosur.
Pyetje: Z.Basha, ka pasur dhe një deklaratë nga kryetari i republikanëve z.Mediu për një afrim të PD-së me LSI-në. Çfarë të vërtete ka në këtë mes?
Basha: Nuk e kam lexuar deklaratën për të cilën bëhet fjalë por me siguri ju do ta keni keqkuptuar. Partia Demokratike nuk bën zgjedhje mes dy të këqijave, të keqen më të vogël për shqiptarët, por ka zgjedhur të jetë në krah të shqiptarëve për të luftuar çdo të keqe. Partia Demokratike dhe demokratët nuk kanë interes kryesor ti hipin kalit apo gomarit të pushtetit por kanë interes kryesor të heqin zgjedhën e atyre që kanë shaluar shqiptarët duke kapur zgjedhjet, duke kapur institucionet, duke punësuar krimin, duke ngritur korrupsionin në nivele të panjohura. Pra ne kemi një betejë misionare, një betejë për interesat e shqiptarëve dhe aleancën tonë e kemi me shqiptarët dhe vetëm me shqiptarët.
Pyetje: Në këto kushte besoni se do të kryhet reforma në drejtësi?
Basha: Për reformën në drejtësi, siç e keni parë, me ndërhyrjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian, dhe dua të falenderoj në veçanti përfaqësuesit e tyre në Tiranë, dje është qartësuar ajo që na ishte thënë javën e kaluar; paritetin në komisionin “Ad hoc” të reformës. Partia Demokratike ka qënë dhe është e gatshme të marrë përsipër të gjithë përgjegjësitë që i takojnë. Ne kemi vizionin dhe platformën për një drejtësi të pastruar nga korrupsioni, të përgjegjshme dhe transparente para publikut, të shpejtë dhe jo të vonuar, të pakapur nga politika. Këtë vizion dhe platformë, eskpertizën tonë që siç e dini është jo vetëm e bollshme por edhe e njohur nga parnerët ndërkombëtarë si superiore, do ta vëmë në funksion të një procesi gjithpërfshirës, konsensual, transparent dhe me ndihmën e institucioneve ndërkombëtare. Ne kemi vullnetin e mirë dhe mbetet të shikohet nëse edhe shumica do ta ketë këtë vullnet.
Prononcim për mediat i kryetarit të PD, Lulzim Basha, pas takimit me Presidentin e Parlamentit Europian, Martin Shultz, 14 Qershor 2015