Edi Rama lejoi për dy muaj një ndërtim skandaloz e të paligjshëm brenda mureve të Kalasë së Tiranës, vetëm sepse po e bënte miku i tij Alban Xhillari. Prej dy muajsh shkelet ligji në mes të Tiranës në zonën më të mbrojtur.

Çdo qytetar e banor i këtij vendi do kishte përfunduar në burg nëse do rregullonte çatinë e shtëpisë apo murin rrethues.

Miku i Edi Ramës bën mure, llaç e tulla brenda kalasë që është monument kulture i kategorisë A, dhe asgjë nuk ndodh.

Ligji, inuku dhe policia pushojnë së ekzistuari për njeriun e afërt të kryeministrit.

Edhe më shumë thellohet skandali kur mësohet se me 14 maj,  Drejtoria Rajonale e Kulturës ka njoftuar zyrtarisht drejtorinë e policisë së qarkut Tiranë, Inspektoriatin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit dhe Ministrinë e Kulturës se në Zonën Arkeologjikë të Kalasë së Tiranës po zhvilloheshin punime me karakter ndërtimor të paautorizuara, nga subjekti ‘Folie’ sh.p.k. Asnjë masë e marrë në këtë rast.

Po të mos ishte denoncimi publik dhe ngritja e zërit të opozitës për këtë shkelje flagrante miku i Edi Ramës do të vazhdonte ndërtimin pa i hyrë ferrë në këmbë. Por pyetja që kanë sot qytetarët është;

Pse për më shumë se 2 muaj banda IKMT heshti për ndërtimin e mikut të Edi Ramës ?!

Pse nuk është arrestuar në flagrancë ndërtuesi për veprën penale “ndërtim i paligjshëm”?

Pse policia nuk e ka proceduar penalisht ndertuesin siç ka vepruar me dhjetëra e qindra raste të tjera kur qttetarët kanë qënë vetëm duke kryer rregullime në shtëpitë e tyre ?

Perse Edi Rama censuron disa media që të mos e pasqyronin lajmin një ditë më parë ose të manipulonin faktet duke mashtruar qytetarët?

Kjo është e vërteta dhe vizioni i Edi Ramës. Miqtë e tij të ndërtojnë kudo e ku të munden, pa leje e në zona të mbrojtura, brenda parqeve dhe kalave e buzë detit. Ata e kanë lejen se janë miqtë e tij. Ndërsa qytetarët i pret burgu edhe për një pllakë të vënë në banesat e tyre.

Këtë standard të dyfishtë, këtë korrupsion e klientelizëm ka ndërmend të instalojë tashmë në Tiranë e kudo me ushtarët e tij bindur të pushtetit lokal.


Deklaratë për shtyp e Koordinatores kombëtare të PD, Reila Bozdo, 25 korrik 2015