Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha thirri sot një tryezë ku u diskutua mbi projektligjin e qeverisë për Arsimin e Lartë. Në këtë takim, morën pjesë pedagogë e drejtues të universiteteve dhe përfaqësues të studentëve. Projektligji për Arsimin e Lartë u dënua nga të gjithë folësit për efektet shkatërrimtare që sjell për universitetet dhe studentët.

“Megjithë këmbënguljen e opozitës parlamentare është planifikuar të futet për shqyrtim ditën e nesërme në Kuvendin e Shqipërisë projektligji për Arsimin e Lartë pas një procesi tipik ballkanik, sa i përket tinzarllëkut, proces,  i cili nisi dhjetë muaj më parë në dukje transparent, por që u transformua shpejt në një labirinth të qëllimshëm, për të fshehur goditjet fatale që i jep aspiratave të qindra mijë prindërve shqiptarë për të arsimuar fëmijët e tyre në një sistem arsimor universitar cilësor, gjithmonë e më cilësor, por të aksesueshëm dhe të pagueshëm nga familjet, nga buxheti familjar, dhe nga prindërit”, u shpreh në nisje Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

“Eshtë e tmerrshme që një grup interesi me pak para, me shumë perversitet, me shumë aktivizim, të implementojë interesat e veta në një projektligj dhe kjo pastaj, ti implementohet gjithë sistemit, ta shkatërrojë atë në vitet e ardhshme. Unë këtë e shikoj si një precedent nga pikëpamja e hartimit të legjislacionit që shumë rrallë ka ndodhur në Parlamentin shqiptar. Pra, një grup shumë por shumë i vogël, të arrijë me financim, me korrupsion, duke paralizuar çdo rezistencë institucionale, duke kompromentuar çdo aktor që shpreh zërin, të arrijë të hartojë një ligj të vetin, për të shkatërruar sistemin publik ose sistemin arsimor në tërësi”, tha pedagogu Mark Marku.

“Thuhet vetëm për diplomën e nivelit bachelor shteti të mbulon, për më tutje secili ta përballojë vetë. Kjo është legjitimin i pabarazisë sociale në të drejta kulturore dhe shanseve të barabarta, për arsye dhe diskriminim për statusin ekonomik. Profesorët dhe kërkuesit shkencorë privohen nga instrumentat për tu vlerësuar puna e tyre shkencore në mënyrë të pavarur dhe të lirë nga të ngjashmit e tyre. Sot parimi bazë është vlerësimi nga të ngjashmit. Të thotë që për profesor i asociuar të dorëzosh dosjen tek dekani që ia kalon një bordi prej 5 vetësh që do mbulojë mbi 150 fusha. Nëse universitetet kontrollohen nga bordet që kontrollohen nga ministri atëhere është qeveria i kontrollon dhe jo shteti. Kjo do të thotë që cilësia do të matet sipas politikave të një qeverie kushdo qoftë ajo”, tha profesor Fuga.

“Ky ligj është konceptuar si sllallomi gjigand ku hartuesi dhe për fat të keq nesër ligjvënësi me shumicën e kartonave, njësoj si skiatori shkon sa majtas e djathtas, pa respektuar asnjë parim, pa iu drejtuar asnjë vlere demokratike apo humaniste me qëllim që të arrijë objektiva të paracaktuara. Kush i ka parapërcaktuar këto objektiva? Mund ta themi me një fjalë; klientela. Pra ka një klientelë pas këtij ligji që ka përcaktuar nga do kalojë skiatori qeveritar. Pse duhet ta ndjekim ne?! Nuk ka vlera ku bazohet. Ka qëllime të paraktuara. Dhe të flasim troç. Qëllimi i parë është ti ikin premtimit për të rritur buxhetin për arsimin e lartë. Nuk duan të japin asnjë lekë për Arsimin e Lartë dhe të tjerat ti marrin nga xhepat e prindërve dhe studentëve. Ky është një lak tjetër që u vihet shqiptarëve në këtë kohë krize. Pas rritjes së taksave dhe çmimeve, tani rriten tarifat e universitetit në nivele të paimagjinueshme”, tha Lulzim Basha.

Te gjithë pjesmarrësit në këtë tryezë kanë shprehur kontestimet e tyre për aspekte të ndryshme të projekt-ligjit. Kanë kundërshtuar ashpër dhe përfaqësues të studentëve, veçanërisht faktin që ky projekt i qeverisë rrit tarifat dhe e bën të pamundur ndjekjen e arsimit të lartë për shumë prej tyre për shkak të pamundësisë ekonomike.

“Ky ligj kështu siç i propozohet kuvendit nesër nga qeveria është i pandreqshëm sepse në themel të ligjit qendron klientelizmi dhe mendësia autokratike e centralizimit të kompetencave në duart e kryerektorit-kryeministër. Mungesë vizioni e përzier me klientelizëm. Produkti kuptohet. Jo vetëm nuk mbart asnjë vlerë për arsimin e lartë, por përbën një rrezik të madh për pamundësimin e arsimit të lartë për mijëra të rinj shqiptarë. Si i tillë meriton beteje totale dhe frontale nesër në Kuvend dhe do ta ketë këtë përballje nga opozita. Por siç e dini beteja e kartonave në Kuvend është e paracaktuar. Ndaj duke perifrazuar atë që thanë disa prej parafolësve, unë do të kërkoja që kjo tryezë të shërbejë edhe për ditën e pas të nesërmes. Ju këtu dhe qindra mijëra jashtë kësaj salle e dini se një vendim i padrejtë nuk mund të legjitimohet as nga vula të thata dhe as të njoma, të asnjë shumice. Unë ju garatoj se PD dhe opozita do të jetë në krah të studentëve dhe pedagogëve në çfarëdo forme dhe mënyrë që ju do të zgjidhni për ti qëndruar dhe bërë ballë dhe për të prapësuar këtë të keqe të madhe që po i përgatitet arsimit të lartë, këtë haraç të lartë që po i vihet në formën e një tjetër laku në fyt familjeve shqiptare. Do të jemi të gatshëm të nisim së bashku me ju pa pritur të kalojnë muaj e vite, një jetër proces diskutimi duke përdorur eskpertizën më të mirë tonën dhe tuajën duke hedhur bazat e një ligji të drejtë vizionar europian, që nga njëra anë të garantojë të drejtën pozitive kushtetuese për Arsimin e Lartë si një e drejtë dhe jo si privilegj apo mall që blihet, dhe nga ana tjetër, të bëjë gjithçka për konkurencën e ndershme, që duhet të thellohet më tej në kushtet e një gare të barabaratë dhe mundësish të barabarta në kushtet e një ekonomie tregu por edhe në kushtet e një detyrimi moral dhe kushtetues të shtetit për të financuar arsimin e lartë publik dhe nga kjo Partia Demokratike nuk do të tërhiqet asnjëherë”, tha Lulzim Basha.

Më poshte, bashkangjitur keni diskutimet e plota në tryezën e sotme të thirrur nga Partia Demokratike:

Lulzim Basha:

Megjithë këmbënguljen e opozitës parlamentare është planifikuar të futet për shqyrtim ditën e nesërme në Kuvendin e Shqipërisë projektligji për Arsimin e Lartë pas një procesi tipik ballkanik,  sa i përket tinzarllëkut, proces,  i cili nisi dhjetë muaj më parë në dukje transparent, por që u transformua shpejt në një labirinth të qëllimshëm, për të fshehur goditjet fatale që i jep aspiratave të qindra mijëra prindërve shqiptarë për të arsimuar fëmijët e tyre në një sistem arsimor universitar cilësor, gjithmonë e më cilësor, por të aksesueshëm dhe të pagueshëm nga familjet, nga buxheti familjar, dhe nga prindërit. I pagueshëm nga taksapaguesit shqiptarë, të cilëve u është premtuar para dy vitesh nga kjo qeveri se, buxheti për arsimin e lartë do të njohë rritje dhe vetëm rritje.

Një reformë pra, e cila nga njëra anë premton atë që të gjithë dëshirojmë, minimizimin deri në shuarje të fiktivitetit, të cilësisë së ulët të mësimdhënies, klientelizmit, i diplomave falso dhe diplomave të blera, por nga ana tjetër me skemën që propozon ky projektligj rrezikon ta uniformizojë  këtë klientelizëm , duke e shtrirë tashmë edhe në universitetet publike, të cilët sipas kësaj skeme do të barazohen me universitetet privatë, në atë që do të duhet të ofrojnë tarifa studimi shumë më të larta, duke e bërë akoma më të papërballueshme studimin universitar për mijëra e mijëra të rinj shqiptarë, që e dëshirojnë.

Duke e bërë tërësisht të papërballueshme për qindra e mijëra prindër e duke mos ofruar asnjë garanci, se ky sistem me  të cilin shqiptarëve do ti kërkohet ta paguajnë shumëfish atë që po paguajnë sot për shkollimin e fëmijëve të tyre dhe në universitetet publike, në fakt do të shërbejë nga pedagogë më të zotë apo nga një sistem më i pastër nga korrupsioni, sepse në fakt kompetencat, të cilat me ligj dhe me tendencë politikbërje kanë shkuar drejt decentralizimit dhe autonomisë universitare tashmë në modelin e njohur dhe të aplikuar në fushat e ndryshme të jetës në këto dy vite, do të centralizohen në duart e një kryerektori të Republikës që do të jetë vetë zoti kryeministër, që do të vendosë me shumicë dërmuese se kush dot ulet në bordet e ndryshme të administrimit, akreditimit e mbikëqyrjes, duke i paraprirë kështu çdo shansi e çdo mundësie për një vendimmarrje më afër grupeve të interesit, pra më afër studentëve dhe pedagogëve.

Qëllimi i tryezës së sotme nuk është një refren i  qëndrimit tonë si opozitë, sepse këtë e kemi shprehur qartë dhe gjatë gjithë fushatës sonë elektorale, ku kemi prekur në terren pasojat e tmerrshme të kësaj politike klienteliste dhe korruptive që ka çuar tashmë në mbylljen e disa filialeve, siç janë ato të Peshkopisë dhe të Kukësit, duke privuar mijëra e mijera të rinj nga e drejta për arsim të lartë publik që është një e drejtë joeterike, por kushtetuese në këtë vend, në këtë republikë, duke hapur plagë të reja dhe tragjike në formën e të rinjve, e qindra të rinjve, të cilët janë detyruar të ndërpresin studimet, sepse nuk përballojnë dot tarifat e reja, sepse prindërit e tyre, me  ose pa punë, nuk kanë me se ti paguajnë dhe natyrisht nuk kanë me se të paguajnë as koston e transportit, për të lëvizur nga vendi, nga qyteti ku banonin dhe ku operonte një instalim universitar, drejt qendrave të tjera siç janë Tirana, Durrësi , apo Vlora.

Synimi ynë ka qenë, është dhe mbetet që studimet e larta, arsimi i lartë të jetë i aksesueshëm  për numrin më të madh të të rinjve shqiptarë që e dëshirojnë këtë, që shteti të përballojë ashtu siç e ka detyrim kushtetues pavarësisht prej partive politike që fitojnë zgjedhjet, një pjesë të mirë të kostos së arsimit të lartë e në veçanti përsa i përket institucioneve të arsimit publik, universiteteve publike, me grante të pakushtëzuara.

Synimi ynë është padyshim një luftë për rritjen e cilësisë së arsimit të lartë, për ç’montimin e institucioneve falso, që si një simptome e proceseve të liberalizimit dhe tranzicionit edhe në këtë fushë të rëndësishme, kanë goditur me efekte shkatërruese kredibilitetin, besueshmërinë e arsimit të lartë, të pedagogëve, por që kurrësesi nuk mund të shërbejë si alibi për të instaluar edhe në këtë fushë, sindromën e Vitit 0.

Ne jemi të vendosur që të kundërshtojmë me të gjitha instrumentat që një opozitë parlamentare ka, këtë ligj, këtë pseudoreformë.

Por në seancën e nesërme dëshirojmë të jemi dhe zëri i atyre që kanë folur, kanë shkruar, kanë dalë nëpër sheshe të protestave dhe nuk janë dëgjuar. Ndaj do të desha ta nis këtë tryezë duke ju dhënë mundësi gjithsecilit prej jush për të shprehur, jo thjesht para njëri-tjetrit por përpara publikut shqiptar, i cili ka të drejtën të dijë të vërtetën ashtu siç është, përtej lajleluleve të propagandës, demagogjisë, apo përpjekjes për të mbytur me vapën  e korrikut çdo debat për këtë pseudoreformë, për këtë ligj i cili do të ketë një impakt të menjëhershëm negativ mbi mijëra e mijëra familje shqiptarë; do të ketë një impakt negativ mbi qindra mijëra pjesëtarë të brezave të rinj nëse kalon kështu siç është. Ndaj më lejoni ta mbyll këtë hapje të shkurtër të tryezës, e të ftoj të pranishmit këtu.

Altin Shegani, Fakulteti i Drejtësisë

Sot  kam ardhur si pedagog si një nga anëtarët e grupit të punës të ngarkuar nga Senati i Universitetit të Tiranës për të prezantuar oponencën, të cilën Universiteti e bëri publike në komision;  por sot në fakt nuk do të doja të prezantoja ato çka ne kemi thënë publikisht, por kam sjellë me vete një përmbledhje të shkurtër, lidhur me pikat e dobëta të projektligjit për Arsimin e Lartë të profesor Jan De Bruf,  një ekspert i nivelit të lartë botëror, evropian, hartues i disa ligjeve të arsimit të lartë në fushën e vendeve evropiane që ne mendojme se, është një nga specialistët më të mirë, që duhej të ishte marrë në konsideratë që në fillim,megjithatë  Universiteti i Tiranës e ka propozuar; kuptohet që nuk na ka takuar ne që ta bëjmë të detyrueshme këtë. Dua që për gjithë pjesëmarrësit të bëj të ditur që në takimin e tij profesori Yan de Groof në cilësinë e profesorit të kolegjit të Evropës, Belgjikë, President i shoqatës evropiane për  legjislacionin e politikave në arsim, ka marrë takime me kryetarin e Kuvendit Ilir Meta , me kryetarin e komisionit të Arsimit Genc Pollo, me zotin Petrit Vasili dhe sigurisht  dhe me aktorë të tjerë të Universitetit të Tiranës.

Atëherë unë do të jem shumë konkret dhe luajal me mendimet  e profesor De Groof, lidhur me ato çfarë ai ka evidentuar ; jemi duke pritur dhe ekspertizën nen për nen të draftit, por një ekspertizë në tërësi tashmë është bërë është përkthyer nga ana e jonë dhe është vënë në dispozicion të gjithë strukturave.

Në draftin aktual dimensioni evropian është trajtuar shumë dobët në disa kapituj. Profesori  De Groof mendon se ligji nuk është mjaftueshëm evropian. Projektligji nuk pasqyron një sërë dokumentash bazë e të rëndësishme të Bashkimit evropiane për arsimin e lartë, përshembull nuk pasqyrohen direktivat evropiane për kërkimin shkencor; kërkimi shkencor është baza e arsimit të lartë, ç’mund të bëjë arsimi i lartë përvecse  me përparësi . Në nenin 2 të projektligji thuhet se, qëllimi i këtij ligji është të krijojë një sistem të unifikuar dhe të standartizuar të  mësimdhënies, kërkimit shkencor, inovacionit bashkëkohor dhe konkurrues me hapësira evropiane të arsimit të lartë. Kjo është e kundërta e prirjeve evropiane të arsimit të lartë. Sistemi arsimor duhet të jetë i diversifikuar dhe jo i standartizuar,  pasi kjo sjell dëme pastaj në botën universitare ; një sistem i unifikuar dhe i standardizuar do të mbysë të gjitha risitë dhe performancën dhe nuk do të përgatisë arsimin e lartë shqiptar në cilësinë e të ardhmes . Një mënyrë për të besuar dimensionin evropian është krahasimi i projektligjit me projektligjet e tjera të BE, gjë që duhet  të ishte bërë, duhet të ishte alfa e cdo gjëje. Duhet t’ju kujtoj se Rumania ka patur një problem të ngjashëm me tonin nga pikëpamja e dimensioneve, me të cilat kishte përgatitur draftin e arsimit të lartë dhe kjo iu bë pengesë për shumë gjera.

Konceptet bazë të autonomisë universitare dhe lirisë akademike nuk pasqyrohen drejt. Ky projektligj në fakt është një përkthim i keq i lirisë akademike dhe vë në pikëpyetje autonominë e universiteteve, sepse Universitetit në këndvështrimin e profesor de Groof nuk është bashkim thjesht entitetesh, por së pari është një sistem i mirëfilltë vlerash dhe duhet të ketë autonomi në procedurat  administrative , në menaxhim pagash, pagesa të tjera dhe brenda vetë universitetit duhet të ketë autonomi ndërmjet strukturave përbërëse të tij, gjë e cila në frymën e draftit aktual nuk ekziston. Nevojitet balancë midis kompetencave; në fakt nuk ka balancë midis kompetencave. Imagjinoni që në draftin aktual përgjegjësit e departamentit komunikon me rektorin, duke anashkaluar dekanin, lidhur me një sërë gjërash të rëndësishme qoftë edhe për të nisur procedurën e  largimit të një punonjësi  mësimor shkencor. Nëse  do të ndiqej ky model  i vënies në fuqi të departamenteve, atëherë në projektligj nuk mund të thuhet që dekani është autoriteti më i lartë, se pastaj përse është autoriteti më i lartë? Këtu gjërat bien ndesh haptaz.

Fakulteti në fund të fundit duhet të jetë i lidhur me Universitetin,  sepse ky është  qendra e Universitetit dhe duhet të ketë ndërveprim mes studentëve personelit administrativ akademik dhe lidershipit. E  vërteta është se ka disa formula ku departamenti merr rol aktiv dhe është i madh, por këto specifika shkojnë bashkë me specifikat e vendeve nga pikëpamja e standarteve ku ato janë tani. Shqipëria nuk mund të thotë se do të bëjmë një ligj se kështu e ka vendi A ose vendi B, kur ne nuk pasqyrojmë në thelb as kushtet e A, as kushtet e B; ne do të bëjmë një ligj që mban parasysh kushtet  tona dhe synimet ku duam të shkojmë.

Projektligji është i bazuar në qasjen etatiste, pra është shteti në qendër dhe jo universiteti në qendër. Në fakt, në një shoqëri të hapur demokratike sigurisht duhet të jetë universiteti në qendër. Sigurisht, kjo vjen nga fakti se ne kemi 25 vjet postkomunizëm, shoqëria shqiptare ka qenë shumë ndërhyrëse mendon profesori jan De Groof . “Nga eksperiencat që kam patur në mësimdhëniet në Evropë dhe jo vetëm thotë, madje dhe në Afrikë kam kuptuar që arsimi lartë duhet të jetë aspekt i bashkëpunimit i të gjithë grupeve sociale, në mënyrë që shteti dhe shoqëria të avancojnë përpara.”

Përgjegjësia e shtetit në përcaktimin e ardhshëm të sistemit të karrierës duhet të balancohet me përgjegjësinë  e trupës akademike. Shteti nuk është faktor kyç apo aktori kryesor për arsimin e lartë, por trupa akademike , departamenti, fakulteti, pedagogët, studentët, vetë universiteti, këta janë aktorët kyç.

Për nga ekspertiza e çështjes gjithë ekspertët e tjerë që vijnë nga ministritë dhe agjensitë e tjera qeveritare vijnë pas tyre. Ekspertët më të mirë thotë profesor  De Groof janë në mjediset universitare .

Në kapitullin 2 neni 7 flitet për ministrinë. Sipas meje. thotë profesori, kjo nuk është përqasja e duhur, është i gjithi  një mentalitet i ndërtuar keq , nuk është ministria dhe nuk duhet të jetë kjo, lojtarja kryesore.

Unë jam pedagog thotë profesori, jam dhe burokrat; ministrat nuk janë ekspertë, por janë burokratë . Ekspertët  janë dhe duhet të jenë akademia.

Projektligji nuk përputhet me parimet e qeverisjes së mirë, një opinion tjetër i profesorit . Dokumenti nuk përputhet me këto parime, nuk zbatohet parimi i kontrollit dhe balancës, krijon probleme ne qeverisjen e universiteteve. 15 nene shkojnë në të kundërtën me qeverisjen e arsimit të lartë. 15 nene duhen ndryshuar, sepse e dëmtojnë rëndë statusin që duhet të ketë një institucion i arsimit të lartë . Rektori jep dhe opinione të tjera lidhur me emërimet , por unë nuk do të ndalem këtu dhe sidomos detyrat e bordit të administrimit dhe senatit janë përzier, janë kompetenca të miksuara dhe, kuptohet sjellin ngërç pastaj, në pikëpamjen e produktivitetit .

Por sa i përket teknikës legjislative, profesori vëren se dokumenti është shumë i detajuar në disa aspekte dhe në  të kundërt aspektet vitale mungojnë. Në këtë ligj ka shumë detaje të parëndësishme dhe nuk ka sqarime të qarta për gjëratë rëndësishme

Ligji i Arsimit të lartë i Republikës së Kosovës përbëhet nga 38 nene. Eshtë ekstrakti i asaj që duhet të jetë dhe pjesën tjetër në kuadrin e akademisë ia lë akteve të tjera rregullatore, që janë statuti, rregullorja, sepse në qoftëse një ligj do të përcaktonte në mënyrë të detajuar gjithçka, atëherë ç’nevojë do të kishte që, pas ligjit të kishim dhe statute dhe rregullore?

Normalisht drafti i arsimit të lartë tenton të marrë këtë rol dhe e ka marrë de fakto. Të drejtat për personelin akademik nuk janë paraqitur duke u lënë nene për legjislacion  dytësor, ndërkohë që ato duhet  të jenë të pasqyruara në ligj dhe jo në aktet nënligjore; pra është bërë e kundërta që çmojnë ekspertët evropianë. Nuk trajtohen çështje të integritetit transparencës dhe llogaridhënies; shumica e termave të nenit 6 të draftit aktual janë të gabuara.

Auditi dhe llogaridhënia, referuar kontekstit specifik të Shqipërisë mungon një kapitull për integritetin dhe sjelljen antikorruptive. Kështu nuk trajtohen auditi, llogaridhënia, auditi  i auditeve mungojnë parametrat dhe objektivat për transparencën e buxhetit. Sigurisht një element i rëndësishëm që edhe për profesorin de Groof është çmuar si problematik, është kapitulli 12, ku duke u njohur me bazën e dispozitave tona kushtetuese, ai e çmoi si një trup të huaj, si një masë, e cila nuk funksionon fare me të gjithë strukturën dhe jo vetëm kaq, por dhe me nenet 24 dhe 25 të Kodit Civil të Republikës së Shqipërisë. Kështu që, një akt nga pikëpamja e hierarkisë së akteve normative kur është një ligj i thjeshtë, nuk mund të pretendohet që të superojë një ligj organik, sikundër është Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë. Por nga ana tjetër, mendoj unë dhe, mesa jemi konsultuar me të gjithë kolegët juristë, nuk mundet që kur Kushtetuta autorizon autonominë, një akt,  një draft që merr përsipër dhe pas miratimit të jetë një ligj i miratuar me shumicë të thjeshtë, nuk mund të thotë që Kushtetuta autorizon  minimumin dhe ligji autorizon maksimumin. Kushtetuta është limiti i cdo gjëje në një shtet ligjor.

Mark Marku, Pedagog, Universiteti i Tiranës:

Mendojmë se është në të mirën e shoqërisë shqiptare që roli i opozitës në këtë shoqëri të forcohet,  kur ka tendenca për ta shkatërruar dhe për të dëmtuar çdo qelizë dhe çdo strukturë rezistence dhe mendimi të lirë. Jemi në kurthin e debatit që na kanë futur hartuesit e ligjit që në fillim, dometënë, bëni debat sa të doni, ne bëjmë çfarë duam dhe rezultati do të jetë një projektligj, i cili nuk ka kurrëfarë lidhje me reformimin e sistemit arsimor, por është pikë për pikë zbatim i objektivave të grupeve të interesit që synojnë të ndërtojnë një sistem të tillë arsimor që favorizon interesa pastërtisht financiare dhe që nuk kanë kurrëfarë shqetësimi për sistemin në tërësi.

Ne nuk e shikojnë sistemin e arsimit të lartë si një treg, si një mall dhe diplomën si një plaçkë, si një mall që ne e shesim, e falim, apo e trafikojkmë. Ne e shikojmë sistemin arsimor si një nënsisitem të shoqërisë shqiptar.,e një nënsistem që është më i rëndësishëm se vetë shoqëria, sepse po të shkatërojmë sistemin arsimor në plan afatgjatë,  ne kemi shkatërruar shoqërinë shqiptare. Dhe nëse duam të bëjmë një investim pas dhjetë vitesh apo pas 20 viteve për shoqërinë shqiptare, duhet ta bëjmë pikërisht në arsim, në këtë sistem ku investohet pa fituar në kuptimin material ; investohet duke ditur që investon në plan afatgjatë.

Ka tri aspekte ky projektligjl;

A e reformon ky projektligj sistemin  e arsimit të lartë? Mendoj që nuk e reformon dhe nuk ka kurrfarë tendence reformuese, sepse nuk mbështetet së pari, në kushtin e parë, që është analiza e sistemit. Në gjithë projektligjin reflektohet se, nuk ka patur kurrëfarë njohje të sistemit, përkundrazi reflektohet një mosnjohje e thellë e sistemit.

Cfarë të dhënash kanë patur hartuesit e projektligjit për sistemin kur kanë hartuar projektligjin? Sa përqind e studentëve punësohen? Sa përqind e studentëve të ekslencës punësohen?

Më shumë sesa ne që punojmë në universitet nuk është kurrëkush më i interesuar të reformojë sistemin e arsimit të lartë. Ne kemi qenë bashkëpunues që në fillim;  i jemi përgjigjur me seriozitetin maksimal qeverisë. Na ka dërguar variantin e parë për diskutim në universitet, të gjitha departamentet, të gjitha këshillat e universiteteve, rektoratet, senatet dhe ne forumet që funksionojmë në kuadrin e autonomisë universitare, kemi dërguar vërejtje të detajuara dhe te specializuara për çdo pikë, sepse nuk ka ekspertizë më të mirë se ajo që bëhet në fakultet . Janë marrë nuk janë reflektuar dhe na është sjellë një projektligj edhe më i përkeqësuar se i pari. Prapë e kemi marrë seriozisht qeverinë, sepse kemi menduar që qeveria kishte për qëllim ta përmirësonte projektligjin. Nuk është reflektuar asgjë. Forumi  gjithashtu ka nxitur një debat publik, duke dhënë argumentat në favor të përmirësimit të ligjit.

Nuk është sakrilegj kur një ligj është i pavlefshëm, të tërhiqet ; nuk ka arsye që për kokëfortësi të vazhdohet siç është bërë deri më tani, të shkohet deri në fund me këtë projektligj. Eshtë propagandë e pastër kur thuhet se ky ligj reformon sistemin. Ky projektligj është tërësisht i fokusuar në disa objektiva të disa aktorëve, të cilët ushtrojnë ndikime legjitime, qoftë në debatin publik, qoftë në sistemin politik, qoftë në sistemin shtetëror .

Opozita nuk ka si të përmbysë situatën, sepse po të donin ata konsensus, e kishin kërkuar në komision.

Të kuptohemi që ne nuk kërkojmë që, kritikat, vërejtjet, që kemi ne, t’i ketë dhe opozita, sepse ne jemi grup interesi i personalizuar, individualizuar dhe një formacion politik ka një mënyrë të funksionuari tjetër. Duhet të sensibilizohet opinioni publik se, ky është një projektligj që dëmton në thelb sistemin arsimor. Ky  projektligj dëmton në thelb sistemin tonë legjislativ në mënyrën si bëhen ligjet në Shqipëri. Eshtë e tmerrshme që një grup interesi me pak para, me shumë perversitet, me shumë aktivizim të implementojë interesat e veta në një projektligj dhe kjo pastaj, ti implementohet gjithë sistemit, ta shkatërrojë atë në vitet e ardhshme. Unë  këtë e shikoj si një precedent nga pikëpamja e hartimit të legjislacionit që shumë rrallë ka ndodhur në Parlamentin shqiptar. Pra, një grup shumë por shumë i vogël, të arrijë me financim, me korrupsion, duke paralizuar çdo rezistencë institucionale, duke kompromentuar çdo aktor që shpreh zërin, të arrijë të hartojë një ligj të vetin, për të shkatërruar sistemin publik ose sistemin arsimor në tërësi. Unë mendoj se të gjitha çfarë ka ai projektligj burojnë prej këtij fakti, që për disa objektiva të caktuara është bërë një projektligj

Ky projektligj në thelb është antikushtetues; është ligj i pabarabartë, shkel barazinë e trajtimit të barabartë të qytetarëve shqiptarë në sistemin arsimor që është një e mirë publike. Vetë ligji e thotë, nga njëra anë thotë është e mirë publike, nga ana tjetër shprehet se: “ne financojmë vetëm nivelin e parë të studimeve”.

Çfarë  do të thotë kjo, që niveli i dytë nuk është pjesë e sistemit universitar?

Atëherë duhet bërë një ligj, ku të përcaktohet qartësisht që me sistem universitar ne kuptojmë vetëm nivelin e parë të studimeve. Ka probleme në raportin mes bordit dhe senatit praktikisht shkatërrohet çdo element i autonomisë universitare. Po të shikoni projektligjin në çdo nen të të drejtave dhe funksioneve të bordit, ai i mbivendoset Senatit dhe çdo vendim i Senatit duhet paraprakisht të miratohet nga bordi i Administrimit. Ky ligj është diskreditues dhe deligjitimues që në nisje por që nuk ka shanse të zbatohet

Të gjitha grupet e interesit, Universiteti publik 100% , dekanët, senatet të gjitha këshillat e fakultetet janë të gjithë kundër. Pra kjo qeveri mund të ketë shumicën e votave në fshatra dhe qytete, por aty ku do të implementohet ligji, ka përbuzjen maksimale për mënyrën si ka funksionuar, si janë trajtuar universitetet. Në këtë kuadër, ia vlen që të bëhet luftë, sepse ne që jemi në universitet, nuk e mbyllim betejën me miratimin e projektligjit; ne do të vazhdojmë rezistencën tonë, sepse nuk kemi ndërmend që ti dorëzojmë liritë e fituara, pra nuk kemi ndërmend që t’ia nënshtrojmë të drejtën për të menduar qeverisë

Nuk kemi ndërmend të lejojmë që qeveria të vlerësojë se kush është studiues i zoti, se cila punë shkencore është me vlerë; ne këto nuk i negociojmë sepse po negociuam lirinë e mendimit, atëherë jo vetëm intelektualisht jemi shuar, por në një farë mënyre, ne kemi shkatërruar profesionin tonë, i cili kusht bazë, ka lirinë.

Artan Fuga, Universiteti i Tiranës:

Shqetësimi im është mos jemi në vendin dhe kohën e gabuar dhe mbajmë diskutimin e gabuar. Të gjithë këto që ne themi unë jam dakord dhe ka vend për tu thënë. Por sot jemi në vigjilje të ditës së nesërme ku do të kalojë në Parlament, pas një diskutimi, dhe atje do të votohet. Të gjitha këto që ndajmë prej muajsh e vitesh mund të relativizohen sepse ju në profesionin tuaj e dini që një ligj ka aspektn e tij normativ dhe pastaj ka dhe aspektin konjuktural se sa i dobishëm është nga pikëpamja shoqërore. Por qëllimet janë gjithmonë të mira dhe aspekti konjuktural është gjithmonë i diskutueshëm dhe problemi që mbetet është normativ. Pra sot ne jemi, për mua dhe kolegun Marku që ndajmë shqetësimin sot me titull individual, problemi është normativ. Nëse do ta ktheni këtë tryezë politike në diskutim profesional, unë kam përshtpjen se nuk është as koha dhe as vendi dhe as tematika që do të na bënte të kishim një rezultat pragmatik në të mirën e asaj që ne mbrojmë nesër. Dhe unë mendoj që na keni thirrur sot për ditën e nesërme. Desha ta them dhe njëherë që në këndvështrimin tim, përndryshe unë nuk do isha aktivizuar, nuk është problemi i universiteteve por problemi është shumë më i gjerë. Problemi është në raport me Kushtetutën dhe e dyta jemi në një shoqëri e demokracisë së opinionit ku kushdo flet por vendimet merren më mënyrë autoritare. Nëse ne jemi në këtë situatë atëhere këtu ka vend të shikohet ajo punë që duhet bërë e aspektit të mirëfilltë politik për ato përmirësime në mënyrë që kjo çarje e madhe midis vendimarrjes ekzekutive apo ligjore dhe opinionit sikundër u tha këtu në media nuk gjendet një pedagog, asistent i ri apo profesor i moshuar, që të ketë shprehur një mendim pro këtij projekligji. Më falni nëse pyes, kush janë më legjitim?! 140 deputetë apo qindra profesorë që meren me këtë?! Pra dëshira ime si qytetar është që të shikoj deputetët e opozitës dhe të kujdo krahu nesër të gjykonin aspektin normativ. Edhe njëherë po e them, ju e dini shumë mirë se nga ana normative e një ligji nuk ka rrugë tjetër juridikisht veçse të krahasohet me një normë tjetër më të lartë. Dhe puna është e lehtë dhe është një çështje paksa semantike dhe juridike por që i ka munguar diskutimit politik.

E para, për agjencitë mund të diskutojmë pa fund dhe nuk sjell asgjë. Për mua ka një problem tjetër, çfarë janë këto agjenci?! Ose janë agjenci juridiko-ekzekutive të emëruara nga hierarkia e ekzekutivit dhe në këtë rast të emëruar nga ministrja e arsimit, ato janë drejtori në thelb të ministrisë dhe nuk ka pse të vendosen në ligj. Ose ato janë agjenci të pavarura të cilat nëse marrin funksione të ministrisë së Arsimit bien në kundërshtimim me Kushtetutën sepse ajo u jep ministrive administrimin e politikave. Këtë pyetje e hedh edhe për deputetët tuaj siç ua kam bërë të gjithëve. Pra cili është statusi i këtyre agjencive kur ato emerohen në mënyrë vertikale. Ato skanë identitet juridik. E kanë shumë të turbullt këtë identitet. E dyta, nuk ka asnjë referim për vlerat e demokracisë dhe humanzimit por vetëm një referim për respektimin e laicitetit dhe ky kufizohet vetëm tek simbolet fetare. Të barazosh laicitetin me problemin e simboleve fetare, më vjen keq por unë jap lëndën e komunikimit ndërkulturor, nuk e di ku të futem. Që në një tekst të vitit 2015 elita intelektuale shqiptare të formulojë të tilla fjali mua më vjen turp nga kolegët e huaj për këtë pikë se mjafton të lexosh këtë fjali dhe të tjerat s’ke më nevojë ti lexosh. Po ku janë vlerat e tjera? Sepse nesër pasnesër në fakutetin e shkencave të Biologjisë do të kryehen eskperimente me fetusin që do të shkojnë në kushtërshtim me etikën europiane?! Ku janë të shkruara këto në ligj që duhen respektuar si ai i paqes apo i bashkëpunimit mes kombeve, solidaritetit, paqes sociale, respektimit të individit. Po i gjetët në ligj…çka do të thotë; në një department të Shkencave Politike mund të përpunojmë aty teori fashiste?! Kush të lejon?! Kushteta e ka por të mos harrojmë që në të gjithë ligjet për mediat europiane, arsimin, kulturën, janë në Kushtetutë dhe në ligje sepse janë vlerat bazë të një shoqërie.

E treta, jam përpjekur të shpjegoj të drejtën pozitive dhe atë negative. E pamundur ta shpjegosh. Po ju drejtohem ju z.Basha sepse e kuptoni 1 mijë herë më mirë se unë. E drejta demokratike është një e drejtë negative në thelb sidomos në kulturë që do të thotë digasteri përpunon një konturë rregullash por tubin e lë bosh. Sepse po përcaktoi edhe përmbatjen e dijes dhe kulturës dhe të filmit apo artikullit ku shkruhet dhe mëismit që bëhet kalon në të drejtën pozitive hegeliane apo të Xhovani Xhentiles. Nuk dua të vazhdoj më tutje sepse ju e kuptoni simbolikën dhe ku mbaron kjo gjë. Jam përpjekur tu them që po shkoni tek e drejta pozitive dhe më thonë se çfarë është kjo. Shumë mirë qenka, se është pozitive. Problemi ëshstë se kur thua që programi mësimor ka ndryshime më shumë sse 20% të shprehura në kredite duhet të marrë aprovimin e ministrisë. Pse?! Ministria të japë vlerësim për përmbatjen e procesit mësimor?! E bukura është se ndonjë deputet të thotë që kështu është edhe tani dhe unë i thashë se kujton që jam dakord edhe me këto që janë tani?! Kjo ska lidhje. Ka shkelje të Kushtetutës sepse ka një ndryshim të modelit të së drejtës. Kam kërkuar ndonjë jurist në komision por nuk mund të diskutosh me ta. Sepse sapo u thua fillojnë të shajnë dhe ofendojnë.

E katërta është se thonë që e kemi autonominë sepse tani drejtuesit e universiteteve do të kenë lehtësi më të mëdha për të marrë vendime por menjeherë në vendimarrje na futen të deleguarit si komisarët e 1917-të që dërgonte Lenini në hekurudha, miniera e fronte, të deleguar direkt me një kompetencë të jashtëzakonshme të pashkarkueshëm nga asgjë që dominojnë vendimarrjen. Por a mundet që një aprim juridik të ndryshohet brenda një mandati në funksion të kushteve ekonomike të agjencisë?! Nëse do të kishte një jurist që do ta dëgjonte këtë dhe ti thuhej se nëse universiteti ka 50% të buxheteve vetë në bord do të ketë më shumë përfaqësues por por e humbi këtë pjesë të finanicmit dhe e merr ministria do të ndryshohet logjika e bordit. Çlidhje ka kjo?! Ne jemi në një kapitalizëm demokratik ku demokracia brenda agjencisë ka vetëm një legjitimitet, përfaqësues në aksione. Sigurisht që universitetet publike duhet të hapen ndaj privatit. Unë jam partisan i integrimit të kapitalit privat dhe publik. Mund tu sjellim raste pa fund dhe po hymë në këtë nivel të konservatorizmit në një kohë kur shoqëria shqiptare kërkon tjetër gjë. Këtu ngatërrohet donatori, partneri, finacuesi, pjesëmarrësi në aksione. Kur ju thua a dini ti dalloni këto statuse të ndryshme ligjore e juridike për ti bërë pjesë e ligjit, nuk ka asnjë përgjigje. Sikur diskuton me njerëz që nuk i njohin këto gjëra dhe kjo për mua është normative. Unë për vete kam pritur nga deputetët të shkojnë tek problemi ligjor për të cilën janë përfaqësuesit tanë, dhe jo të diskutojnë atje për çështje të konjukturës së arsimit.

Autonomia nuk mund të realizohet në borde sepse ajo në thelb është të zgjedhësh trupën që përbën agjencinë. Të tjerat mund të jenë autonomi financiare dhe po nuk qe kjo autonomi që legjitimon organet zgjedhore atehere autnomia financiare nuk është më. Thuhet që qëllimet janë të mira por në fakt nuk janë të gjitha qëllimet e mira sepse nuk janë formuluar mirë. Thuhet që shteti kontrollon cilësinë të punë shkencore, mësimdhënies etj. Pyetja ime është shteti apo qeveria?! Sepse nëse kontrollohen nga bordet që kontrollohen nga ministri atëhere është qeveria i kontrollon dhe jo shteti. Kjo do të thotë që cilësia do të matet sipas politikave të një qeverie kushdo qoftë ajo. Kjo vendos në pozitë edhe ministrin nëse i vjen një punë shkencore që është kundër partisë së tij. Çfarë do të bëjë ai apo ajo?! Prandaj bota e ka shmangur këtë gjë sepse ne këtu vijmë tek parimi i censurës të fshehur që do të thotë që nëse bëj një kërkim shkencor që nuk përputhet me vullnetin e qeverisë do të thotë se penalizohem në financë, në rankim, etj. Mund të dalësh tek sheshi Skënderbej dhe të bërtasësh politikisht si të duash, të shkruash në media të si të duash dhe nuk thotë gjë njeri por ama nëse bën shkencë që nuk përputhet me mendimin e qeverisë ti menjëherë penalizohesh. Ku përputhet kjo me mendimin e lirë dhe me kërkimin e lirë shkencor?! Tani edhe planet mësimore do të jenë në këtë mënyrë. Këtu shkelet barazia sepse për shkaqe ekonomike dhe ju e dini që të drejtat nuk mund të shkelin barazitë qytetare për shkak të disnivelit dhe pabarazive ekonomike. Këtu është e hapur. Thuhet vetëm për diplomën e nivelit bachelor shteti të mbulon, për më tutje secili ta përballojë vetë. Kjo është legjitimin i pabarazisë sociale në të drejta kulturore dhe shanseve të barabarta për arsye dhe diskriminim për statusin ekonomik. Profesorët dhe kërkuesit shkencorë privohen nga instrumentat për tu vlerësuar puna e tyre shkencore në mënyrë të pavarur dhe të lirë  nga të ngjashmit e tyre. Sot parimi bazë është vlerësimi nga të ngjashmit. Të thotë ligji që për profesor i asociuar të dorëzosh dosjen tek dekani që ia kalon një bordi prej 5 vetësh që do mbulojë mbi 150 fusha. Po si do bëhet kjo?! Kapitulli i 12 mund të diskutohet pafund por ka një problem normativ që ruan statusin juridik të privilegjuar të një individi që ëhstë themelues në një agjencisi që është publike. Kjo është të njohësh privilegjet të cilat në Europë kanë mbaruar natën e 4 gushtit 1789 ku u hoqën privilegjet. Unë nuk mund të jem edhe ish pronari edhe themeluesi që të kem një status të privilegjuar në raport me të tjerët që do të thotë të kontrolloj bordin, administrimin dhe gjoja do jem i pavarur. Unë mund të vë rrogën time 100 mijë euro në muaj dhe këtë se quaj fitim. Problemi është tek mekanizimi juridik që është në kundërshtim me parimet e së drejtave të qytetarëve.

Lulzim Basha:

Gjej rastin të bëj një ndërhyrje pas fjalës së Profesor Fugës për të shprehur qendrimin tim. Unë dëgjova me vemëndje të madhe vëretjet e paraqitura për strukturën e projekligjit dhe për teknikën dhe substancën që erdhi nga profesori i nderuar, Presidenti i Shoqatës së Juristëve Europianë të Kolegjit të Bryzhit, Yan de Groof. Dëgjova edhe kritikën tuaj me kënaqësi profesor Fuga. Siç e thatë edhe ju për ne thelbi nuk është teknika ligjore sepse ky ligj është konceptuar si sllallomi gjigand ku hartuesi dhe për fat të keq nesër ligjnënësi me shumicën e kartonave, njësoj si skiatori shkon sa majtas e djathtas, pa respektuar asnjë parim, pa iu drejtuar asnjë vlere demokratike apo humaniste me qëllim që të arrijë objektiva të paracaktuara. Kush i ka parapërcaktuar këto objektiva? Mund ta themi me një fjalë; klientela. Pra ka një klientelë pas këtij ligji që ka përcaktuar nga do kalojë skiatori qeveritar. Pse duhet ta ndjekim ne?! Nuk ka vlera ku bazohet. Ka qëllime të paraktuara. Dhe të flasim troç. Qëllimi i parë është ti ikin premtimit për të rritur buxhetin për arsimin e lartë. Nuk dua të japin asnjë lekë për arsimin e lartë dhe të tjera ti marrin nga xhepat e prindërve dhe studentëve. Ky është një lak tjetër që u vihet shqiptarëve në këtë kohë krize. Pas rritjes së taksave dhe çmimeve, tani rriten tarifat e universitetit në nivele të paimagjinueshme. Unë kontrollova sot në mëngjes tarifat studentore të vendit ku kam studiuar një nga vendet me standardet më të larta të BE-së dhe janë aty pak a shumë ku i kam lënë para 15 vjetësh rreth 1800 euro për student për një cilësi arsimi, për një trupë pedagogjike, për një volum kërkimesh shkencore nga më të mirat në botë. Ndërsa këtu duhet që me çdo kush ti merret kacidhja e fundit prindërve shqiptarë sepse e dinë që atyre u dhemb sa nuk mban më kur vjen puna tek arsimi i fëmijëve të tyre dhe me këto para jo vetëm do të shkelet premtimi për të mos financuar nga buxheti dhe e kanë shkelur në mënyrë flagrante sepse kanë premtua rritje vit pas viti dhe ikën dy vite dhe skanë bërë asnjë rritje dhe këto para pasi të vilen do të shpërndahen tashmë jo thjeshtë midis institucioneve publike por do ti marrin edhe privatët të cilët do të ndryshojnë emrin dhe mënyrën e derivimit të fitimit. Nuk do e marrin më si dividend por si rrogë të majme. Do të marrin edhe titullin kont apo dukë, themelues. Ky është thelbi dhe shqetësimi kryesor. Sepse të jem fare i sinqertë me ju nuk është se gjendja e arsimit të lartë është e tillë sa të themi nuk ka nevojë për ndërhyrje sepse ka nevojë. Nuk kemi hezituar pro kemi pritur një ligj në përputhje me premtimin për rritje të financimit dhe së dyti që ta çojë përpara trajtoren e zhvillimit dhe jo ta kthejë dekaga prapa. Një shartim monstruoz nga njëra anë, të një makuterie sepse nuk mund ta quaj kapitalizëm, përsa i përket modelit të financimit dhe një fashistizimi të vendimarrjes dhe kontrollit të drejpërdrejtë e politik mbi institucionet arsimore.

Për mua dhe ne si opozitë nuk ka gjë të re sepse nje qeveri që emëron Trezorierin si drejtor të parandalimit të pastrimit të parave, që emëron deputetët e ministrin komisioner të mbrotjes të të dhënave personale në një vend me problem të mëdha të garantimit të privatësisë apo të spiunimit të qytetarëve përsa i përket të drejtave elementare të tyre kushtetuese dhe një vend me problem të mëdha përsa i përket pastrimit të parave, sigurisht që këtu do të shkonte; pa kontroll dhe presion demokratik.

Çështja është se çfarë mund të bëjmë. Ju thoni ka problem normative. Problemi është se këtu ka shkelje të Kushtetutës. Dhe Kushtetuta thotë se arsimi nuk është mall por e drejtë dhe është e drejtë pozitive nga ato të paktat ku shteti është i detyruar të ndërmarrë veprime për ti garantuar përmes dedikimit të mjeteve financiare. Ndaj dhe quhet positive sepse kushton para për ta garantuar këtë të drejtë që është buxheti i arsimit të lartë. Para që tashmë do të dalin nga xhepat e prindërve shqiptarë dhe jo më buxheti i shtetit. Pra do të dalë dy herë nga xhepat e shqiptarëve. Njëherë si taksa që nuk do të shkojnë në atë zë dhe njëherë si tarifa të rritura dhe si sistem financimi i drejtpërdrejtë nga xhepat e shqiptarëve. Në këtë pikëpamje nuk kemi pasur dhe nuk kemi asnjë hezitim. Nuk duhet të keqkuptoni durimin tonë dhe shpresën tonë, jo tek qeveria, por tek ata eskpertë që përmendët dhe tek ju që të kishim një ligj rreth të cilit të ndërtonim konsensusin politik dhe vendosmërinë tonë për të mos pranuar këtë sharlatanizëm që do ti paraqitet nesër për miratim Kuvendit.

Në fund të fundit bëhet fjalë për investimin më të çmuar për të nesërmen. Kthehet 10-fish sipas kërkimeve shkencore. Çdo dollar apo euro i hedhur në arsim në një vend demokratik e të hapur ku nderohet konkurenca kthehet 10-fish. Eshtë investimi i mirë kapital i një shoqërie. Por jo e një qeverie që nuk ka mendësi demokratike. E cila pasi ka kapur votën dhe institucionet, i ka vënë shqiptarët në këtë pozitë. Imagjinoni se në çfarë pozite janë grupet e tjera të interesit kur ju profesorëve të universitetit ju thotë fol, fol. Fol sa të dua sh se unë ligjin e kam gati, pra zero konsultim për të dëgjuar vëretjet tuaja legjitime në përmirësimet të një ligji. Vetëm fasadë e demagogji dhe propagandë. Ky është problemi që ne po ndeshim këto dy vitenë çdo aspket të administrimit të vendit e në veçanti në aspektet themelore të të drejtave kushtetuese e të njeriut. Tani pyetja shtrohet se çfarë do të bëjmë sepse nesër ligji është në parlament dhe unë e çmoj thirrjen që i bëtë arsyes. Po a do të funksionojë kjo thirrje e arsyes ndaj atyre që kanë forcën e kartonëve?! Sepse për ne opozitën, gjithçka është e qartë votat tona do të jenë kundër këtij ligji. Eshtë po kështu dhe unë e kisha të qartë para se tu ftoja që të na ndiçonit nëse kishte mundësi për përmirësimin e tij por që ska asnjë mundësi për ta përmirësuar sllallomin gjigand të klientelës dhe korrupsionit që vjen nesër në formën e një ligji. Atëhere çfarë mbetet për tu bërë?! E vërteta sado e hidhur duhet thënë. Kur një qeveri, as nuk dëgjon, as nuk merr parasysh atë që i thuhet, nuk konsultohet por vazhdon të ecë e vendosur në një rrugë të deligjitimit të saj moral duke shkelur vlerat e konfirmuara e të përbotshme dhe të pranuara në mënyrë legjitime nga një shoqëri e tërë, atëhere nuk jemi ne në kushtet e këtij legjitimitet por është qeveria në këto kushte. Nuk na mbetet gjë tjetër veçse së bashku të hartojmë një planveprimi i cili ti tregojë dhe njëherë kësaj qeverie se legjitimiteti njësoj sit ë drejtat positive nuk janë të përhershme por duhen konfirmuar. Dhe konfirmimi i legjitimitetit të kësaj qeverie në raport me ligjin e arsimit të lartë duhet të bëhet i pamundur. Përndryshe faji është i të gjithëve ne këtu, i një shumice që pranon një pakicë ilegjitime të imponohet me forcën e kartonit të përftuar përmes të tjera vlerash dhe deklamimesh dy vite e kusur më parë. Për këtë arsye unë këtoj angazhimin maksimal tuajin dhe të studentëve që ç’është e vërteta gjatë kësaj kohe e në vijim i kanë thënë fare të qarta mendimet e tyre, për studentët, prindërit e tyre, pedagogët dhe integritetin dhe të ardhmen e kësja pasurie akademike, ne jemi gati të shkojmë në luftë me çdo çmim kundër kësaj qeverie deri sa të fitojmë. Të tërhiqet dhe të pranojë hapjen e një diskutimi të vërtetë dhe jo fals për çfarë ka nevojë arsimi i lartë dhe sis i mudn ta arrijmë. Eshtë plotësisht e mundur ta bëjmë nëse kemi këto interesa dhe standardet europaine në mendje dhe jo skema korruptive të paracaktuara. Sigurisht shpresa vdes e fundit dhe uroj që parlamentarët, ndonëse nuk kam shumë besim, e shumicës të mos votojnë e të mos bëjnë rolin e noterit të bindur të kryeministrit por shpresat për këtë janë shumë të pakta ndaj ju ftoj që së bashku të hartojmë një planveprimi për t’u kundërvënë me çdo mjet këtij vendimi në thelb ilegjitim, shkatërrimtar për studentët, maturantët, për sistemin, ekonomitë familjare dhe pasurinë komëbtare akademike.

Ajola Jubani, pedagoge në Universitetin e Tiranës:

Me të gjithë kolegët kemi diskutuar prej disa vitesh dhe kemi shprehur qendrimet ndaj këtij projekligji që na ka ardhur me shumë variante dhe ne me shumë kujdes, duke pasur parasysh rendësinë e tij, e kemi shqyrtuar nen për nen si dhe filozofinë e këtij projekligji. Ndryshimet më të mëdha të këtij projektligji, janë të redakturës, sepse për fat të keq filozofia e projekligjit nuk ka ndryshuar. Fillimisht u prezantua se financimi ishte problem më i madh por me këtë projekligj minimizohet financimi i shtetit.

Armand Myftari, përfaqësues i studentëve në Këshillin Studentor:

Faleminderit për ftesën për të dëgjuar fjalën e studentëve. Ne përfaqësuesit e Këshillit Studentor të Universitetit të Tiranës kemi qënë pjesë e qendrimeve zyrtare që ka mbajtur universiteti në lidhje me këtë projekligj. Pyetjes se cila është vlera e arsimti të lartë që mund ta japë shoqëria, duket që nuk është shqetësim për hartuesit e këtij projekligji dhe nuk mund mund të japë zgjidhje. Tarifat për studentët do të disafishohen për një periudhë të shkurtër duke arritur në kosto duke e kthyer kështu në të papërballueshme për pjesën më të madhe të të rinjve të vendit. Kjo qeveri rriti tarifën e studimit në 30% dhe nëse kalon ky projektligj kjo do të disafishohet duke arritur tarifat e universiteteve private, pra rreth 1 mijë euro për bachelor dhe 2 mijë euro për master. Personalisht familja ime nuk mund ta përballojë këtë kosto dhe shumë studentë të tjerë që unë mbaj kontakte nuk do të munden dot. Studentët nga rrethet duhet të paguajnë edhe jetesën dhe familje që kanë të ardhura minimale nuk mudn ti përballojnë dot dhe aq më tepër kur kanë disa fëmijë. Shteti është terhequr nga detyrimin për shkollim për studentët më të aftë.

Lulzim Basha:

Dua t’u falenderoj të gjithëve për pjesëmarrjen në këtë diskutim i cili ishte shumë i dobishëm për opozitën dhe anëtarët e komisionit të arsimit. Konkluzionet e kësaj tryeze janë publike. Pyetje retorike kanë marrë përgjigje të qarta. Ky ligj kështu siç propozohet kuvendit nesër nga qeveria është i pandreqshëm sepse në themel të ligjit qendron klientelizmi dhe mendësia autokratike e centralizimit të kompetencave në duart e kryerektorit kryeministër. Mungesë vizioni e përzier me klientelizëm. Produkti kuptohet. Jo vetëm nuk mbart asnjë vlerë për arsimin e lartë por përbën një rrezik të madh për pamundësimin e arsimit të lartë për mijëra të rinj shqiptarë. Si i tillë meriton beteje totale dhe frontale nesër në Kuvend dhe do ta ketë nga opozita. Por siç e dini beteja e kartonave në Kuvend është e paracaktuar. Ndaj duke perifrazuar atë që thanë disa prej parafolësve, unë do të kërkoja që kjo tryezë të shërbejë edhe për ditën e pas të nesërmes. Ju këtu dhe qindra mijëra jashtë kësaj salle e dini se një vendim i padrejtë nuk mund të legjitimohet as nga vula të thata dhe as të njoma të asnjë shumice. Unë ju garatoj se PD dhe opozita do të jetë në krah të studentëve dhe pedagogëve në çfarëdo forme dhe mënyrë që ju do të zgjidhni për ti qendruar dhe bëni ballë dhe për të prapësuar këtë të keqe të madhe që po i përgatitet arsimit të lartë, këtë haraç të lartë që po i vihet në formën e një tjetër laku në fyt familjeve shqiptare. Do të jemi të gatshëm të nisim së bashku me ju pa pritur të kalojnë muaj e vite një tjetër proces diskutimi duke përdorur eskpertizën më të mirë tonën dhe tuajën duke hedhur bazat e një ligji të drejtë vizionar europian, që nga njëra anë të garantojë të drejtën pozitive kushtetuese për arsimin e lartë si një e drejtë dhe jo si privilegj apo mall që blihet, dhe nga ana tjetër të bëjë gjithçka për konkurencën e ndershme, që duhet të thellohet më tej në kushtet e një gare të barabaratë dhe mundësi të barabarta në kushtet e një ekonomie tregu por edhe në kushtet e një detyrimi moral dhe kushtetues të shtetit për të financuar arsimin e lartë publik, dhe nga kjo PD nuk do të tërhiqet asnjëherë.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 20 korrik 2015.