Të nderuar deputetë,
Se çfarë ishin zgjedhjet vendore të 21 qershorit e ka thënë më qartë sa nuk bëhet raporti paraprak i OSBE/ODHIR: Zgjedhje që minuan besimin e publikut në integritetin e gjithë sistemit.
Konkluzione të tilla zakonisht jepen në raportin përfundimtar. Por është e qartë se kaq e rëndë dhe tronditëse ka qenë pesha e provave të krimit elektoral, kaq tronditëse e vërteta që kanë parë me sy e dëgjuar me veshë vëzhguesit e huaj, para dhe gjatë ditës së votimit, sa nuk kanë pritur të kalojnë dy muaj për t’i vënë vulën. Nuk ka dyshim se tabloja e dhunimeve, parregullsive, shkeljeve dhe manipulimeve do pasqyrohet edhe më e plotë.
Evidentimi i tyre po del me forcë në dritën e diellit cdo ditë, falë edhe kurajos denoncuese të qytetarëve të cilët po dëshmojnë për akte rrëqethëse të cilat kanë goditur në themel jo vetëm zgjedhjet por vetë modelin e shoqërisë dhe të familjes.
Marrëzia e horrave dhe zuzarëve të Ilir Metës dhe Edi Ramës nuk është mjaftuar, me presione, kërcënime, banda dhe blerje votash. Kanë shkuar deri aty sa të detyrojnë apo joshin fëmijët të vjedhin kartat e identitetit të prindërve. Dhjetëra raportime konkrete kanë mbëritur e janë dokumentuar mbi maturantë që kanë refuzuar presionin për të mbështetur kandidatët e qeverisë dhe janë ndëshkuar ndërsa të tjerë që kanë pranuar kanë marrë për dhuratë përgjigjet e provimeve apo nota të pamerituara.
Kjo shkon përtej krimit elektoral të 21 qershorit. Kjo është një gjëmë e madhe për çdo prind, për çdo familjar për çdo të ri dhe të re. Hajdutët dhe zuzarët e zgjedhjeve të 21 qershorit kanë inaguruar kështu një proces horror të inxhinjerimit social apo prishjes që në gen të brezit të ri sipas vetë modelit të tyre të monstrave. Cfarë modeli i ofrojnë këta të rinjve? Vidh dhe mashtro se vetëm kështu do të bësh përpara. Kjo është ngritja në kult e krimit dhe korrupsionit, kjo është shpallja ceremoniale e republikës së krimit dhe korrupsionit, marshi funebër i shtetit ligjor dhe i vlerave si themeli i individit, familjes dhe shoqërisë.
Se çfarë po prodhojnë e do të prodhojnë këto zgjedhje po e lexojmë po aq qartë, në qëndrimet, vendimet, aktet dhe gjestet postzgjedhore të dyshes Rama-Meta. Akti më domethënës, është pseudokonkursi i Ramës për projektin e hyrjes në parkun e Liqenit të Tiranës, një projekt tipik i modelit të tij të vjetër të betonizmit, i shpëfilljes dhe nëpërkëmbjes së qytetarëve, për llogari të interesave klienteliste.
Nuk ka ndodhur kurrë që një projekt i tillë t’i mbahej i fshehtë publikut në fushatën e porsambyllur elektorale. Nuk ka ndodhur që projekti i mbajtur i fshehtë të nxirret nga sirtari, të shpallet dhe të lançohet pa përfunduar akoma procesi zgjedhor, pa bërë dorëzimet kryebashkiaku në detyrë dhe pa marrë detyrën kryebashkiaku i ri dhe para çdo projekti tjetër të premtuar në fushatë nga ai.
Në këtë hapësirë të kalimit të pushteteve u fut Edi Rama me makutërinë, pabesinë dhe shpërfilljen e tij ndaj zgjedhësve të kryeqytetit. U fut për interesat korruptive dhe klinteliste që diktojnë agjendën e tij; u fut për të konfirmuar me brutalitet dicka që ne e dimë, por duhet ta dinë edhe atë që nuk e kanë ditur:
Se ky njeri ndihet dhe mbahet sot padroni i gjithë pushteteve në Shqipëri bashkë me ortakun Meta. Se është ai, Rama, kryetari i vërtetë i bashkisë së Tiranës dhe gjithë bashkive socialiste, sikurse është Meta kryetari i bashkive të fituara nga LSI. Se dyshja të tjera thotë e të tjera bën, flak atë që premton dhe bën të kundërtën e saj, ashtu siç ka berë edhe pas zgjedhjeve politike të vitit 2013 kur tjetër premtoi e tjetër bëri.
“Kush pyet për premtimet! Ato ishin për fushatë”! Ky është refreni i talljes me qytetarët. Refreni i përqeshjes së qytetarëve, që dyshja Rama-Meta pretendon se e ka vulosur me votën e shumicës së qytetarëve.
Në fakt ky është refreni i poshtërimit të qytetarëve, i shkatërrimit të zgjedhjeve, i zgjedhjeve fasadë, përderisa rezultatin e vendosin kërcënimet, shitblerja masive e votës, mbushja e kutiveve, dhuna e pushtetit dhe bandave kriminale të lidhura me të.
Ne jemi të qartë e të vetëdijshëm për damkën që kanë shënuar dhe situatën e rrezikshme që kanë krijuar në vend zgjedhjet jo të lira dhe jo të ndershme të 21 qershorit.
Arrogancë në rritje, kriminalizim në rritje me Bushët dhe Rroshët në bash të sofrës kryeministrore të kapjes së pushtetit vendor, paligjshmëri si asnjëherë tjetër, korrupsion të shkallës më të lartë, kontrabandë dhe evazion galopant në gjithë sistemin e doganave dhe tatimeve, rekuperim dhe shumfishim të parave që u hodhën për blerjen masive të votës në fushatëa. Për këtë i rrethuan dhe i kapën zgjedhjet me të gjitha format.
Çfarë po ndodh me tatimet dhe doganat në Shqipëri? Mbi 150 milion dollarë ka shkuar mosrealizimi i të ardhurave të planifikuara për gjysmën e parë të vitit.
Taksat, janë rritur, akcizat janë rritur. Atëherë ku janë paratë, pse mungojnë paratë në arkën e shtetit, ku shkojnë, kush i vjedh këto para? Me dhjetra herë e kemi denoncuar këtë situatë të jashtëzakonshme në tatime dhe dogana. Me dhjetra herë i kemi kërkuar Edi Ramës tu shpjegojë shqiptarëve, opozitës dhe partnerëve ndërkombëtarë pse kjo rënie në pikiatë e të ardhurave në tatime dhe dogana, ndërkohë që taksat janë rritur.
Ku janë pra, ku shkojnë paratë e munguara?
Asnjë përgjigje, as sa për të larë gojën, asnjëherë, si të mos e kem pyetur për financat e publikut, por për një çeshtje private për të cilin zotëria nuk begenis të përgjigjet.
Edi Rama as ka bërë, as do të bëjë kurrë trasparencë për paratë e munguara nga tatimet dhe doganat. Sepse ato para vidhen. Sepse në dogana dhe tatime ka plasur hajdutëria si kurë më parë. Sepse është vetë ai arkitekti i politikave dhe emërimeve që favorizojnë kontrabandën dhe evazionin e shekullit në këto sektorë. Sepse është vetë në krye të kupolës që përfiton nga rrjedhja e parave jashtë sistemit legal, para që në një masë të caktuar u përdorën për të blerë vota dhe influencuar në zgjedhje.
Shembulli i cigares flet qartë. Rreth 800 ton cigare më pak se mesatarja vjetore janë zhdoganuar që nga fillimi i këtij viti. Që do të thotë gjysma e sasisë që importohet ka hyrë kontrabandë. Pesëdhjetë milion dollarë mungojnë në arkën e shteti vetëm nga cigarja kontrabandë e këtyre gjashtë muajve. Beson kush në Shqipëri se gjysma e duhanpirësve kanë lënë cigaren këto gjashtë muaj? Ka njeri me dy para mend që të besojë se një kontrabandë kaq e madhe, gjigandeske, mund të bëhet, pa bekimin dhe pjesmarrjen e autoriteteve më të larta të qeverisë?
Tatimet dhe doganat janë një histori e pastër kriminale e kontrabandës dhe evazionit të kontrolluar nga një kastë në krye të pushtetit.
Prokuroria duhet të hetojë për këto krime të përbindshme që shkatërrojnë ekonominë kombëtare, zgjedhjet dhe demokracinë.
Punonjësit e ndërgjegjshëm e të përgjegjshëm të këtyre sektorëve kyçë duhet të reagojnë me kurajo qytetare kundër marrjes peng të sistemit nga një grusht drejtuesish dhe supërhadutësh, kundër paligjshmërisë në çdo formë që të shfaqet.
Opozita do të thërrasë me urgjencë para Komisionit Të Ekonomisë dhe Financave ish drejtorin e hetimit tatimor dhe cdo zyrtar tjetër që ka dijeni për aferat maramendëse që provokuan edhe dorëheqjen e tij.
Miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë, që asistojnë stabilitetin ekonomik dhe politik të vendit, duhet të njihen më të vertetën dhe të veprojnë për të frenuar papërgjeshmërinë e një qeverie që futet pa pushim në borxhe, por nuk mbledh të ardhurat e planifikuara.
Opinoni publik, pensionistët, punonjësit e administratës publike, qytetarët në tërësi duhet të kuptojnë se përse pensionet nuk janë rritur këto dy vjet dhe përse rrogat jo nuk janë rritur por janë ulur në vlerë reale për shkak të taksave dhe cmimeve të larta.
Kjo ka ndodhur sepse një lumë parash i taksapaguesve që duhet të shkonin në arkën e shtetit vidhen nga dyshja Rama-Meta dhe klientela e tyre e në vend që të kthehen në rritje rrogash e pensionesh, rritje ndihme për familjet në nevojë, shkolla dhe shërbim shëndetësor, kthehen në pasuri për qeveritarët e korruptuar, në vila, rezidenca, saraje, fabrika, miniera, llogari bankare, dhe luks të shfrenuar.
Kjo është e vërteta e hidhur.
Njëqind e pesëdhjetë milion dollarë vetëm gjatë këtyre gjashtë muajve.
Pesëdhjetë milion dollarë vetëm nga kontrabanda e cigareve.
Opozita është marrë dhe do të merret akoma më fort me këtë çeshtje madhore për ekonominë dhe demokracinë. Nuk mund të çlirohen zgjedhjet pa çliruar tatimet dhe doganat nga kontrabanda dhe evazioni i planifikuar. Krimi i kontrabandës dhe evazionit përmbyllet në krimin zgjedhor të blerjes së votës për të vijuar sërish nga e para.
Tani është bërë e qartë se Rama nuk i bën për të promovuar në drejtim vajza dhe gra të zonja, por për të patur në krye të sektorëve kyçe të parasë publike marioneta.
Nga të dhënat tona, qeveria po përgatit një projektligj për uljen e të ardhurave të planifikuara nga doganat dhe tatimet për pjesën e dytë të vitit, sepse deficiti në raport me planin në fuqi pritet të jetë edhe më i madh se 150 milion dollarë në gjashtëmujorin e dytë.
Ulja do të tentojë të përligjë evazionin dhe vjedhjen. Doganat do të realizojnë planin e ulur, vjedhja do të legalizohet me kartonat e deputetëve të shumicës, ekonomia do të shkojë poshtë e më poshtë, përkeqësimi dhe varfëria do të rriten e thellohen.
Nëse vjen, do të jetë një projektligj kriminal, të cilit grupi ynë parlamentar do ti bejë opozitën dhe gjyqin më shembullor në Kuvend.
Zonja dhe zotërinj,
Dekriminalizimi, lufta pa kompromis kundër korrupsionit që është gangrena e qeverisjes Rama-Meta, ringritja e zgjedhjeve të lira e të ndershme që u goditen rëndë kësaj radhe janë tre beteja jetike për opozitën, për demokracinë, për të sotmen dhe të ardhmen e shqiptarëve.
Eshtë detyra jonë t’i shndrrojnë në beteja të mbarë shoqërisë, t’i udhëheqim, t’i çojmë përpara drejt finalizimit me sukses në bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me Bashkimin Europian.
Unë kam kënaqësinë t’ju bej me dije ju dhe mbarë qytetarëve shqiptarë se mbështeja ndërkombëtare ndaj Partisë Demokratike dhe opozitës për këto kauza është më e madhe se kurrë. Në takimet e shumta dhe intensive që kam zhvilluar këto javë në Bruksel, Vjenë dhe Tiranë me përfaqësuesit e lartë të komunitetit Euro Atlantik kam marë garancitë më të forta për mbështetjen e kauzës dhe betejave tona për zgjedhje të lira dhe të ndershme si themel i demokracisë, për shtetin ligjor dhe standartin e ligjit të barabartë për këdo, për luftën pa kompromis kundër krimit dhe korrupsionit.
Po, do të shohim brenda vetes, do të dalim në përfundime realiste për rezultatin e çdo kutie, do të njohim pa asnjë kompleks te metat dhe defektet, do të marrim masa për t’u korigjuar aty ku nevoitet, do të ndërtojmë programe të plota zhvillimi, do të frymëzojmë zgjimin e një ere të re për demokracinë në vend, do të jemi kritikë dhe konstruktivë.
Por askush nuk duhet të ketë iluzionin me të vogël se duke parë brenda vetes nuk do të shohim jashtë vetes, nuk do të përmbushim orë e çast detyrën tonë publike dhe kombëtare si opozitë e fortë, alternativë gjithnjë e më e pjekur dhe më e sigurt shpresë për vendin.Janë ditë të pazakonshme.
Mashtrimet, kriminalizmi dhe korrupsioni qeveritar pretendojnë se janë legalizuar me votën e shumicës së qytetarëve. Kjo nuk mund të ndodhë në zgjedhje të lira.
Por mund të imponohet në zgjedhje të kapura si këto të 21 qershorit. Vetëm përkohësisht.
Sepse ne jemi jemi më të vendosur se kurrë, dhe të bindur se bashkë me qytetarët do ta flakim zgjedhën e regjimit oligarkik të Edi Ramës dhe Ilir Metës. Pushteti i vjedhur apo i blerë nuk ka të ardhme.
Ju faleminderit
Fjala e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në mbledhjen e grupit parlamentar, 8 Korrik 2015