Partia Demokratike është e tronditur nga vdekja në minierën e Selishtës të Miftar Loshës dhe Albert Loshës dhe dëshiron të përcjellë ngushëllimet më të ndjera për familjet e viktimave.

Por sot është rasti të denoncojmë qeverinë për neglizhencën vrastare ndaj minierave e kushteve në to, që po marrin çdo javë jetë njerëzish.

Prej ardhjes së rilindjes, 26 qytetarë, familjarë që ushqejnë fëmijët me sakrificën e tyre, kanë humbur jetën në galeritë e nëntokës.

Ky është bilanci më tragjik i 25 viteve të fundit, dhe kryeministri, Edi Rama, ashtu si edhe në të gjithë rastet e tjera që prej ardhjes në pushtet, nuk gjen 1 minutë kohë as për ngushëllime.

Kur ishte në opozitë, Edi Rama shfrytëzonte çdo ngjarje në minierë për të përfituar politikisht.

Ai premtoi se do të ofronte siguri e kushte të mira pune, por mashtroi. Mashtroi dhe braktisi premtimet dhe minatorët.

Edhe sot një ditë pas tragjedisë ku humbën jetën dy familjarë në minierën e Selishtës, edhe pse foli një orë para medias, nuk gjeti asnjë moment për të shprehur ngushëllimet.

Sot çdo shqiptar e sheh Edi Ramën si përgjegjës për humbjen e jetës së bashkqytetarëve tanë në miniera, për shkak të papërgjegjshmërisë, pandjeshmërisë dhe moskrijimit të kushteve të duhura të sigurisë.


Deklaratë për shtyp e deputetes së PD, Albana Vokshi, 31 Gusht 2015