Edi Rama e pranoi zyrtarisht dhe publikisht se Beu i Jugut është Koço Kokëdhima.
De facto, Kokëdhima ka qene deri me sot kryeministri i të gjithë aksit Lushnje-Fier-Vlorë-Sarandë. Ai vendos për gjithçka, për çdo tender, privatizim, e punësim. Por dje ai eshte shpallur edhe “de jure” nga Edi Rama si padron i Jugut. Dje nën justifikimin e një organizimi të ri të PS, Kokëdhimës i është shtuar nën zotërim edhe qarku i Gjirokastrës.
Me këtë akt, Edi Rama pranoi se modeli i tij për rajonin e Jugut është Koço Kokëdhima, pra është; përvetësimi i pasurisë publike, i bregdetit, zhvatja e pronave, ndërtimi i paligjshëm i kështjellave buzë Jonit, mbjellja e hashashit, kapja dhe trafikimi i çdo vendi pune, afrimi në stafin e ngushtë të pedofilëve që këmbejnë vende pune me favore seksuale, promovimi i personave me precedentë të tmerrshëm kriminalë si kryetari i Qarkut Vlorë, si dhe shkelja e Kushtetutës në te pakten 150 raste të përfitimit të fondeve publike duke qënë deputet.
Në të vërtetë Koco Kokëdhima nuk përfaqëson asnjë qytetar dhe asnjë socialist të ndershëm të jugut dhe të gjithë Shqipërisë.
Ai është përfaqësues i oligarkisë që ka kapur pushtetin dhe e ushtron atë çdo ditë e çdo orë për interesat e veta financiare.
Modeli i Ramës për Jugun është modeli i ideatorit të legalizimit të drogës dhe rrëmbimit të çdo prone.
Janë me dhjetra ankesat e denoncimet e përditshme të qytetarëve për Koço Kokëdhimën.
Janë me mijëra ankesat e denoncimet të vetë socialistëve të tradhëtuar nga deputeti i tyre dhe nga mënyra se si e ushtron ai pushtetin.
E megjithatë, Edi Rama e shpalli me ceremoni dhe e kurorëzoi Koçon si beun e Jugut duke e legjitimuar pushtetin e tij të paligjshëm, duke sjellë në krye modelin më të keq të abuzimit e përfitimit me pushtetin.
Por Partia Demokratike, ne besojme se qytetarët e Jugut dhe te gjithe vendit do të dinë ta refuzojnë shtypjen e poshtërimin që u bën çdo ditë Edi Rama si kryeministër i vendit.
Deklaratë për shtyp e kryetarit të Grupit Parlamentar të PD, Edi Paloka, 30 Gusht 2015