Ka disa muaj që një nga plagët më të mëdha të shoqërisë shqiptare, një eksod i frikshëm i shqiptarëve, të rinj e të vjeter, me dhe pa fëmijë, gati në përmasat e viteve ’90, ka prekur rëndë jo vetëm Shqipërinë por gjithë Europën!

Pas shumë vitesh, Shqipëria sot rikthehet dhimbshëm në faqet e gazetave botërore dhe në tryezat e diskutimit të qeverive europiane me një eksod të frikshëm të shqiptarëve, cili është një mesazh i qartë për qeverinë, për pushtetarët dhe për çdokënd që po e çon Shqipërinë në këtë gjendje të mjerueshme!

Gazeta e njohur gjermane FAZ thotë qartazi se shqiptarët ikin nga përfshirja e kriminelëve në qeverisje, rritja e frikshme e papunësinë, nga rritja e taksave, nga terrori policor dhe politik që i bëhet çdo familje e çdo shqiptari, në emër të ngritjes së një shteti që në fakt po bën qindra mijëra qytetare të tij të ikin çdo ditë pa kthyer kokën pas, njësoj si emigrantet e luftës, më të shumtë në numër se emigrantët nga Siria!

Ndërsa këtu, askush nuk mban përgjegjësi për këtë mesazh të qartë që qytetarët po japin, askush, asnjë qeveritar e as me pak Kryeministri nuk po merr seriozisht këtë gjendje të jashtëzakonshme në të cilën ndodhet Shqipëria!

Në vend që të ulen e të punojnë për të krijuar vende pune, të punojnë me seriozitetin që i takon një qeverie, duke mos terrorizuar njerezit e thjeshtë në emër të një lufte ndaj krimit që në fakt po lulëzon çdo ditë e më shumë, por duke marrë seriozisht faktin që me politika taksash të frikshme, që rëndojnë çdo xhep, me presion e me shtypje, me gafa e më këtë rënie ekonomik, Shqipëria nuk ecën dot përpara!

Sot ministri i Brendshëm Tahiri, akuzon qeverinë gjermane se shifrat nuk i ka të sakta dhe se i ka bërë llogaritë gabim! Sot Tahiri thotë se shifrat e qeverisë së Ramës janë të sakta, jo ato të Merkelit! Sot Tahiri kujton sërish se mund të luajë si të dojë me të dhënat e Gjermanisë ashtu siç bën me INSTAT sa herë ka dëshirë!

Dje vetë Kryeministri Rama, me një qendrim skandaloz e turpërues, u mundua të anashkalojë rëndësinë e çështjes duke thënë që kërkuesit e azilit janë shqiptare nga Greqia e jo nga Shqipëria. Kushdo shqiptar ka sot në fisin e në lagjen e tij një familje qe ka marrë trastat e është larguar për në Gjermani, ndaj si mund të kujtojë Kryeministri i një vendi se populli i tij është aq budalla sa të besojë broçkulla të tilla! Në vend që të ulet e të marre masa serioze për këtë moment ekzistencial në të cilin ndodhet Shqipëria, ai tallet me dramën e mijëra familjeve shqiptare nga Jugu ne Veri, nga Lindja në Perëndim.

Kryeministri, ministrat, qeveritarët e pushtetarët duhet të kuptojnë se sot ka ardhur koha që të lënë gënjeshtrat, mbulimet e anashkalimet, të lënë mënjanë talljen masive që po u beni edhe shqiptarëve, edhe vetë Europës, dhe të merrni seriozisht hapa konkrete dhe urgjente që kjo gjendje të ndalë!

Por, çdo dite duket qartë që kryepërgjegjësi nuk ka asnjë plan, asnjë zgjidhje.

Sepse Edi Rama dhe keqeverisja e tij në partneritet me krimin është në fakt vetë problemi dhe pikënisja e të gjithë problemeve të tjera, arsye kryesore të eksodit tragjik të mijëra shqiptarëve. Ndaj dhe zgjidhja e problemit nis me largimin e kësaj qeverie dhe të këtij kryeministri.


Deklaratë për shtyp e deputetit të PD, Gerti Bogdani, 25 Gusht 2015