Falë autoriteteve italiane u ndërpre një tjetër pistë kriminale e trafikut të drogës nga Shqipëria në Itali, përmes avionëve të vegjël.

Ju kujtohet besoj se këta avionë me ardhjen e Edi Ramës dhe Ilir Metës në pushtet, e pushtuan qiellin shqiptar, dhe ne së bashku me qytetarët dëshmitarë okularë të këtyre avionëve, denoncuam këtë skemë mafioze që bëhej nga krimi me lejen e qeverisë dhe në bashkëpunim me të.

Përgjigja e Edi Ramës dhe Ilir Metës ishte sulmi ndaj Partisë Demokratike, dhe u tallën me shqiptarët duke i quajtur këta avionë, mushkonja. Por Riformato ra në Divjakë. Ra avioni me drogë, por nuk ranë lidhjet e krimit me qeverinë Rama-Meta. Avioni tjetër u zbulua nga autoritetet italiane që kanë hetuar prej një viti dhe kanë sjellë informacionin në rrugë zyrtare përmes Prokurorisë së Krimeve të Rënda duke mos i lënë asnjë shteg tjetër policisë dhe qeverisë shqiptare përveç zbatimit, sepse nuk kishin nga tia mbanin.

Me avionin sot, u zbulua edhe një rast tjetër i krimit të veshur me pushtet dhe pushtetit të veshur me krim. Në krye të bandës së trafikut qëndronte vetë shefi i burimeve njerëzore të Policisë së Vlorës Vladimir Zanaj, i shkarkuar në vitin 2007 nga Policia e Shtetit pikërisht prej dyshimeve për përfshirje me bandat kriminale, por i punësuar me rilindjen në tetor të vitit 2013.

Prapa Vladimir Zanajt, qëndrojnë të tjerë zyrtarë të lartë të policisë së Shtetit e pushtetarëve.

Ky është një tjetër fakt dhe dëshmi tronditësë e ortakërisë së qeverisë Rama-Meta me krimin.

Po qeveria çfarë bën ndërkohë?

Eshtë në luftë me qytetarët.

Eshtë në luftë me të pamundurit.

Eshtë në luftë me besimtarët.

Eshtë në luftë me azilantët e dëshpëruar.

Eshtë në luftë me biznesin.

Eshtë në luftë me pjesën më të madhe të shoqërisë të cilës ia ka bërë jetën të pamundur nga kriza ekonomike, varfëria, taksat dhe çmimet e rritura, papunësia, korrupsioni dhe ortakëria me krimin.

Kjo qeveri, Edi Rama dhe Ilir Meta, janë ndërkohë në paqe me bandat.

Janë në paqe dhe në bashkëpunim me kontrabandistët.

Janë në paqe dhe në bashkëpunim me të inkriminuarit që i kanë sjellë në pushtet e në poste kyçe.

Janë në paqe dhe në bashkëpunim me klientelën e tyre të korruptuar.

Në paqe me përfituesit, abuzuesit, zhvatësit e parave publike.

Gjendja është kritike.

Qytetarët, shqiptarët, të rinjtë dhe të rejat, burrat dhe gratë e këtij vendi nuk mund të mbajnë më në kurriz një qeveri që ju ka shpallur luftë.

Partia Demokratike dhe unë, jemi në krye të thirrjes për ta ndalur qeverisjen e krizës, qeverisjen e krimit dhe korrupsionit.

Ne kemi një plan për shpëtimin e vendit dhe bashkë me qytetarët shqiptarë do t’ia dalim.


Deklaratë për shtyp e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, 26 Gusht 2015