Korrupsioni elektoral dhe blerja e votave janë evidentuar si praktike kryesore e zgjedhjeve të 21 qershorit nga raportet kombëtare dhe ndërkombëtare.
Sot po ju tregojmë një aferë të pastër korrupsioni, të blerjes përpara zgjedhjeve të një kryetari komune, për ti shërbyer kandidatit të Ilir Metës në Cërrik.
Agron Hysa, ish-kryetari i Komunës Mollas, nuk i përkiste kësaj mazhorance. Por ai kaloi me Ilir Metën dhe Edi Ramën, pasi kompanisë së tij iu dha në mënyrë të pastër korruptive tenderi prej 8 miliardë e 684 milionë lekësh për rikonstruksionin e rrugës Elbasan-Banje, në fillim të qershorit.
Në këmbim të këtij favori financiar miliarda lekësh, kryetari i Komunës u rreshtua në krah të Ilir Metës e kandidatit të tij për Cërrikun, dhe kjo dëshmohet nga dhjetra foto të takimeve elektorale që ju mund ti shihni në ekran.
Vetë tenderi ka shkelje dhe abuzime të rënda ligjore.
Firma e shpallur fituese ka dhënë ofertën me çmimin më të lartë, ndërkohë që kompanitë e tjera u skualifikuan ndonëse kanë dhënë oferta më të ulëta siç pasqyrohet në këtë dokument.
Ky është një korrupsion i skajshëm me paratë publike, një hajdutëri tipike e markës Rama-Meta.
Sigurisht, fituesi ishte i paracaktuar. Dhe ndërkohë Agron Hysa u zhvendos poltikisht nën strehën e fundit të maskarenjve, duke punuar në fushatën e LSI-së për Bashkinë Cërrik.
Ky rast i pastër korrupsioni politik dhe financiar duhet ta verë menjëherë në lëvizje Prokurorinë.
Por ky është vetëm një nga rastet e këtij regjimi të korruptuar që tenderon e jep me koncesione miliarda lekë për miqtë dhe klientët, nga rrugët tek burgjet, nga shëndetësia në ekonomi, në tatime e dogana e në çdo sektor publik, ndërkohë që zhvat edhe kacidhen e fundit nga shqiptarët e pamundur.
Partia Demokratike i bën thirrje Prokurorisë të nisë hetimin e kësaj afere, e të vërë para përgjegjësisë penale autorët e këtij krimi korruptiv.
Partia Demokratike i siguron qytetarët e vendit, se së bashku me ta, do të verë para ligjit e përgjegjësisë hajdutët e parave publike dhe vrasësit e zgjedhjeve dhe të shpresës së shqiptarëve.
Deklaratë për mediat e Sekretarit të Përgjithshëm të PD, Arben Ristani, 25 Gusht 2015