Prej dy vitesh, qeveria e Edi Ramës ka zgjedhur të braktisë bashkëpunëtorët e drejtësisë për krime shumë të rënda, dhe të bashkëpunojë me bandat dhe të akuzuarit.
Rasti i dëshmitarit Arben Kicja është tronditës.
Ai është një nga dëshmitarët kyç, që ka ndihmuar në procedimin dhe dënimin e bandës famëkeqe të Lushnjes, të shefit të kësaj bande Aldo Bare, të akuzuar për krime çnjerëzore, por sot, ky bashkëpunëtor i Drejtësisë është flakur në rrugë.
Pasi është braktisur nga strukturat e qeverisë, Kicja është detyruar tashmë të dalë e të flasë në publik, të kërkojë ndihmë për sigurinë e familjes së tij.
Lënia në mes të rrugëve e dëshmitarit të drejtësisë nga qeveria, është pozicionim i hapur i saj në krah të krimit.
Lënia në mes të rrugëve është ti dërgosh dëshmitarët në duart e xhelatëve të krimit.
Të njëjtën gjë bëri Saimiri i Edi Ramës edhe me rastin e dëshmitarit në çështjen e vrasjes së komisarit Lamaj. I publikuan atij të dhënat, e nxorën hapur në publik identitetin e tij. Ia bënë peshqesh krimit.
Dhe për bandën e tritolit që ka kryer disa vrasje me pagesë, dëshmitarit të drejtësisë iu desh të shkonte sa në një komisariat në tjetrin dhe askush nuk e merrte në konsideratë, derisa u detyrua të dilte në televizion.
Ky qëndrim i qeverisë, i Ramës dhe Tahirit, afër bandave, përkrah interesit të tyre, dhe në armiqësi me bashkëpunëtorët e drejtësisë është shërbimi më i madh që mund ti bëhet krimit dhe dëmi më i madh që mund ti bëhet rendit, ligjit dhe sigurisë në vend.
Sot, qeveria e Edi Ramës është e diskretituar dhe e damkosur si qeveri që tradhton dëshmitarët e krimeve të rënda.
Ajo ka humbur besimin e qytetarëve, dhe në vijim, askush nuk do të merrte guximin të denonconte apo të dëshmonte për krime të rënda, pasi përvoja e deritanishme tregon se zyrtarët e Edi Ramës jo vetëm që nuk ofrojnë siguri, por të hedhin në rrugë bashkë me familjen.
Këto janë raste skandaloze, dëshmi e inkriminimit të qeverisë, të pushtetit të veshur me krim dhe krimit të veshur me pushtet.
Partia Demokratike do ti shqyrtojë me themel këto raste dhe do të ofrojë garanci e siguri absolute për qytetarët që do të bashkëpunojnë me drejtësinë, sapo shqiptarët të na besojnë drejtimin e vendit.
Deklaratë për shtyp e deputetit të PD, Flamur Noka, 19 Gusht 2015