Para tri javësh me një VKM sekrete në 29 Korrik, Edi Rama legalizoi vjedhjen e 160 milion dollarëve nga  tatimet dhe doganat e vendit. Sot tri javë pas këtij akti Edi Rama shpalli amnistinë për hajdutët dhe kontrabandistët. Nuk gjeti asnjë fjalë për të kërkuar ndjesë, nuk gjeti asnjë mundësi për të shpalosur para shqiptarëve përgjegjësinë që është e gjitha e tij, asnjë fajtor, asnjë kallëzim për 160 milion dollarë të vjedhura.

Kjo është gropa më e madhe financiare, e cila është shkaktuar kryesisht nga kontrabanda me mallrat e akcizës, e në vecanti me cigaren dhe naftën. Po Edi Rama nuk foli dhe nuk flet për këtë krim, sepse kontrabandistët janë pjesë e oligarkisë financiare dhe politike, që ka marrë peng zhvillimin e vendit.

Zgjidhja e Edi Ramës është të mbushë gropën e madhe të krimit në dogana e tatime, duke goditur biznesin e vogël, sipërmarresit e zakonshëm dhe të ndershëm që tashmë i ka çuar në zgrip të falimentimit me politikat e tij të taksave të larta, kërbaçit dhe korrupsionit.

Rritja e taksave, dyfishimi i tyre është shkaku i parë që solli këtë gjendje. Barra e rëndë që Edi Rama vendosi mbi bizneset ka sjellë falimentimin e tyre, ka sjellë  largimin e tyre nga vendi, dhe nga ana tjetër rritja e taksave ka nxitur informalitetin, bilancet e dyfishta, fshehjen devijimin, evazionin.

Ne e paralajmëruam këtë dhe nuk u mjaftuam me denoncimin e përmuajshëm të përkeqësimit të situatës. Por dhamë edhe rrugën e zgjidhjes përmes amendamenteve dhe alternativës që paraqitëm në Parlament. Por Edi Rama dhe Ilir Meta i votuan kundër. Sepse nga njëra anë klientela e qeverisë favorizohet, ndërsa pjesa tjetër e binzesit të vogël, të mesëm është përballë dy alternativave: të mbushë xhepat e zyrtarëve me rryshfet ose ti vërë drynin biznesit e ta mbyllë duke flakur në mes të rrugës mijëra kryefamiljarë.

Pra, ulin traun e doganave për klientët dhe ngrejnë kërbaçin për ata që mezi mbajnë familjen me bukë.

Korrupsioni, rryshfeti, zhvatja e qytetarëve dhe e biznesit është shtrirë dhe rritur në nivele alarmante, por kjo dramë që po shaktërron ditë për ditë ekonomitë familjare, individuale të shqiptarëve nuk gjen asnjë fjalë nuk gjen asnjë vëmendje në monologjet e kryeministrit.

Nga ana tjetër, po falimenton masivisht dhe biznesi i vogël, po tkurret biznesi i mesëm dhe i madh dhe papunësia po rritet nga dita në ditë.

Asnjë reflektim prej kryeministrit për këtë gjendje të rëndë ku është katandisur ekonomia.

Dhe kjo, sepse Edi Ramës nuk i mungojnë vetëm 160 milion dollarë në tatime e dogana.

Atij i mungon kurajo për të pranuar dështimin e madh e të turpshëm e të paralajmëruar të politikave të taksave të larta, të akcizave të larta që nxitën evazionin, kontrabandën dhe korrupsionin.

Atij i mungon vullneti për të goditur evazionin dhe korrupsionin sepse kontrabandistët dhe evazorët e mëdhenj, malavita dhe personat me rekorde kriminale në biznes, janë pjesë e grupit të tij politik.

Atij i mungon aftësia për të pranuar, ose për ta thënë më mirë, nuk do ia ndjen, që taksat e rritura prej tij kanë rrënuar e çuar në kufinjtë e ekzistencës mijëra ekonomi familjare, mijëra biznese të vogla e të mesme. Sepse, Edi Ramës nuk ia ndjen për shqiptarët, nuk ia ndjen që ata zhyten në borxhe për bukën e gojës, për faturat e energjisë dhe madje për të nxjerrë pasaportat e kurbetit.

Ky dështim i shoqëruar me hajdutëri ka sjellë pasoja të rënda në jetën e vendit. Kriza ekonomike vetëm thellohet, papunësia shtohet dhe eksodi rritet çdo muaj.

Por Edi Rama bën sikur nuk e kupton, e në fakt  nuk ia ndjen. Refuzon ta pranojë këtë realitet. Refuzon të pranojë që për shkak të taksave të larta dhe korrupsionit të shtrirë në çdo nivel qeverisje, siç pohoi edhe Departamenti amerikan i Shtetit, për shkak të qeverisjes me klanet kriminale, jeta e shqiptarëve përkeqësohet çdo ditë.

Edi Ramës nuk ia ndien, ndaj Edi Rama nuk ka zgjidhje. Ai është peng dhe bashkëpunëtor i oligarkëve, peng dhe bashkëpunëtor i kontrabandistëve, peng dhe bashkëpunëtor i klaneve kriminale.

Çdo masë dhe produkt i tij në këto kushte, është në kurriz të shumicës së shqiptarëve pamundur dhe në favor të klientëve miqve dhe grupeve kriminale.

Edi Ramës nuk ia ndien, Edi Rama nuk ka zgjidhje, Edi Rama nuk ka vullnet.

Por Partia Demokratike opozita dhe unë, jemi pranë qytetarëve shqiptarë në çdo fshat, lagje e qytet, me hallet dhe problemet e tyre. Ne ndjejmë dhe prekim dhimbjen e tyre të përditshme që shtohet bashkë me dëshpërimin dhe me mungesën e shpresës. Ne e kuptojmë shumë mirë situatën, momentin dramatik që po kalojnë mijëra e mijëra familje shqiptare.

Ne e kuptojmë biznesin e vogël e të mesëm, të shtypur dhe të ndrydhur nga taksat e larta, korrupsioni, nga qeverisja arbitrare dhe e padrejtë.

Ne kemi një plan. Kemi vendosmërinë që këtë plan ta kthejmë në një zgjidhje. Kjo kërkon vendime të vështira, por unë, Partia Demokratike dhe opozita bashkë me qytetarët e vendit jemi gati ti marrim këto vendime.

Pastrim i menjëhershëm të qeverisjes nga krimi.

Vendosjen e taksës së sheshtë më të ultën në Ballkan.

Transparencë dhe luftë pa kompromis korrupsionit.

Barazi para ligjit dhe konkurencë e ndershme.

Por më parë e mbi të gjitha, pastrim i menjëhershëm i qeverisjes nga krimi.


Deklaratë për shtyp e kryetarit të PD, Lulzim Basha, 20 Gusht 2015