Me partnerët tanë diskutuam çështjet kryesore që prekin qytetarët shqiptarë si çështjen e dekriminalizimit, prioritet i të gjitha prioriteteve, nyja gordiane për të zgjidhur krizën e gjithanshme politike, parlamentare dhe ekonomike të vendit. Pra largimin e kriminelëve nga Parlamenti, nga pushteti vendor, nga administrata publike. Jam i lumtur për mbështetjen e plotë dhe të gjithanshme që partnerët ndërkombëtarë i japin kësaj beteje jetike për vendin, dekriminalizimi është një çështje jetike për vendin. Dua të përsëris edhe një herë se për këtë çështje jetike për vendin dhe për luftën kundër korrupsionit, Partia Demokratike është e vendosur të mos bëjë asnjë kompromis apo pazar politik. Do t’i shkojmë deri në fund me ndihmën e partnerëve tanë ndërkombëtarë do ta realizojmë qëllimin tonë, duke e fituar këtë betejë jetike të dekriminalizimit, kalimin e ligjit të dekriminalizimit dhe zbatimin e tij të menjëhershëm.
Pyetje: Çdo të thotë nuk bëjmë asnjë pazar politik. Kush ka kërkuar pazar politik?
Basha: Nuk ka asnjë dyshim për ne, se në Parlament, në qarqet politike ka kundërshtarë të ligjit për dekriminalizimin. Dhe unë e kam thënë dhe në mbledhjen e fundit të grupit parlamentar, dhe gjej rastin ta përsëris; Partia Demokratike për këto dy çështje, pra për dekriminalizimin dhe luftën kundër korrupsionit, PD nuk bën pazare dhe kompromis. Jemi të vendosur ta çojmë deri dhe fund. E shohim veten tone, dhe jemi përfaqësues të interesit qytetar dhe vetëm të interesit qytetar. Nuk bëjmë pra asnjë pazar politik për këto dy çështje kryesore. Çështje të tjera që diskutuam kanë të bëjnë me reformën në drejtësi ku theksuam vendosmërinë për luftë pa kompromis kundër korrupsionit në drejtësi, por po kështu, për luftë pa kompromis kundër kapjes së drejtësisë apo çdo projekti që çon drejt zgjatjes së duarve të politikës në përgjithësi dhe ekzekutivit në veçanti, për të vënë nën gjunjë drejtësinë dhe për ta vënë në shërbim të interesave politike.
Diskutuam edhe për çështjen e mbështetjes së hetimeve ndaj akuzave për korrupsion. Ju konfirmoj se sot Partia Demokratike sapo depozitoi në Parlament ligjin për hetim ndërkombëtar të aferës së CEZ dhe CEZ-DIA, pra të faljes së 600 milion euro, fatura të njohura nga CEZ, fatura, detyrime ndaj shqiptarëve nga qeveria Rama si dhe të akuzave për 135 milion euro, afera të DIA-CEZ , akuza ndaj kryeparlamentarit. Dua të përshëndes gadishmërinë e kryeparlamentarit për të mbështetur këtë iniciativë ligjore në Parlament dhe t’i kërkoj që këtë mbështetje me fjalë, ta kthejë në një veprim të menjëhershëm, duke thirrur që sot konferencën e kryetarëve, duke e futur ligjin që sapo kemi depozituar për shqyrtim këtë të enjte në Parlament. Nuk besoj se ka asnjë alibi për ta vonuar këtë, aq më shumë kur ligje të tjera që kanë pasur kundërshtimin e plotë të grupeve të interesit, siç ka qenë Ligji për Arsimin, janë futur në tejkalim edhe të procedurave parlamentare, në shkelje të Kushtetutës; prandaj kërkoj duke e përshëndetur për qëndrimin që ka pro për hetimin ndërkombëtar, që sot, të mbledhë konferencën e kryetarëve dhe të enjten ligji për hetim ndërkombëtar të aferës së CEZ, të votohet nga Parlamenit duke i hapur rrugë pranisë së prokurorëve dhe ekspertëve ndërkombëtarë në hetimin e aferës më të madhe korruptive në Shqipëri.
Pyetje: Zoti Basha ju po thoni që ta votojmë të enjten dhe kjo sikur varet vetëm nga votat tuaja dhe të LSI. E harroni PS?
Basha: Aspak, por kryetari i LSI që është dhe kryetari i Parlamentit, ka shprehur gadishmërinë dhe ky është momenti që nga shprehja, të kalojë në vepra, dhe të njëjtën gjë, të njëjtën thirrje i bëj dhe Partisë Socialiste dhe kryetarit të saj që është kreu i ekzekutivit, të votojmë bashkarisht sepse edhe ai sigurisht, me siguri do të ketë interes të zbardhet pjesa e tij, në faljen apo ndarjen e 500 milion euro po ti heqim 135 të CEZ-DIA, ku akzuat janë për ortakun e tij. Pra të votjmë ligjin ti hapim dritën jeshile pranisë së prokurorëve dhe ekspertëve ndërkombëtarë në hetimin e aferës më të madhe korruptive në vend.
Pyetje: A e mbështesin amerikanët këtë iniciativë?
Basha: Këto janë pyetje që ju duhet t’ua drejtoni ambasadave apo qeverive mike. Por unë dua t’u them që për luftën kundër korrupsionit, sikundër për dekriminalizimin e politikës shqiptare, ne kemi mbështetjen e plotë dhe të gjithanshme të partnerëve tanë ndërkombëtarë.
Pyetje: Z. Meta ka mbështetur një tjetër çështjen tuaj që është çështja për dekriminalizimin. Ndiheni komodë si Parti Demokratike që LSI, në një farë mënyre, e ka kushtëzuar Partinë Socialiste me votat e saj për këtë çështje?
Basha: Nuk bëj komente se për çfarë kushtëzohen, për çfarë shiten dhe për çfarë blihen ata mes njëri-tjetrit. Axhenda jonë është e shpallur, publike dhe në interes të qytetarëve. Në këtë kuptim, i bëjmë thirrje çdo deputeti të Kuvendit, dhe çdo deputeteje të Kuvendit, të votojë nismat tona ligjore; dekriminalizimin në radhë të parë, hetimin ndërkombëtar të aferës korruptive në CEZ, dhe të respektojë interesin qytetar në reformat e tjera të rëndësishme të vendit siç është reforma në drejtësi, duke u bërë palë me qytetarët për të luftuar korrupsionin por jo palë me dyshen Rama-Meta për të kapur drejtësinë.
Pyetje: Hetimi ndërkombëtar a kërkon 84 vota në Kuvend?
Basha: Teknikalitetet diskutojini me ekipin tim ligjor.
Pyetje: Z.Basha, kreu i Kuvendit është çuditur që ju kërkoni vetëm dorëheqjen e tij dhe jo të kryeministri Rama kur në fakt afera kryesore që ju keni denoncuar është ajo e faljes së borxheve të CEZ?
Basha: Së pari, unë nuk kam kërkuar dorëheqjen e Ilir Metës si kryetar Kuvendi, ndonëse ai është një shkelës serial i Kushtetutës siç e ka konfirmuar edhe Gjykata Kushtetuese, ku parlamenti i drejtuar prej tij, në disa raste ka dhunuar rregulloren dhe Kushtetutën e vendit, ka dhunuar të drejtat e opozitës, për të cilat nuk mund të rrahë gjoksin. Unë e kam kërkuar dhe e kërkoj dorëheqjen e Ilir Metës për akuzat që i janë bërë për kohën që ishte zv-kryeministër dhe Ministër i Jashtëm, si personi që ka lobuar, që qendron prapa kompanisë DIA dhe marrjes së 135 milionë euro të shqiptarëve nga kjo kompani. Dhe këto janë akuza që nuk i kam bërë publike unë, por i kanë bërë publike avokatët e qeverisë, avokatët e ortakut të tij, të cilin nuk ka pse ta kërkojë prapa pemëve në oborrin e selisë së Partisë Demokratike, sepse e ka në krah. E ka poshtë kur e ka në parlament dhe e ka në krah politikisht që prej marrveshjes së 1 Prillit. Pra kjo është e vërteta. Nuk ia kam kërkuar dorëheqjen dhe nuk ia kërkoj si kryetar Kuvendi, por ia kërkoj se është nën një akuzë me dokumente zyrtare të bëra publike nga mediat ndërkombëtare si personi që ka përfituar rryshfet në aferën më të madhe të korrupsionit në Shqipëri. Këto janë fjalët e avokatit të qeverisë shqiptare. Dua të kujtoj këtu se ky është minimumi që mund t’i kërkoj, sepse për një akuzë tjetër shumë më të pakët në shumë, ortaku i tij i sotëm jo vetëm mori dorëheqjen e Ilir Metës, nuk u mjaftua me këtë, por i vuri edhe flakën institucioneve të shtetit.
Pyetje: Por 600 milionëshi është më i madh se 135 milionëshi…
Basha: Por nuk është më pak se 700 mijë euro
Pyetje: Për këtë shqetësohet z.Meta që ju kërkoni vetëm dorëheqjen e tij dhe jo të z.Rama…
Basha: Sepse deri tani akuzat tona të Partisë Demokratike për bashkëndarjen apo për vjedhjen e 500 milionë eurove nga qeveria Rama, nga kryeministri Rama dhe ministri i tij përgjegëjs për marrëveshjen me CEZ, mbeten në rrafshin e akuzave që ne duam ti nënshtrohen një eskpertize të plotë juridike me pjesëmarrjen e prokurorëve dhe eskpertëve ndërkombëtarë. Ndërsa në rastin e Metës akuzat janë publikuar.
Prononcim për mediat i kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, 28 Shtator 2015