Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ngushëlloi sot familjen e Arif Dodes i cili u vetëvra pak ditë më parë për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike nga OSHEE. Siç u shpreh nëna e Arifit, ai mbeti jetim në moshën 5 vjeçare pasi babai i tij vdiq në krye të detyrës gjatë ndërtimit të hidrocentralit në vitin 1975. Zoti Basha vizitoi familjen Doda dhe pa nga afër kushtet e vështira në të cilat jetonte kjo familje. E vetmja e ardhur ishte ndihma ekonomike që merrte i ndjeri Doda për shkak të aftësive të kufizuara por dhe ajo i ishte hequr nga qeveria.

“Arifi përfitonte deri para pak kohësh KEMPin (KMCAP), pra një shumë të hollash si person me aftësi të kufizuara me anë të së cilës mbante familjen. Por edhe kjo mundësi për të mbajtur familjen iu pre në mënyrë arbitrare pa i dhënë asnjë shpjegim dhe asnjë llogari. Pas kësaj, bandat dhe banditët e OSHEE i hoqën edhe dritën me të cilën dy fëmijët e tij lexonin librat e shkollës. Nuk ka nevojë të flas unë, futuni brenda dhe shikoni kushtet e kësaj familje. Duhet të kesh mentalitet kriminal si banditët që vërtitën mbi këto familje të presësh pocat e ndriçimit përkundër dëshirës për të arritur një marrëveshje. Nuk kishin ku ti gjenin dhe hallka më e dobët u këput. Kryefamiljari i mori vetes jetën, duke lënë në mënyrë tragjike dy jetimë”, tha Basha.

Kryetari i Partisë Demokratika theksoi se kjo është një tragjedi që po përjetohet çdo ditë nga mijëra familje shqiptare. Qeveria, tha zoti Basha, nuk po bën asgjë për këto familje në pamundësi ekonomike por po shton çdo ditë mjerimin e tyre.

“Kjo është një tragjedi e përmasave të papërfyturueshme për familjen Doda, por është një tragjedi që jetohet ditë për ditë në dhjetra qindra mijëra familje shqiptare. Çfarë po bën qeveria për t’u ardhur në ndihmë këtyre familjeve? Asgjë, as kompensimin e premtuar për rritjen e çmimit të energjisë, as mundësi për punësim që të ushqejnë fëmijët dhe të paguajnë drita, madje, po ju pret dhe të ardhurat që përfitojnë si persona me aftësi të kufizuar apo si të papunë. Po i shtyn pra drejt dëshpërimit po i shtyn drejt vetëflijimit. Ndaj sot, akuzoj qeverinë e Edi Ramës si vrasëse të shpresës së këtyre mijëra familjeve, si përgjegjëse numër një  për situata e tragjedi si kjo që ka goditur familjen Doda sot e  ka marrë jetën e kryefamiljarit për shkak të 20 apo 30 mijë lekëve këst që nuk kishin ku ti gjenin e dhjetra raste te tjera. Sot derrat e korrupsionit po hapin zarfet e një tenderi 5 milion dollarë, 5 miliard lekë për të rikonstruktuar zyrat e bandës kriminale që quhet OSHEE. Fjalët janë të tepërta dhe dhimbja që sëmbon sot në këtë familje, jam i sigurt është dhimbja e cdo shqiptari  që nuk është kundër ligjit, që nuk është kundër shtetit ligjor, por është kundër dyfytyrësisë, hipokrizisë kriminale që nga njëra anë shtyn qytetarët drejt masave ekstreme dhe nga ana tjetër fryn xhepat dhe kontot e qeveritarëve të korruptuar të këtij vendi. Kjo situatë duhet të marrë fund”, u shpreh Basha.

Ndërsa ka garantuar mbështetjen modeste të Partisë Demokratike për familjen Doda, zoti Basha u ka bërë apel qytetarëve të ndihmojnë këtë familje që të arsimojë femijët e mbetur jetim. Një zgjidhje afatshkurtër pasi zgjidhja e vërtetë, tha Basha, është shteti i së drejtës, shteti që iu shërben qytetarëve dhe jo që pasuron pushtetarët.

“Çështja zgjidhet me një shtet të së drejtës dhe jo me një shtet zuzarësh e kusarësh. Çështje zgjidhet me një shtet që ndien dhimbjen e qytetarëve dhe jo me një shtet që ka humbur çdo lidhje me realitetin siç është shteti i Edi Ramës dhe Ilir Metës. Zgjidhet me një shtet që cdo qindarkë e shpenzon për të luftuar varfërinë që po ulet këmbëkryq me shpejtësi të frikshme anembanë vendit dhe jo duke vjedhur 200 milion dollarë nga tatimet dhe doganat dhe me qindra milionë të tjerë nga OSSHE vetëm në shtatë muajt e parë të këtij viti. Situata është shumë dramatike ndaj kërkon veprim të menjhershëm dhe zgjidhje të jashtëzakonshme. i bëjmë thirrje çdo qytetari cdo shqiptari të ndershëm pavarësisht bindjeve politike, të cohemi dhe të mos e pranojmë kokulur, ne nuk jemi skllevër, jemi njerëz të lirë. Ne nuk mund ta pranojmë kokulur diktaturën e korrupsionit, diktaturën e krimit, diktaturën e varfërisë”,  tha Basha.


 

Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 11 Shtator 2015