Nuk mund dhe nuk do të hetohet dot Saimir Tahiri për akuzat tronditëse ndaj tij, përsa kohë si Ministër i Brendshëm e ndan pushtetin me bandat e drogës.
Nuk mund dhe nuk do të hetohet dot Saimir Tahiri, përsa kohë si Ministër i Brendshëm është në ortakëri me Habilajt e Shullazët.
Nuk mund dhe nuk do të hetohet dot Saimir Tahiri, përsa kohë si Ministër e Brendshëm therret në zyrë Prokurorin e Përgjithshëm dhe autoritete të tjera të hetimit.
Vetëm largimi i tij nga detyra dhe asistenca e ekspertëve të kualifikuar auroatlantikë, sigurojnë kushtet për një hetim të plotë dhe objektiv.
Akuzat janë më të rëndat për një ministër të brendshëm dhe provat e faktet e lidhjes së tij me bandat e trafikut të drogës janë bërë publike.
Mjetet e tij private, makina dhe skafi janë përdorur nga bandat e trafikut të drogës, dhe këta trafikantë kanë imunitet, policia nuk i ndalon, ata lëvizin lirshëm dhe ushtrojnë lirshëm aktivitetin kriminal.
Prova dhe fakte për këto akuza tronditëse, e sërish Tahiri nuk mban përgjegjësi, madje dhe mashtron, si sot në parlament kur tha për avionin tjetër me drogë të nisur nga Shqipëria që u kap në vendin fqinj, se mjeti po lëvizte brenda për brenda Italisë. Por policia italiane e përgenjështroi duke konfirmuar se avioni ishte ngarkuar dhe ishte nisur nga Shqipëria. I diskredituar publikisht, nën akuzë për drejtimin e trafikut të drogës, ai ka guximin të shkojë në Prokurori, për të kërkuar çertifikatë virgjërie. Nuk ka gomone shpëtimi për këtë ministër të zhytur në trafikun e drogës.
Duhet të largohet nga detyra menjëherë, e të bëhet subjekt i drejtësisë.
Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 7 Shtator 2015