Komisioni parlamentar i dekriminalizimit në mbledhjen e sotme vazhdoi diskutimin për ligjin e propozuar nga opozita për dekriminalizimin, sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecias dhe modelit të ligjit Severino.
Nënkryetari Taulant Balla u përpoq të bllokonte punën e komisionit ,duke pretenduar se qeveria ka miratuar një projektligj alternativ dhe nuk mund të kishte kompromis me Partinë Demokratike. Balla theksoi se qëndrimi i mazhorancës është se puna e komisionit ka përfunduar.
Përfaqësuesit e opozitës theksuan se një qëndrim i tillë i mazhorancës për bllokimin dhe mbylljen e komisionit, thyen marrëveshjen e 24 Dhjetorit 2014, e mirëpritur nga ndërkombëtarët, për të miratuar me konsensus ligjin e dekriminalizimit.
Përfaqësuesit e opozitës, duke theksuar tagrin e plotë të komisionit për të shqyrtuar çdo propozim dhe gatishmërinë për të gjetur zgjidhje që përjashtojnë kriminelët nga parlamenti dhe institucionet.
Përfaqësuesi i LSI në Komision, në kundërshtim me qëndrimin e Taulant Ballës, shprehu qëndrimin kundër mbylljes së punës së komisionit dhe, duke shprehur dakordësinë në parim me propozimin e Partisë Demokratike për ligjin e dekriminalizimit, kërkoi të ndiqen procedurat parlamentare.
Kryetari i Komisionit z. Oerd Bylykbashi shprehu qëndrimin se as qeveria dhe askush tjetër nuk mund të marrë tagrin e komisionit të dhënë me vendim të Kuvendit . Ai kërkoi që seanca e radhës të vazhdojë me diskutimin e projektligjit dhe propozimeve të mazhorancës sapo të paraqiten në komision.
Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 16 Shtator 2015