Nga kjo seli, që nga Nëntori i vitit 2013, ne kemi denoncuar emërimet në administratë të personave me të kaluar penale dhe rekorde kriminale. Në të gjitha nivelet e administratës dhe në të gjitha qarqet e Shqipërisë.
Por rasti që po u sjellim sot është i veçantë sepse mban personalisht firmën e Edi Ramës si kryeministër dhe bëhët fjalë jo për një drejtori ujësjellësi, apo drejtori prefekture. Bëhet fjalë për Arkivin Qendror të Shtetit, ku çdo shtet serioz mban memorien kombëtare. Bëhet fjalë për Arkivin Qendror të Shtetit Shqiptar ku janë dokumentet e para qeverisë së Ismail Qemalit por edhe ato pas saj. Aty janë dokumente të vyera ku palët me çështje pronësie dhe të tjera, zgjidhin ose jo problemet e tyre.
Aty Edi Rama ka emëruar një ish-major policie, Gjet Ndojin, i cili në vitin 2000 është përjashtuar nga radhët e Policisë për; mospastrim të radhëve nga të inkriminuarit, përgjegjësi për grabitjen e Bankës, përgjegjësi për vjedhjen e makinave, përgjegjësi për shkelje në zyrën e pasaportave dhe vizave.
Të gjitha këto zullume ky major i ka bërë kur ishte kryesisht si shef i komisariatit të Kukësit dhe për këtë është përjashtuar nga Policia me motivacionin që lexova nga ministri i Brendshëm i asaj kohe, Spartak Poçi.
Pavarësisht kësaj të kaluare, pavarësisht se është kryetar partie, ç’ka e ndalon specifikisht ligji i Arkivave, neni 90 i tij, u shpërblye nga rilindistët si Drejtor i Përgjithshëm Arkivës Qendrore të Shtetit.
Nuk mjafton kjo por janë larguar 51 arkivistë me përvojë për tu zëvëndësuar nga të paktën 7 farefis i afërt i Gjet Ndojit. Këto janë standardet e rilindistëve në pushtet. Këto janë gjërat që ka bërë Edi Rama që normalisht në standardin dhe rregulloren më të ulët të këtij institucioni duhej të ishte konsultuar me SHISH, Policinë dhe DSIK. Ndërkohë, hoqi një personalitet të fushës si znj Nevila Nika.
Prandaj është shumë e rëndësishme që një orë e më parë të miratohet një ligj për dekriminalizimin, jo me dyer dhe dritare që të kalojnë Gjetot e Edit, por në mënyrë strikte dhe rigoroze të miratohet sa më parë nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë.
Deklarata për mediat e deputetit, Genc Pollo, 29 Shtator 2015