Pikërisht në kulmin e debatit për dekriminalizimin, kur mbarë shoqëria e opinioni ndërkombëtar kërkojnë veprim të shpejtë për të shkëputur krimin nga pushteti, Edi Rama ka dërguar në krye të këshillit të qarkut të Kukësit, një person me të shkuar problematike, si Abedin Oruçi.

Personazh i kronikave të zeza, mjafton të fusni në google emrin e tij për të parë sa të pasur e ka CV-në, dhe pikërisht për shkak të aktiviteteve të paaligjshme u shkarkua nga qeveria e mëparshme nga detyra e kryetarit të komunës Kolsh.

Por Abedin Oruçi ushtroi edhe dje dhunë ndaj sekretarit të këshillit të qarkut, e po ashtu, mori me dhunë zyrën e kreut të këshillit të qarkut, pas një mbledhjeje të paligjshme.

Partia Demokratike e dënon këtë inkriminim të zyrës së rëndësishme të kreut të Këshillit të Qarkut të Kukësit, dhe e konsideron si sfidë që Edi Rama po i bën procesit të dekriminalizimit.

Ne i kërkojmë Prokurorisë të hetojë me shpejtësi aktet e dhunës së djeshme të Oruçit, dhe kërkojmë vendosjen e ligjshmërisë në Këshillin e Qarkut.

Çdo vonesë është mbrojtje e krimit, është promovim i krimit.

Qytetarët e Kukësit nuk mund ta pranojnë këtë model të Edi Ramës. Dhe Partia Demokratike bashkë me qytetarët e Kukësit, bashkë me qytetarët e vendit do ta çlirojnë një herë e mirë politikën dhe qeverisjen nga krimi i lidhur me pushtetin.


Deklaratë për shtyp e kreut të Grupit Parlamentar të PD, Edi Paloka, 12 Shtator 2015