Fakte të reja janë publikuar sot për korrupsionin dhe skemën e mashtrimit me miliona euro në CEZ.
Agjensia BIRN ka bërë sot publike dëshminë e plotë të ish drejtorit të CEZ, Hajsek, i cili u ka deklaruar avokatëve të qeverisë shqiptare se DIA, firma e Kastriot Ismailajt, iu imponua kompanisë çeke, nga Ilir Meta.
Drejtori çek ka dëshmuar për lidhjen e fortë të Ismailajt me kryetarin e parlamentit.
Rryshfeti me miliona euro për të cilin akuzohet Ilir Meta shihet nga avokatët e qeverisë shqiptare si provë kyçe në procesin e arbitrazhit që po mbahet në Vjenë.
Ata e konsiderojnë këtë rast si një nga skemat më të mëdha të mashtrimit dhe korrupsionit të vendit tonë.
Pikërisht për këto afera skandaloze, qeveria e kryeministrit Berisha i dërgoi për ndjekje penale Kastriot Ismailajn dhe CEZ-in.
Nga ana tjetër Edi Rama dhe Ilir Meta me ardhjen e tyre në pushtet jo vetëm i falën apo ndanë me CEZ 600 milionë euro borxhe të njohura nga CEZ, por ata me një akt mafioz e të kundraligjshëm nënshkruan për të ndërprerë hetimet dhe ndjekjen penale për aferën e korrupsionit të CEZ me Kastriot Ismailaj.
Ndërsa Petrit Ahmeti, i identifikuar nga Hajsek si negociatori për kontratën e Kastriot Ismailajt ka rilindur dhe sot është kreu i ERE, me propozim të Ilir Metës.
Sipas dëshmisë së publikuar sot Ilir Meta rezulton drejtpërdrejt i përfshirë në këtë skemë korrupsioni me miliona euro, si lobues që kompania DIA e mikut të tij Ismailaj, të përfitonte shumat e mëdha nga kompania CEZ.
Dëshmia e ish drejtorit çek Hajsek është dokument zyrtar i avokatëve të qeverisë Rama në gjyqin e arbitrazhit, dhe ata kanë paraqitur gjithashtu një raport ku shkruhet se paratë që përfitoi me mashtrim Kastriot Ismailaj u përdorën për rryshfete ku përfitoi ish-kryeministri Ilir Meta.
Këto janë faktet e dala në publik.
Ilir Meta është nën akuzë për marrje rryshfeti.
Ai duhet të japë dorëheqjen e të shkojë para drejtësisë.
Partia Demokratike i kërkon Prokurorit të Përgjithshëm të nisë pa vonesë hetimin, për atë që vetë avokatët e qeverisë Rama e cilësojnë si skema më e madhe e mashtrimit dhe e korrupsionit në Shqipëri.
Deklaratë për shtyp e deputetit së PD, Luçiano Boçi, 8 Shtator 2015