I nderuar drejtues i seancës
Të nderuar kolegë deputetë
Në dukje , te qenurit në opozitë nga pikëpamja publike e një politikani shpesh është komode, ai nuk mban përgjegjësi për çka ndodh e për çka bëhet, kostot janë të qeverisë e mazhorancës e ti mund të kritikosh shumë më lehtë, të bësh pa fund retorikë, duke pritur që pushteti të marrë tatëpjetën nga konsumi e mërzitja e njerëzve, pse jo dhe më shpejt, nga revolta e tyre.
Kemi hyrë tashmë në vitin e tretë të qeverisjes Rama-Meta, përpiqem të mos i ndaj, megjithëse shefi i aksioneve me burg e shkatërrim duket që ështe Rama…..po dhe “sehiri” i Metës “me qetësi e dashuri”, kundërshtitë nëpër dhëmbë të LSI-stëve nuk është se njerëzve u shkojnë më për shtat, se “halli i tyre sot ka shku aty ku s’mban më” dhe kurrkush nuk po don t’ja dijë për hallin e fatin aleancës.
Kemi hyrë në vitin e tretë të qeverisjes së një qeverie që disa gjëra i ka prodhuar : aksione …tritol, burg, shkatërrim dhe eksod të heshtur e masiv të qytetarëve shqiptarë rrugëve të botës.
Kemi hyrë në vitin e tretë të një qeverisje që as delli i fasadava dhe as “PR” nuk e nxjerr më në selamet, kudo ka rënë optimizmi, kudo ka nervozizëm, më shumë madje dhe tek këta burrat e gratë përballë jush e mbrapa shpinës time; askush në këtë vend nuk është i qetë dhe i qartë për punën, biznesin dhe te ardhmen e familjes se tij, “kapiteni” siç ndoshta ka dëshirë të duket , ka lëshuar timonin, ndoshta s’ka ditur ta mbajë dot kurrë i vetëm …..e historitë e të fortëve, trafikantëve që i ngjiti deri në këtë sallë dhe gjithë qasja e tij ndaj pushtetit, dhanë e nuk mund të jipnin tjetër veç këtë rezultat e këtë Shqipëri të zymtë që kemi sot.
Po le të kthehemi tek argumenti i ditës së sotme, që lidhet ngushtë me aksionin “terror” anti – evazion që është pasojë e mënyrës si këta të majtët qeverisën këto dy vjet, por dhe e shifrave të realizimit të të ardhurave të 8 mujorit.
Qeveria ka dështuar, e në kushtet e një paafatësie totale dhe të një mungese përgjegjshmërie për të analizuar gjendjen, të gjetjes së përgjegjësive, të ndryshimeve urgjente në drejtoritë e ministritë përgjegjëse, Kryeministri ka vendosur të nxjerrë dajakun, të bëjë xhandarin dhe t’u bjerë sa me fort, duke nxjerre dufin e dështimit ndaj biznesve.
Ju do të thoni kolegë socialistë e lsi-stë që në këtë vend jo për çdo gjë faji është i juaji, sepse për të qenë të ndershëm mes nesh ka problematika që janë mbledhur nga këto 25 vjet, nga njëra anë kemi gjithë vështirësitë e pazotesise për të ngritur një sistem të ekonomisë së tregut dhe nga ana tjetër mëkatet e pushteteve, korrupsionit dhe “pangopjes” së njerëzve të veshur me pushtet e përgjegjësi.
A duhet formalizuar ekonomia?!
Përgjigja sigurisht s’do as mend as kalem që është PO.
Qasja ndryshon në mënyrën se si qeveritë shohim biznesin, si partner (që patjetër reflekton e mbart dhe mëkatet e një shoqërie në tranzicion) apo si kundërshtar apo palë që vec duhet mjelur e goditur.
Ndofta duhet qe sot te kisha bere dhe nje falenderim per koleget e komisionit ekonomise ,per marrjen ne konsiderate te propozimeve qe une bera para 2 javesh ne kete foltore dhe dje ne komision … (ku i jipet e drejta tatimpaguesve qe n.q.se kane mallra te padokumentuara , kane te drejten ti vetedeklarojne deri me 31.12.2015, etj etj, pa penalitet )
por e kam te veshtire ta bej sepse ,
në se kthehemi mbrapsht dhe kërkojmë të kuptojmë çfarë kjo qeveri ka bërë për biznesin….pa pikën e dyshimit konkluzioni është një:
të gjitha masat janë represive, shtrënguese, tipike nga ato të shpjeguara në librat bazikë të ekonomisë që frenojnë zhvillimin, tkurrin biznesin, nuk japin investime, punësim e prosperitet.
Dikush …Ramës duhet t’ia kishte thënë këtë….Meta i pari duhet ta kishte patur këtë guxim!
Rritët tatimin mbi fitimin 50%, atë mbi dividentin po 50 %, taksuat dyfish pronën , rritët ҫdo transaksion mbi pronën, ҫmimi i naftës nuk ka lidhje me bursën, energjinë e rritët, taksuat në mënyrë progresive pagat, ndaluat lejet e ndërtimit dhe ….as nuk gjej dot as nuk di në se ka një masë, po një masë të vetme, një politikë pro biznesit në këto dy vjet !
Natyrisht, jam dakord që biznesi duhet formalizuar dhe rregjistrimi në QKR është një detyrim, përtej të cilit nis dhe partneriteti shtet – biznes.
Ekonomia e tregut dhe sistemi politik demokratik, ngrihen e funksionojnë mbi disa parime, ku ka të drejta, detyrime dhe përgjegjësi reciproke, në se ato shkelen jemi në një sistem, i cili veҫ demokratik nuk mund të ketë emrin më.
Ka biznese që prej 23-24 vitesh punojnë, rriten, zhvillohen e përshtasin menaxhimin e tyre me rregullat e ligjet e qeverisë, janë kontributorë të rëndësishëm të buxhetit….
Por a ka gjëra që duhen qartësuar, rregulluar, po qoftë dhe pastruar në bilancet e tyre?! —
.. sigurisht që ka, siҫ ka gabime që vijnë nga paaftësia, papërgjegjshmëria apo dhe padija e njerzve, qoftë dhe për shkak të ndryshimeve shumë të shpeshta të ligjeve të fiskut, por ka dhe do të ketë në këtë botë dhe njerëz të dobët (mjafton të kujtojmë rastin e Enron-it, gjigandit që shkoi në falimentim nga një drejtor i përgjithshëm, shefi i financës dhe shefi i kompanisë audituese) e kujtova kete për të kujtuar qeverinë që nuk mund të shkojë në një ditë nga gjobat, në sekuestrim malli e deri në ndjekje penale, qëllimi i një qeverie nuk mund të jetë të ndëshkojë e mbyllë biznese, shkurtojë vende pune e ndërtojë burgje, e them kete , sepse në atë pikë duket që ka ardh aksioni.
Qëllimi i qeverisë është të bëjë më të mirë vendin dhe demokracinë në të,,, e demokracinë kush e ka kuptuar veҫ hu e dajak, duhet t’i lëshojë nga mendja e vet, para se t’i ketë bërë më dëm se kaq qytetarëve, ekonomisë po edhe vetes.
Dhe meqenese të gjithë jemi qenie humane e si të tillë jemi dhe të gabueshëm, po shtroj disa pyetje si psh :
ne ne kete salle a kemi marrë ne në ҫdo rast kuponin tatimor apo kërkuar nga shitësit apo biznesi i vogël atë?,
a ka dhe a ka patur kontabilistë, llogaritarë e magazinierë të paaftë e të papërgjegjsjëm në biznese ?
a ka agjentë të shitjes apo shoferë që harrojnë të dorëzojnë apo firmosin tek tregtarët faturat ?
a ka prej tyre që nuk dinë të plotësojnë as faturat me TVSH ?
a ka pronarë të biznesve të vogla tregtare që nuk kanë ruajtur faturat e blerjes së kompiterave e karrikeve ?…..e pyetje të tilla vijnë pa fund, dhe pergjigje pa fund jep dhe secili prej nesh…
Po nuk mund të jetë ajo kurrsesi , përgjigjja e drejtoreshës së madhe të tatimeve që arreston berberin se nuk ka faturën e grosistit të xhelit, sepse prej tij gjen evazionin e grosistit…..
dhe meqenese kjo zonja a zonjusha ka vendos të bëjë shtet, është kuriozitet që publiku të dijë për rrogën tre herë më të madhe që ka marrë tek privati, sa tatime e sigurime ka paguar, e ……në se nuk i ka paguar ……a do të veprojë ligji i Kryeministrit të saj….?
Për këtë të fundit, qytetarët përfshirë dhe unë kemi disa pyetje :
(Per ekspoziten me piktura te kryeministrit )
A është i rregjistruar në QKR, cili është Nr.NIPT-i i biznesit te tij (artit të pikturave) që bën ?,
A ka kasë fiskale, ku i blen mjetet e punes, bojra, penele e nuk di ҫfarë ? a merr kupon tatimor kur blen e kush janë grosistët e tij ? a i deklaron të ardhurat nga shitja e pikturave që lajmet thanë 1500 euro për pikturë ?, a paguan taksa për këtë aktivitet ?
A bëri deklarate për eksport në zyrat doganore për pikturat që ҫoi në Gjermani ?…dhe në se po, të na i tregojë, po në se jo, ҫfarë kanë për të na thënë zonjat drejtoresha të tatimeve e doganave….?
Pergjigja dihet patjetër….. do na tregojnë Maliqin pas ligjit.
Kolegë deputetë
Biznesi duhet formalizuar, por biznesit i duhen dhënë dhe mundësi që të ndrequr gjërat e veta, të gjithë e dimë që edukimi dhe edukimi me procedurat fiskale e ligjore vlen më shumë se sekuestrimi, gjobat dhjetra milionëshe, mbyllja e biznese dhe burgosja,
për më tepër gabon biznesi po gabon jo rradhë dhe administrata tatimore, pa folur për kontrollet apo ndëshkimet selektive.
Prandaj dhe Opozita votoj kunder ne komision , sepse nuk beson qe kerbaci vetem ne drejtim biznesit eshte zgjidhja e problemit ..
Mendoj që ne duhet të krijojmë shance bizneseve, ata nuk janë kundërshtarët tanë, ata janë partnerët tanë, me të mirat e të metat e tyre, mentaliteti për më mirë e për më shumë bashkim duhet të jete mes nesh, kjo bën Shqipërinë më të mirë dhe qytetarët më të përgjegjshëm.
Ju faleminderit
Fjala në Kuvend e deputetit të PD, Igli Cara, 23 Shtator 2015