Të nderuar kolegë

Sot pas një viti rikthehemi të diskutojmë përsëri mbi ligjin për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit të komandimit të Forcave tona të Armatosura.

Në fakt këto ndryshime që keni sjellë sot janë detyrim për t’i pasqyruar në ligj, pas vendimit që Gjykata Kushtetuese mori pikërisht në shqyrtim të kushtetueshmërisë së këtij ligji me kërkesën e Presidentit të Republikës.

Para një viti deputetët e opozitës në komisionin e sigurisë dhe në sallën e kuvendit ju argumentuan për cdo ndryshim qe kemi sot përpara se në mënyrë të dhunshme me forcën e kartonave e të arrogancës së pushtetit po uzurponi kompetencat e Presidentit të Republikës, të shprehura në mënyrë krejt të qartë në Kushtetutë.

Asokohe seç na jepnit ca argumenta që as ju vetë nuk i rendisnit dot logjikisht dhe nuk kishit faj, se nuk ishin argumenta. Vetëm një gjë kishte rëndësi: urdhëri i komandantit suprem ishte që ishin e c’ishin kompetenca mbi forcat e armatosura t’i kalonin atij dhe kjo duhej bërë me patjetër, paçka se ekzekutohet mu në lule të ballit Kushtetuta, asgjë fare nuk është.

Në fakt thelbi i ligjit që miratuat atëherë ishin pikërisht këto nene ku me një egërsi e ngut të paparë i rrëmbyet Presidentit të Republikës me një ligj të drejta dhe kompetenca që ia sanksionon Kushtetuta, në germë e në frymë. Një vend anëtar i NATOS, ku ministri e kryeministri vrapojnë t’i rrëmbejnë kompetencat me lloj lloj marifetesh Presidentit, si te ishin plackë kusarësh për tu ndarë sipas qejfit apo trilleve për pushtet absolut. Turp i madh për qeverinë po sigurisht që nuk e lë pa njollë edhe Shqipërinë përpara partnerëve.

Bërja e ligjeve me vetëdije të plotë, qartazi në shkelje të Kushtetutës, vetëm e vetëm për të kënaqur etjen e një njeriu për pushtet të pakufi,  maninë për të kontrolluar çdokënd, e babëzinë për të futur duart kudo, është kthyer tashmë në tipar dallues të kësaj maxhorance.

E është pikërisht kjo babëzi e kjo arrogancë në raport me qytetarët e me shtetin ligjor që na ka cuar këtu ku jemi. Sot shqiptarët janë  më të varfër se asnjëherë në këto vite e po marrin rrugët e europës me kanë e c’nuk kanë sepse në vendin e tyre të fusin në burg kur je i varfër e s’ke mundësi të paguash, ndërkohë që shumë prej tyre të rraskapitur thonë që edhe në burg do rrimë këtu e në Shqipëri nuk kthehemi më.

Nuk duhet të ketë trishtim më të madh për një politikan e aq më tepër kryeministër të një vendi kur dëgjon popullin e tij të flasë kështu. Dhe i dëgjoi Edi Rama qytetarët e tij. Shkoi e hapi një ekspozitë me ato që i quan piktura mu atje ku prej 2 vjetësh shqiptarët janë dyndur për të kërkuar azil. Fyerje më të madhe për shqiptarët e për kalvarin e tyre nuk ka, po edhe karagjozllëk më të madh për një kryeministër s’mund të ketë.

Ekonomia cdo ditë e më shumë po shkon drejt rrënimit ndërkohë që kryeministri krekoset nëpër gjithfarë forumesh e seminaresh duke u eglendisur me muhabete për kokërr të qejfit dhe më e forta është se këtë e quan reformë, edhe të suksesshme madje.

Në buxhetin e shtetit mungojnë 200 milionë dollarë, kontrabanda e cigares po lulëzon nga miqtë e ortakët e qeverisë, ndërsa rrugëve të Tiranës fëmijë e pleq që shesin cigare me kuti kartoni në dorë për bukën e gojës janë fshehur, se kanë dalë taboret e tatimorëve të Ramës të luftojnë evazionin. Edi Rama ndërton e bën punime edhe në zyrë edhe në sarajet e veta private pa fatura e pa gjë prej gjëje, por ai që shet misra duhet me se s’bën të pajiset me kasë fiskale se do bëjmë shtet.

Habilajt e kushërinjtë e tjerë të qeverisë mbjellin e korrin qindra e mijëra rrënjë kanabis e madje ruhen edhe me njerëz të armatosur, por ata që kanë dalë për të shitur një arkë domate në rrugë të gjejnë vrimë e të futen, se kjo qeveri është e vendosur të bëjë reforma.

Edi Rama e Ilir Meta janë nën akuzë për grabitjen e qindra milionë eurove të shqiptarëve sot në megaaferën e CEZ-it por cmimi i enrgjisë për shqiptarët rritet e sigurisht kush nuk ka mundësi t’i paguajë e dini vetë c’i ndodh. Shyqyr që nuk ekziston më dënimi me vdekje. Ministri i brendshëm është i dyshuar sot për përfshirje të drejtpërdrejtë në trafikun e lëndëve narkotike.

Eshtë e provuar se me makinën e tij kanë lëvizur brenda dhe jashtë kufijve Habilajt e tij të cilët janë të njohur e të survejuar edhe nga policia shqiptare dhe nga policitë partnere si trafikantë ndërkombëtarë po ministri cfarë thotë? E kam shitur makinën thotë, pastaj del që e ka përdorur prapë pastaj del që e kanë përdorur familjarë të tij e që makina figuron akoma në emër të ministrit. Pastaj thotë që e kam shitur po nuk e kam shitur dot me letra se ashtu është një muhabet. E kuptoni se në c’gjendje kemi arritur apo jo ?? Ministri i brendshëm që makinën e tij personale e ka vënë në shërbim të trafikantëve dhe thotë që ku di gjë unë cfarë bëj unë.

Nga kjo foltore e kam dëgjuar shpesh të sulmojë opozitën e të thotë cdo herë se opozita po sulmon policinë e s’po e lë të punojë.

Policinë nuk e lënë të punojë trafikantët që keni emëruar në poste kyce dhe lidhjet kriminale të ministrit të brendshëm. Ne e kemi mbështetur dhe e mbështesim pa asnjë rezervë policinë e shtetit në cdo aspekt të përmbushjes së misionit të saj.

Ne nuk do pajtohemi kurrë ama dhe do denoncojmë me force cdo rast të inkriminimit të policisë duke qenë të bindur se kjo është mbështetja më e mirë për të. Sot, mbështetja më e madhe për policinë e shtetit është largimi i Tahirit nga pozicioni i ministrit të brendshëm. Vetëm kështu oficerët e policisë do të punojnë të qetë pa u merakosur se ata me të cilët po luftojnë duke rrezikuar edhe jetën hanë e pinë me ministrin e bredhin në makinë me të.

Sigurisht që nga Tahiri nuk pres të tregohet kaq i përgjegjshëm sa të japë dorëheqjen, se përgjegjshmëria e tij ka mbaruar ditën që ka pranuar të ndajë makinën me Habilajt. Por pres që Edi Rama të flasë për këtë skandal sa më shpejt sepse në fund të ditës sa më shumë kalon koha aq më shumë rritet përgjegjësia dhe shtohen dyshimet edhe për të.

Një kryeministër normal në marrëdhënie normale me një ministër do i kërkonte dorëheqjen pas përfshirjes në një skandal të tillë përndryshe i bie që është edhe vetë brenda, në një kohë kur kanabisi ka pushtuar cdo cep të Shqipërisë e nga partnerët tanë cdo ditë e më shumë po kapen ngarkesa që nisen nga Shqipëria.

Sigurisht që po pres me kërshëri të madhe edhe prononcimin e kryetarit te kuvendit për përfshirjen e ministrit të brendshëm në këtë skandal të trafikut ndërkombëtar të drogës pasi herë të tjera ka qenë shumë kreativ.

Nuk e di sesi do t’i konsiderojë Meta bëmat e fundit të Tahirit po nuk do cuditesha aspak nëqoftëse ai do t’i quajë një dekoratë tjetër në gjoksin tashmë të shpartalluar të Sajmirit.

Në fund të fundit duke i ngulur të tilla dekorata në gjoks Sajmirit, Iliri largon sadopak vëmendjen nga shpina e tij, e kërrusur së fundmi edhe nga afera e CEZ-it.


Fjala në Kuvend e deputetit të PD, Keltis Kruja, 23 shtator 2015