Të nderuar qytetarë,
“Oksidenti i thotë “Piano” dhe ne “Piano” do ta quajmë”.
E thotë Shazivari në “Koncert në vitin 1936”! Sapo e tha dhe kryeministri, “Shazivarin” keni kryeministër.
“Poshtërim i shqiptarëve me kandidatura kriminale”, e ka thënë një njeri që për mendimin tim është oksidental, Donald Lu, është ambasador i SHBA, por mesa duket nuk e “ka vrarë turkun brenda vetes akoma”.
U bë sot këtu një apologji për krimin, u përpoq të bënte me batuta “Robert Çamçakëzi”, ky që iku, po në fakt thelbin e gjësë nuk mund ta thotë.
Ligji që kanë sjellë ruan parimin, nëqoftëse e vutë re, “i dënuar qoftë dhe me një vendim jo të formës së prerë”, tha zotëria. Domethënë të largojmë ata që “i kanë kapur”, domethënë të largojmë ata “që nuk i kanë letrat në rregull”, siç e ka thënë historikisht.
Thonë që është Ligji “Severino”. …
Po, është pjesërisht ligji Severino, ndërkohë që në variantin tonë Ligji Severino është thjesht një pjesë e vogël sepse ne kalojmë përtej ligjit Severino dhe përdorim disa instrumenta të tjerë, po ashtu ligjorë, ndërkombëtare, për këtë punë, jo të shpikura nga ne.
Ligji Severino ka qenë një ligj për të zgjidhur situatën italiane, në një moment të caktuar në një periudhë të caktuar në luftë kundër mafies. Mirëpo ne, italianëve ia kemi kaluar me kohë dhe ligji Severino nuk bën për ne. Pse? Sepse në Itali ajo që quhet mafia ishte krimi i organizuar që blinte politikanë të cilët mbronin interesat e saj në mënyrë të nëndheshme. Në Shqipëri mafia nuk blen politikanë. Në Shqipëri mafia blen këtë që ishte këtu, blen “Shazivarin” (bën shenjë nga kryeministri), e fut emrin në listë dhe kandidon vetë. Kriminelët janë në Kuvend. Situata është e tejkaluar pra. Nuk krahasohet me Italinë që është simboli i bashkëpunimit të krimit të organizuar më shtetin. Ndryshimi pra është thelbësor. Ne kërkojmë të gjejmë kriminelë, pavarësisht se nëse “i kanë në rregull letrat” apo jo, ç’ka është e mjaftueshme për të. Ne kërkojmë kriminelët, këta kërkojnë kriminelët me letrat jo fort në rregull. Eshtë ndryshim shumë thelbësor midis asaj që ne duam të bëjmë, parimit, është ndryshim parimor me vullnetin politik. Nëse përpiqem ta konkretizoj, është ndryshimi pak a shumë midis Ermonelës dhe Severinos. Severino nuk fshihet pas komisioneve “ad hoc” për të gjetur “të dënuarit”. Jo, kërkon kriminelin. Në kushtet në të cilat ka qenë Italia e gjen kriminelin dhe nuk e lejon të futet, ndërkohë shteti e lufton, përfshi dhe kryeministrin që nuk guxon ta fusë nëpër lista. Ndryshimi midis demagogjisë që u bë këtu megjithë oratorinë fekale të Shazivarit është, përveçse Felaj vs Severino, është sigurisht Shazivari vs Oksidenti.
Ka dy vjet që na thotë oksidenti, i thotë piano, dhe ne Piano le ta quajmë. E kam fjalën për një qemane se nuk e di në ç’sunduk të pluhurosur otoman e ka gjetur dhe vete, e i bie andej- këndej, duke thënë që kjo është piano e shqiptarëve. Dhe kur e pyesin për kriminelët, oksidenti, thotë që i ka zgjedhur populli. Cili popull? Ai populli, atje, ku “lulet i hanë gomerët”, dhe e ka fjalën për ne.
Eshtë e vërtetë që kemi pasur ngut për këtë ligj. Eshtë kauza jonë, është kauza e shoqërisë. Po i përdor të gjitha mënyrat politike për ta finalizuar. Jemi përballur me të gjitha mjetet dhe metodat idioteske e të pafytyra për ta penguar.
Dhe vazhdojme të qendrojmë!
Dorëzuam ligjin me datën 7 Shtator të vitit 2015, që do të mbahet si një nga datat më të zeza të Parlamentit. Dy deputetë të tjerë, tashmë mund të flasim me përqindje, deputetë që kemi analizuar në parlament haptazi, atë ditë i mungonin seancës, njëri erdhi këtu me pranga në duar, i fundmi. Menduam atë ditë se nuk kishte çështje tjetër, nuk do të duhej të kishte çështje tjetër për “Shazivarin tonë oksidental”.
Të fiken dritat, 5% e parlamentit sot është në burg dhe janë të gjithë VIP. Por jo, oksidenti i thotë piano dhe ne piano do ta quajmë. Problemi që atë ditë kishte Shazivari ishte të merrej me luftën kundër informalitetit. Dhe me të madhe doli e tha se kishte kapur berberë,…. u kishte gjetur në duar leshra njerëzish, që i kishin pa kasë. Sepse në perëndim, në oksident nuk guxon njeri të kryejë këtë punë, ndërkohë që kjo tjetra, pret, nuk ka problem. Nxjerrin një kleçkë kushtetuese pastaj një kleçkë proceduriale që në fakt nuk qendrojne as ato, dhe urgjencë nuk kemi. Oksidenti i thotë piano dhe ne Piano do ta quajmë. Kjo është qemanja e Shazivarit.
Dallimi që kemi me vendet e tjera të NATO me luftën kundër korrupsionit, në luftën kundër drogës në betejën tonë për dekriminalizimin, në përpjekjen tonë për të mbajtur ekonominë në këmbë, aq sa për të ngrënë bukë shqiptarët, është dallimi që ka Shazivari me oksidentin. Shkon dhe shet zhgarravina atje më në fund, dhe u këndon këngën “tristo Domenico”, duke ju treguar se ç’popull ka atje, popull që nuk arrin ta kuptojë, popull që nuk arrin të marrë vesh oksidentin.
Popull që nuk arrin ta kuptojë, që nuk e merr vesh oksidentin. Popull që nuk e vlerëson se sa e rëndësishme është që berberi të qethë me kasë, se sa e rëndësishme është që ai fukarai që shet çamçakizin duhet të ketë kasë fiskale. Edhe lypësi duhet të ketë kasë fiskale. Ky jo. Ky shkon të shesë zhgaravina të vendosura rastësisht mbi vendime qeverie që vendosin mbi fatin tuaj. Mirë është të pyesim njëherë nëse vendimin e qeverisë ku ke vendosur se si të thyesh në mes njerëzit që nuk kanë mundësi të paguajnë energjinë elektrike; çfarë pikture ke bërë atje?! Se ndoshta nga ajo, dikush tjetër që ka zanat, Flamur Noka apo Sali Berisha dhe cilido tjetër që është mjek, të gjejnë diagnozën psikiatrike.
Lista aktuale e Parlamentit, të nderuar qytetarë, të jeni të bindur se asnjë prej emrave të nderuar që sot mban mandatin nuk ka të dënuar as në shkallë të parë, as në shkallë të dytë, as në shkallë të tretë.Jo! Janë emra krejtësisht të pastër. Këtë e di zotëria ndaj dhe vjen këtu e thotë që kemi shtrirë efektin e ligjit në të gjitha instancat e institucioneve publike. Eshtë siguruar për këtë punë. Por nuk thotë një gjë tjetër. A kemi këtu mes nesh ne fjala vjen një Dritan Morina, të arrestuar dhe të dënuar ndoshta, në Zvicër apo në Hollandë për shitje droge apo trafik prostitucioni. Në listën e parlamentit zotërin nuk e gjen. Por zotëria është. Po ta thonë diplomatët, që tani iu del si sovranist, ata që nuk e kanë vrarë ndoshta turkun ende brenda vetes, ambasadori amerikan që po thotë se; po poshtëron shqiptarët.
Po thonë se ti je poshtëruesi. Edhe kaq sa ka bërë e ka kaluar shumë limitin e një diplomati në një vend anëtar të NATO-s.
Ligji i zonjës nuk na e zgjidh këtë problem sepse këtë problem na e zgjidhin vetëm shenjat e gishtave. Vetëm ky fakt do të duhej që e gjithë kjo sallë sot këtu të mbyllej dhe të thuhej, stop një minutë. Paskemi një problem sepse personat me identitete të tjera kanë kryer krime, janë kontigjent kriminal dhe sot i kemi deputetë. Dhe veçanërisht në një moment historik, po kryejmë reformën në drejtësi ne. Po gjejmë se çfarë ndodh me prokurorët dhe gjyqtarët. Me prokurorët dhe gjyqtarët po ndodh ajo që ndodhi me gjyqin e Palokës dhe Ristanit. Merren në telefon nga ky (shenjë nga kryeministri) dhe sigurisht që peshorja anon nga ana e hyqmetit. Shazivari e ka dorën e gjatë. Kjo gjen pasqyrim edhe në raportin e OSBE-ODIHR-it, por ky është sovranist, është oksidental. OSBE dhe ODIHR ende nuk e kanë vrarë turkun ende brenda vetes. Do t’i ndihmojmë edhe ata që të gjejnë rrugën e drejtë. Ti bindë Ermonela, “Severinoja” jonë me ligjin që ka paraqitur, që nuk ka për të kapur asnjë gjë. Eshtë përgatitur me shumë kujdes që të mos kapë kriminelin e gabuar. Prandaj u menduan kaq gjatë.
Mori dhe tha pafytyrësisht se ata që ne i paskemi pas akuzuar për kriminelë, dhe që ky refuzon tu japë shenjat e gishtave, sepse në fund të fundit do të nxjerrë se ne jemi shpifësit, kjo nuk ndodh për këta se janë avokatë të të drejtave të njeriut e veçanërisht për këtë çështje, i ka votuar populli dhe falë këtij guximi do thotë prap 1 milionë shuplaka, por këtë radhë, ndryshe nga 2013 e ka thënë fjalë për fjalë OSBE-ODIHR-i në raportin që ka nxjerrë. I vetmi standard ndërkombëtar, oksidental, që ka respektuar Shazivari këtë radhë është se ka lejuar që të mblidhemi lirisht, të themi ato fjalët tona, pastaj votën e ka dhunuar vetë, e ka blerë vetë, me administratë dhe me gjithçka. E thotë OSBE-ODIHR-i dhe më oksidentale se kaq nuk mund të jetë. Ky del dhe i thotë popullit se Shazivari oskidental do t’u japë mend atyre, tu tregojë se çfarë mendje ndriçuesi është në Europë.
Të nderuar qytetarë, të gjithë kur na pyesi se çpo bëjmë, ne po bëjmë betejën që mund bëjmë në Parlament. Po themi të vërtetat. Problem është se haraçin për të gjitha këto, sepse ky nuk pyet për fjalën, e paguani ju. E paguani tek arbitrariteti i tatimorit, oksidental sigurisht sepse e ka vrarë ai turkun brenda vetes. Jo si ambasadori amerikan. E paguani tek arbitrariteti i policit që nuk ndërhyn kur ju vrasin tek dera e komisariatit. Ti e paguan i nderuar qytetar çdo ditë tek sahati i dritave që nuk vijnë të ta vendosin sepse u intereson te ta sjellin afrorfe faturën. Ti e paguan çdo ditë i nderuar qytetar tek mëshira që do të duhej ta jepte si përkrahje sociale, si para invaliditeti, dhe nuk ta jep. Shazivari ynë me zhgaravinat e tij mbi këto vendime që kanë hequr bukën nga goja, tamam si kryeministër i një vendi me shumë halle, shkon vetëm pak kilometra larg atje ku çdo muaj 8 mijë shqiptarë shkojnë për bukën e gojës, dhe nuk merret fare me ata.Pse? Sepse atje lulet i hanë gomerët. Qemanja e tij është pianoja oksidentale që ne duhet të dëgjojmë. Mos e duroni më këtë tallje sepse opozita e vetme nuk mund ta bëjë. Secili prej jush duhet të jetë opozitë. Problei është ky, nuk është mungesa e ligjit.
Ju faleminderit.
Fjala në Kuvend e deputetit së Partisë Demokratike, Gent Strazimiri, 17 Shtator 2015