Prej disa ditësh, të zënë me presh në duar nga avokatët e vetë qeverisë dhe institucioneve ndërkombëtare, segmente të mazhorancës dhe persona në hetim, me dëshpërim po përpiqen të manipulojnë opinionin publik lidhur me thelbin e këtij hetimi dhe se çfare ka ndodhur në të vërtetë.
Për të sqaruar opinionin publik dhe për të denoncuar këto përpjekje të dëshperuara të të implikuarve në këtë çështje, po paraqes faktet dhe dokumentet e mëposhtme;
- Siç është thënë shumë herë, kontrata e privatizimit të CEZ ka qënë e shoqëruar me një garanci bankare të Bankës Botërore prej 60 milionë Euro, e cila mund të tërhiqej nga CEZ në rastet kur ERE nuk kishte marrë vendim në përputhje me kontratën lidhur me borxhin e keq sipas studimit qe do të bënte Deloitte, kompania ndërkombëtare e zgjedhur nga të dy palët.
- ERE në vitin 2011, pas publikimit të raportit nga Deloitte, vendosi çmimin 2.8 lekë duke mos e marrë në konsideratë raportin e Deloitte për nivelin prej 16.85% të borxhit të keq. Pra faturave të papaguara të energjisë elektrike.
- Kjo solli kërkesën e CEZ drejtuar Bankes Boterore dhe Qeverise Shqiptare, per te sekuestruar garancine prej 60 milionë euro në datën 25 nëntor 2011.
- Banka Botërore, në rolin e arbitrit dhe garantuesit të marrëveshjes, pas vlerësimeve të saj teknike, njoftoi institucionet shqiptare dhe CEZ, me letrën e saj të datës 14 Dhjetor 2011, ku qeveritarët e akuzuar nuk janë të interesuar ta nxjerrin. Në këtë letër Banka Botërore shkruan se;
- Qeveria shqiptare për shkak të vendimit të mësipërm të ERE-s rrezikonte humbjen e 60 milionë eurove.
- Ajo mbështeste qeverinë për te gjetur një zgjidhje të drejte dhe të qëndrueshme dhe se për të arritur këtë, ERE duhej të miratonte nivelin e borxhit të keq 16.85% dhe të reflektontë këtë gjë në tarifat përkatëse.
- Kjo zgjidhje konsiderohej nga Banka Boterore si në perputhje me praktikat më të mira dhe në përputhje me interpretimin e saj për deklaratën rregullatore për borxhin e keq.
- Nëse bëhej kjo, kërkesa e CEZ për të sekuestruar garancinë bankare të mbajtur prej saj, nuk do të ekzekutohej.
Ndërkaq, siç pretendohet se ishte ulur çmimi, CEZ kishte rrëzuar me vendim gjykate vendimin e ERE për çmimin prej 2.8 lekësh që lidhej me llogaritjen e borxhit të keq në nivelin 14 % ( jo 16.85 siç thotë audituesi ndërkombëtar Deloitte) dhe për këtë arsye nuk paguante prej muajsh energjinë që merrte nga KESH, duke e çuar në vështirësi financiare.
Letra që përflitet e Ministrisë së Financave që tundin ata që janë të akuzuar me shpresë që të manipulojnë opinionin publik por edhe provat me shpresën se mund të mbulojnë skandalin e CEZ dhe të kompanisë DIA, pa e lexuar në asnjë rast përmbajtjen e saj, kjo letër është përgjigje ndaj nje letre të ERE ku njoftonte insitucionet ashtu edhe Ministrinë e Financave e cila u përfshi në çështje nga dhjetori i vitit 2011 për shkak të garancisë, ku deklraronte masat që ajo mendonte të ndërmerrte pas rekomandimit të Bankës Botërore për të shëndoshur sektorin energjitik shqiptar.
Në këtë letër, nuk ka asnjë kërkesë për ulje çmimi, apo as dhe një opinion se sa duhej të miratohej çmimi, pasi kjo është një e drejte ekskluzive e ERE. Letra mbështet programin e ERE në kushtet që të jetë i bazuar në kuadrin ligjor respektiv, në rekomandimet e Bankës Boterore, në heqjen e rrezikut që vendi kishte në procese gjyqesore vendore dhe ndërkombëtare që do të përfundonte me sekuestrimin e 60 milionë eurove si dhe në funksion të garantimit të furnizimit me energji elektrike të pandërprerë për popullatën pa rritur çmimin për konsumatorët. Pra kjo është letra që tundet nga të akuzurit. Sigurisht që mes institucioneve ka komunikim dhe aq më tepër që isha në rolin e garantuesit të një gjobe që mund ti vihej vendit prej 60 milionë eurosh, kur efekti i çmimit të diskutueshëm ishte 10 milionë euro.
Për ta përmbledhur, Ministria e Financave nuk ka thënë as më shumë dhe as me pak, nga ajo që Banka Botërore i ka thënë qeverisë shqiptare dhe vetë ERE. Aq është e vërtetë kjo, sa ne Vendimin e ERE për të miratuar borxhin e keq, në mënyrë të qartë dhe pa ekuivok thuhet se [citoj] “letra e Ministrisë së Financave ne cilesine e garantorit mbështet propozimin e Bankës Botërore”.
Në përfundim, faktet që ka konstatuar vetë avokati i qeverisë shqiptare, në letrën e tij drejtuar Gjykatës Ndërkombëtare, pasi ka shqyrtuar të gjitha dokumentet ka dalë në konkluzion se në vitin 2012, çmimi i KESH është rritur me 48%, dhe nuk është ulur siç pretendojnë, dhe se kjo siç duket ka sjellë prishjen e pazareve mes DIA dhe atyre që janë të lidhur me të dhe CEZ. Për saktësi ju lutem referoheni paragrafit 1743 në faqen 31 të raportit të vetë konsulentit ndërkombëtar.
Partia Demokratike ka kërkuar dhe kërkon një hetim ndërkombëtar për këtë çështje si dhe dorëheqjen e Ilir Metës për t’i hapur rrugën një hetimi të plotë dhe të drejtë të kësaj çështje. Faktet e fundit për kërcënim deshmitarësh janë përpjekje të pushtetarëve për të mbyllur hetimin e këtij rasti të paprecedentë dhe manipulimi me faktet dhe të vërtetat po ashtu është një devijim nga vëmëndja e publikut lidhur me aferën tepër të rëndë, si në rastin e raportit të DIA-s ashtu si me rastin e zgjidhjes së kontratës së privatizimit të CEZ, ku qindra milionë euro iu falën në mënyrë të paargumentuar, dhe ku u bllokua çdo proces penal të personave të implikuar në çështjen me CEZ. Mbetemi të vendosur për ti hapur rrugën një hetimi ndërkombëtar.
Deklaratë për shtyp e ish ministrit të Financave, Ridvan Bode, 24 Shtator 2015