OSBE-ODIHR publikoi Raportin përfundimtar për zgjedhjet e 21 Qershorit, i cili me plot gojën mund të cilësohet si damka më e zezë që ka marrë një proces zgjedhor në Shqipëri që prej vitit 2003.

3 janë konkluzionet kryesore të Raportit.

E para, se me 21 Qershor, në Shqipëri nuk u mbajtën zgjedhje të lira dhe të ndershme. Togfjalëshi: “zgjedhje të lira e të ndershme” është zhdukur dhe nuk figuron në raport. Kjo, sepse qeveria zhbëri dhe dhunoi standardet themelore të zgjedhjeve, duke shënuar kështu një rrëshqitje mbrapa të demokracisë shqiptare. Standarti më themelor i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, është liria e votës. Dhunimi i lirisë së votës përbën shkelje të këtij standardi themelor dhe kriteri të Kartës së Kopenhages, dokument themelor i të drejtave të njeriut. Raporti konkludon se, pikërisht liria e votuesve për të hedhur votën e tyre, të lirë e pa frikë nga ndëshkimi i qeverisë, u dhunua.

Për këtë, raporti sjell prova të presionit dhe frikësimit të zgjedhësve nga qeveria, detyrimit për të marrë pjesë në aktivitete të qeverisë dhe për të votuar për kandidatët e qeverisë. Raporti nënvizon veçanërisht presionin dhe kontrollin mbi punonjës të administratës nëpërmjet kërcënimit për largimin nga puna dhe thekson frikën e tyre për t’u filmuar nga mediat në aktivitetet e subjekteve joqeveritare. Këtu është edhe konkluzioni i dytë kryesor i raportit: Zhbërja e standarteve themelore të zgjedhjeve si liria e votës, dhe standarteve të tjera, nuk erdhi për shkak të mungesës së legjislacionit, as thjesht prej mungesës së  vullnetit për të organizuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, por për shkak të vullnetit të dyshes Rama-Meta për të mos bërë zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe për të kapur pushtetin me çdo çmim e me çdo mjet.

Konkluzioni i tretë i raportit i referohet dhunimit të një tjetër standardi themelor të zgjedhjeve të lira, po kështu kriter i Kartës së Kopenhagës, që është ndarja e partisë nga shteti, zbulon mekanizmin me anë të të cilit, dyshja Rama-Meta dhunuan zgjedhjet për të kapur me çdo çmim pushtetin. Ky raport sjell prova dhe fakte se me 21 qershor nuk pati garë dhe konkurencë alternativash, por shteti u ndesh me qytetarët dhe me opozitën.

Pra jo garë mes partive, por shteti kundër qytetarëve.

Këto janë tri konkluzionet themelore të këtij raporti, por në çdo faqe dhe rresht  të tij, damka e zezë e zgjedhjeve të 21 Qershorit është e pranishme. Blerja e votës është tashmë e provuar nga ky raport i ODIHR. Eshtë hera e dytë pas 2013 për fat të keq, që blerja e votës shfaqet si problem. Raporti thekson shtrirjen masive të raportimeve për blerjen e votës që nxin standardin e zgjedhjeve, po mbi të gjitha dhunon lirinë e votës dhe dinjitetin e zgjedhësve.

Raporti konstaton votimin në grup dhe votimin për të tretë, që cënon lirinë dhe fshehtësinë e votës dhe të drejtën për të votuar drejtëpërdrejt. Këto janë parime bazë ndërkombëtare dhe kushtetuese. Janë vërejtur sekuenca firmash të hedhura me një dorë, gjë që konfirmon mbushjen e kutive. Këtë e kemi bërë publike dhe transmetuar me pamje, me figurë, si në rastin e qendrës së votimit në Pult, ku komisionerët e qeverisë dhunuan komisionerët e opozitës dhe mbushën kutitë.

Raporti thekson edhe raportimet për marrje të kartave te identitetit, çka pengon zgjedhësit të votojnë. PD ka denoncuar me filmime këtë fenomen, si në rastin e Kamzës, ku kandidati i qeverisë ishte i përfshirë në blerjen e së paku 70 kartave në një rast të vetëm.

Zgjedhësit u intimiduan nga prania e madhe dhe kërcënuese e përfaqësuesve të PS dhe LSI para qendrave te votimit, duke kontrolluar emrat e e zgjedhësve dhe identitetin e tyre.

Raporti nënvizon shkeljen e lirisë për të kandiduar në mënyrë të barabartë, duke theksuar shkeljen e standardit për të drejtën e kandidimit të lirë dhe barazinë e sufrazhit pasiv. Kjo është e paprecedentë që nga zgjedhjet 1997 – 2000.

Në raport  theksohet problematika e kandidaturave me të shkuar kriminale.

Raporti nënvizon numrin e madh të ankesave për dhunë ndaj aktivistëve të opozitës dhe incidente të dhunshme, por nënvizon numrin e pakët të ankesave formale dhe thekson mungesën e besimit se policia e politizuar dhe institucionet të politizuara, do të jepnin zgjidhje efektive për këto shkelje të lirisë së fushatës.

Pra një konstatim i paprecedent në dekadën e fundit, më shume se politizimi i administrates zgjedhore që është semundje e vjetër, është politizimi i institucioneve të tjera të shtetit nga dyshja Rama Meta. Kjo përfshin politizimin e procesit të hartimit të listave me pasoja në saktësinë e tyre, pasiviteti i policisë për të hetuar shkeljet e ligjit dhe presionit të ndaj aktivistëve dhe kandidatëve të opozitës.

Shkelje flagrante e standardit për ndarjen e shtetit nga politika, përmes abuzimit flagrant me burimet shtetërore në favor të kandidatëve qeveritarë. Dhe ajo që rëndon shkeljen është gjetja e raportit se; kjo është kryer nga figurat e larta të qeverisë, përfshirë dy drejtuesit e saj. Kur e shkelin drejtuesit, që nuk është rastësi apo teknikalitet, por është vullnet i hapur negativ në funksion të fitores me çdo kusht.

Kontroll mbi mediat nëpërmjet kontrollit dhe pazarit me interesat ekonomike të pronarëve të mediave. Raporti nënvizon përdorimin e tenderave dhe parave për reklama qeveritare si mjet për kontroll. Kjo ka çuar në ndërhyrje në autonominë editoriale, autocensure dhe kufizim të pluralizmit të qendrimeve mediatike.

Theksohet se partitë e qeverisë blenë më shumë se 80% të kohës së reklamave. Kjo tregon për financat gjigande të përdorura nga qeveria, por të padeklaruara. Vetem kandidati qeveritar për Tiranën harxhoi miliona euro për spote publicitare.

Raporti thekson cenimin dhe dhunimin e lirisë së fjalës nëpërmjet kërcënimit dhe përdorimit të akuzave penale për shpifje dhe fyerje. Raporti i quan këto, cenim të parimeve ndërkombëtare dhe rekomandon që shpifja dhe fyerja të mos jenë më vepër penale, ndryshe nga deklarimet e Kryeministrit. Raporti ilustron këtë shkelje me denimin penal për dy deputetë, figura drejtuese të opozites dhe aktivistes në Gjirokastër. Kur denohen dy deputetë, qytetarët dhe gazetarët nuk kanë asnjë shans.

Raportet e mëparshme kanë theksuar progresin e bërë në lidhje me listat e zgjedhësve. Ky raport, thekson shkeljet dhe mangësitë e qëllimshme veçanërisht në lidhje me regjistrimin e paligjshem përmes transferimit të vendbanimit. ODIHR ka kritika dhe për prokurorinë që nuk ka hetuar me shpejtesi para zgjedhjeve këto shkelje dhe kërkon që këto raste të hetohen në të ardhmen.

Vora është theksuar si rast kompleks i dhunës, presionit dhe intimidimit nga qeveria ndaj kandidatit të opozites dhe zgjedhesve.

Ajo që perkeqëson standardin është njëanshmeri politike e vendimmarrjes së KQZ. Askush nuk ka ekuivok se kjo njëanshmëri ishte kundër dhe në dëm të PD, opozitës dhe koalicionit opozitar dhe çdo subjekti tjetër që nuk ishte në koalicion me qeverinë

Kjo u pa nga standardi i dysfishtë në vendimmarrje në favor të qeverisë dhe zbatimi selektiv i ligjit nga qeveria dhe KQZ. Por në thelb të këtyre konstatimeve, mekanizmi i shkatërrimit dhe dhunimit  të standardeve zgjedhore, është fakti se u pengua një garë reale alternativash, një garë programesh mes partive politike.

Pra jo garë mes partive, por shteti kundër qytetarëve.

Por cili shtet?

Ai që e kemi parë vetë me sytë tanë; shteti i dyshes Rama-Meta që kandidoi zyrtarisht si përfaqësues të saj njerëz të botës së krimit, vrasës, trafikantë droge, prostitucioni, pengmarrës, për kryetarë bashkie dhe këshilltarë, pasi bllokoi marreveshjen për dekriminalizimin dhe injoroi me cinizëm të gjitha perpjekjet e mëdha, që partneret tanë ndërkombëtarë bënë për të ndihmuar që qytetaret  të mos votojne për kriminele.

Dyshja Rama-Meta rekrutoi bandat e i vërsuli me tërbim para zgjedhjeve dhe ditën e zgjedhjeve, me mbështetjen dhe nën mbrojtjen e Policisë.

Dyshja Rama-Meta bleu masivisht votat me paratë e drogës, krimit dhe korrupsionit.

Dyshja Rama-Meta që mbajti peng kartat e identitetit të votuesve.

Dyshja Rama-Meta dha tendera miliarda lekësh për të blerë vota e dorovitur para për klientët përpara zgjedhjeve. Dyshja Rama-Meta që vuri çdo aset publik në dispozicion të kandidatëve të qeverisë, deri tek çertifikatat e pronësisë e dha miliona euro për reklama.

Dyshja Rama-Meta urdhëroi me zë drejtorët të mbushnin kutitë e votimit.

Dyshja Rama-Meta importoi kundra ligjit, votues e i mbushi listat sipas interesave.

Dyshja Rama-Meta vuri në dispozicion si ansjëherë më parë infrastrukturën  shtetërore, policinë madje dhe ushtrinë në funskion të kapjes dhe shkatërrimit të zgjedhjeve.

Dyshja Rama-Meta u soll si bandë, dhe aty ku nuk bënte punë paraja e presioni, fuste bandat e armatosura, duke kërcënuar me jetë qytetarët dhe aktivistët e  përfaqësuesit e opozitës.

Kriminelët më në zë të vendit u rreshtuan në krah të qeverisë në zgjedhjet e 21 Qershorit.

Trafikantët më të njohur të drogës si Elvis Roshi dhe Artur Bushi u kandiduan drejtpërdrejt për kryetar bashkie nga Edi Rama.

Pra ata që duhej të ishte garant në garën mes partive e alternativave, janë një shtet i inkriminuar i ndërsyer me egërsi ndaj qytetarëve, për të marrë me çdo kusht votat, për të fituar me çdo kusht Bashkitë.

Me çdo kusht Bashkitë, për të marrë më shumë pushtet, më shumë korrupsion, më shumë pasuri për vete dhe për bandat.

Ky është refreni i poshtërimit të qytetarëve, i shkatërrimit të zgjedhjeve, i zgjedhjeve fasadë, ku rezultatin u vendos nga kërcënimet, shitblerja masive e votës, mbushja e kutive, dhuna e  pushtetit dhe  bandave kriminale të lidhura me të. Edi Rama dhe Ilir Meta janë sot publikisht nën akuzë se e kanë kthyer vendin pas në ditët më të errëta, pa zgjedhje, pa votë të lirë të sovranit.

Përballë kësaj makinerie të inkriminuar, Partia Demokratike është e vendosur të qëndrojë me çdo forcë e çdo mjet. Ne, bashkë me qytetarët e vendit; e kemi të qartë rrugën tonë;

Pa rikthimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme, nuk ka zhvillim të vendit, vendi nuk do të mund të ecë përpara, ekonomia nuk do të mund të ringrihet.

Beteja për zgjedhjet do të bëhet deri në fund dhe çdokush që ka prekur votën e qytetarit do të mbajë përgjegjësi.


Deklaratë për shtyp e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, 9 Shtator 2015