Partia Demokratike prezantoi sot platformën e saj për reformën në drejtësi. Ekspertët e PD komunikuan përmbledhtazi pikat kryesore në 4 fusha, ndryshimet kushtetuese, lufta ndaj korrupsionit, arsimimi në sistemin e drejtësisë dhe financimi i sistemit.
“Gjatë muajit Gusht ekspertët e propozuar nga opozita kanë sjellë produktin e tyre që e prezantojmë sot para publikut dhe nesër kjo platformë do ti dërgohet Komisionit të reformës në Drejtësi. Platforma përmban rreth 300 rekomandime të cilat janë konkrete e realiste dhe janë mbështetur tërësisht në dokumente të institucioneve ndërkombëtare, sigurisht duke e përshtatur me realitetin në të cilin ndodhet sistemi i drejtësisë në Shqipëri. Ky është impakti konkret që opozita do të japë në komisionin e reformës në Drejtësi, duke kërkuar që reforma të bazohet në dy shtylla kryesore; në atë të luftës ndaj korrupsionit por dhe ruajtjes së pavarësisë. Nëpërmjet këtyre 300 masave konkrete do të mund të realizohen këto dy shtylla; për të luftuar korrupsionin dhe njëkohësisht për të rritur pavarësisë e sistemit të drejtësisë”, tha Eduard Halimi në hyrje të prezantimit, duke ua lënë më pas fjalën ekspertëve, Enkeleid Alibeaj, Ivi Kaso, Bazmend Bardhi dhe Fabian Topallaj.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 21 Shtator 2015