Të nderuar deputetë,
Dua ta nis me një falenderim për Parlamentin Europian dhe në veçanti për komisionin e punëve të jashtme të këtij parlamenti që në shprehje të shqetësimit të madh për zhvillimet dëshpëruese në vendin tonë mbajti një seance dëgjimore jashtëzakonisht të rëndësishme për zgjedhjet vendore të 21 qershorit në Shqipëri.
Shqetësimet, vlerësimet dhe përfundimet e kësaj seance përkojnë plotësisht me shqetësimet dhe vlerësimet e opozitës shqiptare dhe shumë organizatave të shoqërisë civile në vend.
Këto ishin zgjedhje në të cilat, sipas misionit të OSBE/ODHIR, u minua besimi i qytetarëve te vota e lire – vlerësim daramatik, që flet më shumë se dhjetra raporte për goditjen e rëndë që dyshja Rama-Meta i dhanë të drejtës më themelore të njeriut në demokraci: votës së lirë.
Këto ishin zgjedhjet e një mori dhunimesh dhe shkeljesh, por ku spikatën si një vepër e zezë e qeverisë Rama-Meta përdorimi masiv i parave të pista të krimit dhe korrupsionit për blerjen e votës, terrorizimi i pa precedent i zgjedhësve përmes kandidimit dhe angazhimit në shkallë të gjërë të personave me rekorde kriminale dhe grupeve kriminale të lidhura ngushtë me qeverinë, sidomos me Edi Ramën, që i ka afishuar këto grupe si partia e tij brenda Partisë Socialiste.
Për këto dhe shumë arsye, zgjedhjet e 21 qershorit mbetën në klasë, e nuk mund të konsiderohen të lira e të ndershme dhe kjo jo vetëm në vlerësimin tonë, por edhe të europarlamentarëve nga më të përkushtuarit në mbështetje të përparimit dhe integrimit europian të Shqipërisë.
Në këto zgjedhje, siç e theksuan me forcë dhe me hidhërim dy negociatorët e marrëveshjes qeveri-opozitë për dekriminalizimin, eurodeputetët e nderuar Kukan dhe Fleckenstein, jo vetëm nuk u zgjidh, por u rëndua problemi i madh i kandidimit dhe angazhimit të personave me rekorde kriminale nga Edi Rama.
Ashtu si Uashingtoni, edhe Brukseli është skandalizuar me karshillëkun dhe sfidën e hapur që u ka bërë kryeministri i vendit, duke kandiduar në kulmin e thirrjeve për dekriminalizim, njerëz të botës së krimit, duke pozuar e afishuar me qëllim përqafimet, duarshtërngimet dhe kafet e tij me këta individë.
Koha po tregon se këtij kryeministri, ashtu si oligarkëve dhe individëve me rekorde kriminale rreth tij, nuk i intereson as shteti ligjor, as integrimi, as zhvillimi as Uashingtoni dhe Brukseli, të cilët në mënyrë të përëritur i kanë injoruar, poshtëruar dhe nëpërkëmbur duke promovuar e mbrojtur në Kuvend, në pushtetin vendor, në zyrat e rendësishme të shtetit dhe në gjithë kapilarët e shoqërisë; narkotrafikantë, vrasës, dhunues, tutorë të vajzave të trafikuara e të tjerë banditë.
Sa më shumë shkojnë ditët dhe sa më thellë zhyten në zullumet e tyre, Rama dhe Meta mbyllen në realitetin e vogël të interesave të tyre dhe klientelave të tyre për t’u pasuruar për vete, për të mbrojtur e siguruar pasuritë e vëna me korrupsion, kontrabandë, trafiqe.
Sot, më shumë se kurrë, u takon shqiptarëve t’i dalin zot hapjes, që është një nga pasuritë e tyre më të mëdha të epokës së demokracisë; u takon shqiptarëve t’i dalin zot dhe të marrin në dorë fatin e aleancës dhe partneritetit me demokracitë Euro-atlantike.
Rivendosja e zgjedhjeve të lira e të ndershme është një prej tre prioriteteve të shpallura të aksionit tonë politik në pjesën e mbetur të legjislaturës. Eshtë beteja jonë në rendin e ditës.
Fillon me dekriminalizmin, do të vijojë me reflektimin në Kodin Zgjedhor të rekomandimeve të OSBE/ODHIR, do të finalizohet me masa të tjera të vullnetit të mirë dhe garancive politike dhe institucionale për të zhvilluar zgjedhje të lira dhe të ndershme, zgjedhje sipas standarteve europiane.
Ky është kushti për të nisur një histori të re, kushti për të rihapur rrugën e integrimit të vendit në BE.
Dekriminalizimi, si hap i parë, është sot një urgjencë kombëtare. Ne kemi paraqitur në Kuvend projekligjin tonë të konsultuar me komisionin e Venecias. Kemi kërkuar futjen e projektit në kalendarin e Kuvendit dhe vendosjen e një afati për miratimin e tij brenda muajit shtator.
Dëshirojmë miratimin me konsensus të këtij projektligji duke reflektuar në të kontributet e grupeve parlamentare të Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Nuk duam meritat, duam të bëhet ligji, të zbatohet ligji. Dekriminalizimi ka apo duhet të ketë vetëm një kundërshtar: krimin.
Por nga ana tjetër, po ndjekim me vemendje çdo lëvizje apo manovër politike që synon zvarritjen e miratimit të ligjit, tjetërsimin e tij për t’i hequr thelbin, për ta bërë të paefektshëm e të pafuqishëm, pra të pavotueshëm.
Busulla është standardi europian. Shqipëria ka marrë këto ditë nga Uashingtoni dhe Bruskeli një mesazh të fortë për të nxituar. Ne jemi shumë të entuziazmuar nga ky qëndrim i partnerëve tanë. Ndajmë me ta shqetësimin e thellë që përgjatë nëntë muajve që nga koha e nënshkrimit të marrëveshjes, nuk është bërë asnjë hap nga ana e qeverisë.
Përkundrazi, situata është përkeqesuar në zgjedhjet vendore. Dhe vazhdon të përkeqësohet sot e kësaj dite me të tjera emërime të personave me rekorde kriminale, siç ishte vendosja e Orucit në krye të qarkut të Kukësit duke shkelur e dhunuar ligjin, siç është emërimi i inspektorit të ministrit të brendshëm, droga e Zotkës së Poliçanit, këtij individi me rekorde në fshehje pasurie dhe i akuzuar për veprimtari kriminale, e shumë të tjerë që dallgët e pandalshme të transparencës dhe denoncimit qytetar po i nxjerrin e do ti nxjerrin në breg çdo ditë që kalon.
Nga ana tjetër, asnjë pendesë, përkundrazi rrahje shpatullash dhe shkelje syri ndaj atyre personave me rekorde të zeza kriminale që lufta e pandërprerë opozitare dhe presioni i opnionit publik e partnerëve ndërkombëtarë i detyroi të largohen, ose deputetëve banditë që përfunduan në qelitë e paraburgimit pasi gjakosën popullin në komisariat. Asnjë pendesë, asnjë ndjesë. Edi Rama është krenar për përzgjedhjen e Prengës, Ndokës dhe Frrokut me shokë, e po të kthehej në vitin 2013 do të bënte prapë të njejtën gjë.
Nuk do të pranojmë më zvarritje. Edi Rama është sot përpara testit final për të treguar nësë promovimi, emërimi apo zgjedhja e individëve me rekorde të tmerrshme kriminale është vetëm marrëzia e tij, lajthitja e tij e poshtërimit të njerëzve, votuesve dhe institucioneve apo nëse ai është në fakt vetë kumbari ku lidhen fijet e krimit në vend.
Miratimi pa humbur kohë i projektligjit të dekriminalzimit, fillimi menjëherë i zbatimit të tij, pastrimi i Kuvendit, institucioneve dhe pushtetit vendor nga individët me rekorde kriminale e ndan shapin nga sheqeri.
Zonja dhe zotërinj
Latifondistët e drogës të lidhur me qeverinë vazhdojnë të shtojnë hektarët e tyre të krimit, ndërkohë që në harmoni të plotë me ta, në një sinkronizim perfekt Edi Rama shton shfaqjet dhe paradat mediatike për ti mbuluar, për ti mbajtur larg syve të botës.
Që këta baronë të drogës të jenë edhe më të qetë, Edi Rama sulmon opozitën dhe disa media, të vetmet institucione që kanë mbetur sot përballë kanabizimit dhe narkotrafikut me mbështetje qeveritare.
Televizioni News 24 solli fakte, dëshmi, pamje tronditëse se si në Korçë fusha të tëra me drogë mbarështohen, dhe ruhen me forca të armatosura.
Këtë standard të zi solli Edi Rama, këtë industri të krimit ka ngritur në këmbë.
Me siguri, për të, fajin sërish e ka opozita dhe media, por qytetarët e vendit po e shohin vetë se disa rrënjë drogë shkulen për propagandën qeveritare, ndërsa tonelatat janë për biznesin e baronëve të drogës të lidhur me qeverinë, për habilajt e çdo qarku e çdo rajoni që kanë imunitet dhe mbrojtje të dedikuar.
Rekordin e zi që nuk e ka patur asnjë ministër i brendshëm në historinë e shtetit shqiptar e ka vendosur vetë me demek ministri i brendshëm: ka venë makinën e tij në dispozicion të trafikantëve, e ka shndrruar veturën e tij në mjetin me të sigurt e më të paprekshëm të trafiqeve në vend.
Habilajt, kushërinj të Tahirit, të njohur dhe të survejuar nga policia si narkotrafikantë me damkë, kanë hyrë e kanë dalë në kufinjtë dhe doganat e vendit me makinën e ministrit kushëri.
Saimir Tahiri, siç është akuzuar nga oficeri i lartë i antidrogës Zagani i cili sot ndodhet në mbrojtje ndërkombëtare, dhe siç provohet nga gjurmët në sistemin TIMS që janë bërë tashmë publike, është kumbari dhe garanti i nakotrafikantëve kushërinj, të cilëve u ka venë dispozicion makinën e tij për ti bërë të paprekshëm nga policia.
I përballur me të vërtetat e pakundërshtueshme, Tahiri në orët e vona të së enjtes që shkoi deklaroi se makinën me të vërtetë ua kish shitur Habilajve por nuk e kish zbardhur shitjen që gjykata të mos ekzekutonte gjobën për shpifje që i kishin vënë pak më parë. U mundua ta shkëmbente krimin e rëndë për të cilin duhet të hetohet, atë të vendosjes së makinës së tij në dispozicion të trafikantëve kushërinj, me tre krime të tjera. Fshehjen e pasurisë, evazionin fiskal dhe pengimin e ekzekutimit të një vendimi gjyqësor.
Ndërkohë TIMS tregon Tahirin në timon të Audit të tij një vit pas shitjes duke kaluar kufirin. Të njëjtin Audi që prej dy vitesh e përdorin edhe Habilajt për të kaluar kufirin.
Dhe sot u bë publik edhe një fakt tjetër. Siguracioni i veturës që përdorin Habilajt paguhet nga Sajmir Tahiri.
Ky është peshku i qelbur nga koka, siç thotë populli, që nuk mund të qëndrojë asnjë minut në krye të rendit. Në asnjë vend të botës, në asnjë sistem të botës, përveç sistemit të Edi Ramës.
Nëqoftëse Ramës nuk i vjen ta shkarkojë si ministër të lidhur ngushtë me narktrafikun, le ta shkarkojë e tia dorëzojë drejtësisë për fshehjen e pasurisë, evazionin fiskal dhe pengimin e ekzekutimit të një vendimi gjyqësor.
Si mund të kërkosh ti disipinë, kurajo, integritet dhe pastërti nga trupa policore kur vërtetohet njëqind për qind se makinën tendë ua ke lënë trafikantëve.
Si mund të predikosh ti sot kundër evazionit dhe informalitetit, duke burgosur deri berberë dhe ministri yt nuk deklaron dhe nuk paguan çfarë i takon shtetit nga shitjen e makinës së shtrenjtë?
Nëse e ka shitur, sepse gënjeshtrat në këtë histori janë në seri. Duke dashur të verë vetulla, ministri garant i bandave, nxjerr sytë në gjithçka thotë.
Ministri i Brendshëm, që lë pas një krim, me një krim tjetër, një prodhues i pashembullt skandalesh, sa më shumë shton paligjshmërinë, aq më shumë bën krenar Edi Ramën. Eshtë kthyer në turp kombëtar por bëmat e tij kënaqin shefin e tij.
Mund të jetë edhe dikush tjetër i lumtur nga inkriminimi i Tahirit. Ilir Meta mesiguri feston sa herë zbulohen fakte të lidhjes së ministrit të brendshëm me bandat e me drogën, dhe mbahet me shpresë se tahiro-historitë do parakalojnë e do ti bëjnë hije skandalit të akuazave tashmë të ndërkombëtarizuara për rryshfet.
Por iluzionet kanë ikur me gushtin. Faktet janë aty, dhe faktet e provat e korrupsionit e skemës më të madhe të mashtrimit e zhvatjes në vend, siç e quajnë avokatët e qeverisë, do të shqyrtohen, do të vënë para ligjit e përgjegjësisë kryetarin e parlamentit.
Të nderuar deputetë
Sezoni i ri politik në vend startoi me konfirmimin e plotë, në sytë e e çdo shqiptari, të denoncimeve, parashikimeve dhe alarmeve tona në një fushë shumë të ndjeshme për çdo familje, për çdo individ dhe për shoqërinë në tërësi, siç është ekonomia.
Qeveria dhe kryeministri u kanë rënë daulleve të demagogjisë dhe propagandës gjatë gjithë vitit, por ekonomia e tregut nuk e njeh këtë gjuhë, ajo ka ligjësitë e veta. Vjen momenti kur kupa e dështimeve mbushet plot e fillon të derdhet.
FMN dhe vetë Ministria e Financave konfirmuan shifrat marramendëse të evazionit, kontrabandës dhe vjedhjeve në tatime e dogana, të denoncuara prej nesh, jo kur i doli tymi dhe flaka në majë, por në kohë reale, javë për javë, muaj për muaj.
Rreth 200 milion dollarë më pak se plani në tetë muaj, që u mungojnë pensioneve, rrogave, ndihmës eknomike për të pamundurit, dëmshpërblimeve, investimeve, spitaleve, shkollave, e tjerë e tjerë.
Eksponentë të shumicës, tani pranojnë dështimin e politikës së taksave të larta në kohë krize, që kanë rrënuar sipërmarjen e lirë, ekonominë kombëtare dhe atë të familjes.
Vjen pranimi nga e keqja prej vetë qeverisë i një evazioni të shkallës së lartë, por pa e venë dot gishtin mbi plagë te evazorët e mëdhenj pranë saj, rreth saj, nën sqetullat e saj, njësh me të. Apo te evazorët e shumtë të botës së krimit në biznes që sot janë pjesë e qeverisë, vetë qeverisja në të katër anët e vendit.
Sot, dy vjet pasi u nis me bujë e pompozitet të madh, varka e qeverisë fut ujë në të gjitha drejtimet, Rama-Meta e kanë humbur busullën, ekonomia i ka lënë në baltë, ekonomia u nxori bojën. Nuk mund të ndodhte ndryshe. Çdo të mbjellësh do të korresh, thotë populli. Gjendja është shumë e rendë.
Për të mbushur sadopak gropën e madhe prej tashmë rreth 200 milion dollarësh të evazionit, korrupsionit dhe kontrabandës, si dhe për të vazhduar avazin në minaren e propagandës, qeveria ka shpallur të ashtuquajturin aksionin kundër evazionit dhe informalitetit. Si forcë politike, në qeverisje dhe si opozitë ne kemi qenë, jemi dhe do të jemi në anën e ligjit dhe rregullit.
Sot e akuzojmë qeverinë që duke u rënë me hipokrizi burive të ligjit dhe duke predikuar të ashtuquajturat reforma rregullatore, ka lejuar përgjatë dy viteve një nivel kaq të lartë evazioni; e akuzojmë që ka lejuar rikthimin e një evazioni dhe kontrabande gjigandeske si në vitet me të këqija të tranzicionit, në doganat shqiptare.
E akuzojmë për shpërdorim, humbje dhe vjedhje të tashmë rreth 200 milion dollarëve të kontrabandës dhe korrupsionit; i kërkojmë të japë llogari, të mbajë përgjegjësi, të tregojë ku janë këto para, të bëjë atë që duhet të bëjë çdo qeveri me një minimum përgjegjësie për t’i rekuperuar në favor të publikut paratë e humbura, paratë e vjedhura.
Si qenka kështu, puno për xhepin tend dhe të klienteles tënde dy vjet, vidh miliona nga doganat dhe tatimet dy vjet me radhë dhe tani u shkon mendja se ky krim i stërmadh ekonomik mund të mbulohet me zhurmën e aksionit. Evazioni nuk luftohet me fushata, me përzgjedhje, me diferencime, me dhunë, me ekspedita, me mentalitetin e tatimeve të jashtëzakonshme të viteve të para të çlirimit. Asgjë nuk do të arrihet pa goditur evazorët e mëdhenj dhe kontabandistët e mëdhenj të klientelës qeveritare, pa goditur bizneset informale të individëve me rekorde kriminale që e përdorin afërsinë, ortakërinë apo anëtarësinë e re në partitë e Edi Ramës, Saimir Tahirit dhe Ilir Metës për të mbytur konkurencën dhe shmangur detyrimet ndaj shtetit.
Këta i kanë marrë paratë që duhej të kishin përfunduar në arkën e shtetit. Këta, evazorët dhe kontrabandistët e mëdhenj të oborrit qeveritar, të lidhur ngushtë me qeveritarët dhe zyrtarët e korruptuar. Këta janë kupola, këta janë banda, këta janë oligarkia politiko-finaciare që u ka hedhur lakun në fyt shqiptarëve.
Me këto para janë blerë vota, janë prishur zgjedhjet. Qeverinë e genjen mendja se sipërmarrësit e lirë shqiptarë, që mezi ia dalin të mbijetojnë në sistemin e taksave të larta, do të paguajë për të mbushur gropën e hajdutëve me çizme të oligarkisë politiko-financiare në vend. Nuk është e mundur. Nuk ka mundësi.
Mijëra kontrolle të dhunshme, arrogante, me kërbaç e pranga nga taborrët e qeverisë kanë vërshuar në bizneset e vogla, sipërmarrjet familjare që sigurojnë ushqimin e përditshëm me një dyqan.
Një sulm i paprecedentë ndaj të pamundurve, atyre që nuk kanë. Këtë stuhi çnjerëzore që nuk kursen as berberët, por kursen klientelën qeveritare, miqtë e Edi Ramës, bizneset e mëdhaja, e drejton Saimir Tahiri.
E drejton njeriu që rreh gjoksin në publik duke pranuar se në të zezë paska shitur makinën e tij. Del ky pinxho i krimit, ky taksist i drogës dhe thotë se atij po, i lejohet informaliteti. Ndërkohë që u merr shpirtin shqiptarëve për një kupon.
Inkriminimi dhe padrejtësia shoqërore me këtë ka kaluar Rubikonin. Nuk mban më ky vend, revolta po derdhet, dhe shkaktari është kryeqeveritari i standarteve të dyfishta, një për berberët dhe të pamundurit e tjerë e një tjetër për sajmirin dhe habilajt.
E vetmja gjë normale sot në vend, do të ishte mospajtimi i qytetarëve me këtë spirale krimi e paligjshmërie, që ka hedhur në tokë legjitimitetin e qeverisë.
E vetmja gjë normale sot në vend do të ishte një reagim i fortë qytetar. Ora ka ardhur. Mosbindja civile po thirret me forcë, si e vetmja pergjigje e drejtë, nga zullumi e krimi qeveritar.
Paratë e vjedhura të njërit prej oligarkëve janë rëndom sa gjithë tatimi i biznesit të vogël. Operacioni, që anashkalon vjedhësit e vërtetë, shokët dhe miqtë e Ramës, Metës, Tahirit, është një show.
Ndërkaq po përfundojmë paketën tonë të shpëtimit që do ta konsultojmë me operatorët ekonomikë në vend. Synimi i paketës sonë është të sjellë lehtësim, frymëmarrje për sipërmarrjen, rrjedhimisht edhe për punëmarrësit. Sipërmarrja e lirë nuk është lopa, por lokomotiva.
Partia Demokratike do të rivendosë në vend dinjitetin e saj si motorri i pazevendësueshëm i zhvillimit në vend duke ulur taksat, duke pastruar fushën e lojës nga konkurenca e pandershme, duke luftuar kontrabandën, krimin dhe evazionin e klientelës qeveritare që është vrasësi i zhvillimit.
Por edhe sipërmarrja po thotë e duhet të thotë fjalën e saj, të tregojë fuqinë e saj kundër arrogancës se qeverisë, të dalë në rrugë e bashkuar kur sheh se i janë shkelur të drejtat, kur sheh se nuk mund t’ia dalë,kur sheh se po diskriminohet.
Shembulli i sipërmarjes shkodrane është një frymëzim për të gjithë. Dhe një thirrje kushtrimi për demokratët, opozitarët dhe qytetarët e lire, anembanë vendit.
Faleminderit
Fjala e kryetarit të PD, Lulzim Basha, në mbledhjen e Grupit Parlamentar, 10 Shtator 2015