Partia Popullore Europian pranoi si anëtare me të drejta të plota Partinë Demokratike të Shqipërisë. Kryetari i Partisë Demokrike, Lulzim Basha e ka konsideruar këtë vendim si vlerësim nga grupi më i fuqishëm i Bashkimit Europian dhe mbështetje për aksionin opozitar të Partisë Demokratike për kundërvënien ndaj zhbërjes së standardeve demokratike të shtetit ligjor, për luftën pa kompromis kundër inkriminimit të politikës dhe korrupsionit që janë shkaqet kryesore të krizës ekonomike.
“Është një vlerësim nga grupi më i fuqishëm i Bashkimit Europian. Partia Popullore numëron Presidentin e Komisionit Europian, Presidentin e Këshillit Europian, grupin më të madh parlamentar në Parlamenin Europian, numrin më të madh të komisionerëve në Komisionin Europian, pra është një vlerësim nga grupi më i fuqishëm politik i Bashkimit Europian. Prej sot Partia Demokratike është anëtare me të drejta të plota i këtij bashkimi politik, i Partisë Popullore Europiane.
Së dyti, është një mbeshtetje për aksionin opozitar të Partisë Demokratike për kundërvënien ndaj zhbërjes së standardeve demokratike të shtetit ligjor, për luftën pa kompromis kundër inkriminimit të politikës dhe korrupsionit që janë shkaqet kryesore të krizës ekonomike të thellimit të varfërisë dhe papunësisë dhe humbjes së perspektivës për shqiptarët të cilët po largohen masivisht nga vendi pasoja që nuk janë më thjesht dhe brenda vendit por që po ndihen edhe nga vendet anëtare të BE”, tha Basha.
Numri i lartë dhe gjithnjë në rritje i azilkërkuesve nga Shqipëria ka zënë një vend të rëndësishëm në punimet e Asamblesë politike të PPE. Zoti Basha theksoi se shkaqet kryesore të fluksit të azilkërkuesve nga Shqipëria drejt Gjermanisë dhe vendeve të tjera të BE-së janë konsideruar keqqeverisja, inkriminimi i pushtetit, korrupsioni galopant i shtrirë në të gjitha nivelet e qeverisjes.
“Qendrimet e europarlamentarëve dhe zyrtarëve të lartë të BE-së me të cilët kam patur rastin të takohem dhe të bisedoj gjatë qendrimit në Bruksel janë të qarta. Ata identifikojnë si shkaqe kryesore të fluksit të azilkerkuesve nga Shqipëria drejt Gjermanisë dhe vendeve të tjera të BE-së keqqeverisjen e cila përbëhet nga kollona kryesore siç është inkriminimi i pushtetit, korrupsioni galopant i shtrirë në të gjitha nivelet e qeverisjes siç citojnë dhe raportet europiane dhe amerikane dhe papërgjegjshërinë, padrejtesinë dhe arbitraritetin në hapat dhe aksionet e ndërmarra nga qeveria. Përveçse u konstatuan shkaqet e krizës Rama që është keqqeverisja, bashkëqeverisja me krimin dhe korrupsioni, u theksua dhe mungesa e vullnetit për të ndryshuar. Tashmë është fakt që qeverisja Rama-Meta nuk ka zgjidhjen dhe nuk ofron zgjidhje as për problemin e shqiptarëve që po largohen masivisht dhe as për probleme të tjera me të cilat përballet vendi në mënyrë të përditshme. Shqiptarët kanë nevojë për zgjidhje. Ndaj, Partia Demokratike dhe unë jemi plotësisht të angazhuar të japim zgjidhje realiste për të ndalur krizën dhe përkeqësimin e përditshëm dhe për të ofruar një perspektive pozitive, një shpresë të re europiane për shqiptarët dhe për këtë kam marrë mbështetje të plotë në gjirin e Partisë Popullore Europiane”, tha Basha.
I pyetur për reformën në drejtësi, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha theksoi se pavarësisht mungesës së vullnetit të mazhorancës për të bashkëpunuar, Partia Demokratike është e angazhuar të qendrojë fuqimisht e përkushtuar në vlerat e saj për një drejtësi të pakorruptuar për përjashtimin e gjyqtarëve të korruptuar nga sistemi por ama një drejtësi të pakapur. Test fundamental, tha Basha, është dekriminalizimi për të cilën theksoi se PD është e vendosur ta bëjë edhe përkundrejt mungesës së vullnetit të Edi Ramës dhe përkundrejt vullnetit të Ilir Metës. Të premten, tha zoti Basha, PD do të cojë ligjin për dekriminalizimin në Parlament.
“Ne kemi marrë pjesë në komision por në takimin e parë të komisionit, shumica edhe njëherë ka treguar se opozitën nuk e sheh palë për të bashkëpunuar për një gjë të rëndësishme siç është reforma në drejtësi, por si një fasadë për të mbuluar përpjekjet për të kapur edhe njëherë sistemin e drejtësisë, siç kjo qeveri me këtë ngjyrë e kapi në periudhën 2000-2004. Megjithatë ne jemi të angazhuar të qëndrojmë fuqimisht të përkushtuar në vlerat tona për një drejtësi të pakorruptuar, për përjashtimin e gjyqtarëve të korruptuar nga sistemi por ama një drejtësi të pakapur, se turpi i Shqipërisë sot është një Shqipëri e kapur, janë gjyqtarët e kapur që marrin vendime që u diktohen në telefon nga Edi Rama dhe Ilir Meta, dhe nga kjo sigurisht vendi nuk sheh asnjë të mirë, sheh e do të shohë vetëm të këqia. Megjithatë, testi fundamental i reformës në drejtësi dhe i çdo reforme duke përfshirë dhe hapat që duhen hedhur për të rikthyer besimin në zgjedhje të lira dhe të ndërshme, që u plagosën rëndë më 21 Qershor nga dyshja Rama-Meta, është dekriminalizimi. Demokratë, kristiandemokratë dhe socialistë në Parlamentin Europian kërkojnë dekriminalizimin e politikës shqiptare, i gjithë opinioni publik shqiptar, të djathtë, të majte e të pa parti kërkojnë dekriminalizimin e politikës. Opozita e ka këtë një betejë kryesore. Të vetmit që heshtin dhe refuzojnë ta bëjnë këtë janë dyshja Rama-Meta. Pa përfunduar me sukses testin e dekriminalizimit, nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë perspektivë pozitive përpara. Ne jemi të vendosur që dekriminalizimin ta bëjmë edhe përkundrejt mungesës së vullnetit të Edi Ramës dhe përkundrejt vullnetit të Ilir Metës. Do të çojmë këtë të premte ligjin tonë për dekriminalizimin në parlament”, tha Basha.
Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 2 Shtator 2015.