Deputetët demokratë akuzuan sot qeverinë për cenimin që po i bën jetës së shqiptarëve me sjelljen e ndryshimit ligjor të Ligjit “për barnat dhe sherbimin farmceutik”. Në mbledhjen e Komisioni për Punën Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, u theksua se propozimi i sjellë nga Qeveria, kërkon të heqë kriterin e vendosur në ligjin aktual, i cili përcakton se për tregtim autorizohen “barnat e prodhuara ne vendet e Ballkanit vetëm kur kanë marre autorizim për tregtim dhe qarkullojnë në vendin e tyre, si dhe në një nga vendet e BE”. Projektligji i qeverisë heq kriterin “e rregjistrimit ne vendet BE”, duke vënë në rrezik sigurinë e shtetasve shqiptarë dhe për këtë arsye, deputetët demokratë kërkuan shqyrtimin e projektligjit edhe në Komisionin e Sigurisë. Kryetarja e komisionit, deputetja Albana Vokshi tha se ndryshimi i ligjit ka frymë klienteliste dhe rrezikon rëndë cilësinë e sigurisë së medikamenteve që hyjnë në vendin tonë.
“Ndryshimi ligjor duhet të sanksiononte mekanizmat e kontrollit, certifikimit dhe monitorimit, si për medikamentet e prodhuara në vend, ashtu dhe për ato të importuara jashtë vendeve të referimit. Cilësia e medikamenteve në vend, duhet të jetë ajo e vendeve të BE”,tha deputetja Vokshi. Deputetët demokratë theksuan se në kushtet aktuale kur tregu farmaceutik është në konfuzion dhe i cënuar nga monopolet, kur mungojnë kapacitetet kontrolluese të medikamenteve, nuk mund të pranohet ky ndryshim ligjor i propozuar nga Ministria e Shëndetësisë. Nje hap i tillë i njëanshëm do të hiqte dhe një nga barrierat e fundit të sigurise shëndetësore të mbetura ende në fuqi.
Deputetët trajtuan dhe problematikat e shumta të sektorit të shëndetësise, si mungesa e ilaceve, pajisjeve dhe sherbimeve ne spitale dhe qendra shendetesore, si dhe denoncuan abuzimin, korrupsionin dhe klientelizmin.
Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 28 Shtator 2015