Deputetët e Partisë Demokratike mbështetën në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë marrëveshjen mes qeverisë shqiptare dhe KFW Frankfurt AM Main për shumën 24 milionë euro  “Ujësjellësi rural III”. Ky projekt ka nisur që në vitin 2008 duke qënë të vetmet fonde për investime në ujesjellësa në zona rurale ndërsa qeveria nuk ka kryer asnjë investime në këto dy vite.

Opozita theksoi në komision se qeveria nuk sjell kritere për miratimin e projekteve dhe nuk ka asnjë informacion për shpërndarjen e fondeve duke pasur shpërdorim të tyre. Raporti mes kostos dhe përfitimit është shumë i lartë ku në një investim për 75 mijë banorë janë harxuar 40 milionë euro. Investimet lokale sot kanë një ritëm shumë të ulët. Fondi i zhvillimit është krijuar për të mbështetur zonat rurale, ndërkohë që sot fondi përdoret për qendra qytetesh, fasada dhe nuk ka asnjë projekt për zonat periferike, nuk ka investime për rrugë rurale, nuk ka investime për ujësjellësa. Deputetët e opozitës theksuan se qëllimi ka qënë eleminimi i disbalancave ndërmjet qytetit dhe fshatit  ndërsa sot fondet përdoren për palma dhe fasada.

Deputetët e opozitës shtuan se ka një nivel shumë të ulët të disbursimit të kredive të huaja. Me Aktin Normativ u hoqën 100 milionë dollarë investime nga te cilat 28 milionë dollarë ishin destinuar për ujësjellësat. Marrja e kredive me kosto të lartë shpreh paaftësinë e qeverisë për mosmanaxhim të të ardhurave publike.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 15 Shtator 2015