Të nderuar deputetë

Ne ngritëm një komision të përbashkët për një qëllim. Ndaj dhe këto propozime ne nuk kishim pse ti kalonim në Konferencën e Kryetarëve por në komisionin e posaçëm. Ndërkohë ne e kishim propozuar ligjin dhe e kishim deklaruar një gjë të tillë. Propozimet tona janë për të kaluar në komisionin e posaçëm, të diskutohen bashkë me maxhorancën sepse ne nuk e kemi luksin të bëjmë deklarata arrogante si ky zotëria këtu, se nuk pyesim për ju dhe do ta votojmë doni ju apo sdoni ju, duan ndërkombëtarët apo nuk duan ndërkombëtarët. Edhe sikur ne të jemi kaq arrogantë nuk e bëjmë dot një gjë të tillë.
Pra, është absurd të mendosh që ne nuk e duam konsensusin në parlament e madje që ne nuk dashkemi as dekriminalizimin. Flamurin e mori zotëria tani. E harruan se kur filloi kjo histori dhe harruan që kjo opozitë doli nga parlamenti për këtë arsye dhe u desh ndërhyrja e ndërkombëtarëve dhe jo vullneti dhe dëshira e kësaj mazhorance që të nënshkruhej marrëveshja e 24 Dhjetorit. Ishte me 3 pika por më kryesoja e saj ishte dekriminalizimi i këtij parlamenti dhe më pas gjithë administratës shtetërore. Për këtë arsye u ngrit me ligj të posaçëm edhe komisioni me përbërje nga të dyja palët me qëllim që të arrinte në konsensus për të bërë një projektligj që të ndalonte atë që kishte ndodhur deri më sot, që kriminelët hyjnë edhe në Parlament përveç administratës.
U tha këtu që komisioni mbeti pa vlerë se qershori ishte afati i fundit kur realisht komisioni duhet të jepte një produkt që të vinte në parlament që të miratohej ligji. Por çfarë ndodhi?! Ndodhi ajo që po ndodh edhe sot. Ky komision u pengua në çdo moment që të vepronte dhe u gjet çdo arsye e justifikim që komisioni të mos funksiononte. Ne sërish sollëm disa propozime ligjore për këtë çcështje dhe e mbani mend reagimin që ishte i njëjtë. Dolën dhe thanë që ne kemi propozimet tona. Kjo sepse donin të kandidonin Bushin, të kandidonin Roshin. Nuk kishin si ta miratonin një projekligj që do ndalonte kandidimin e tyre. Zotëria pinte kafe me ta për tu treguar të gjithëve e sidomos ndërkombëtarëve që nuk dua ta di për ju. Këta janë të mbrojtur nga unë, dhe sot del si flamurtari këtu dhe kujton se kanë harruar shqiptarët. Po deklaratat që bënte ku thoshte se ne nuk kemi të inkriminuar dhe jemi më të pastërtit?! I plasi në dorë dhe nuk dinte më si t’i kapte.
Ditën që parlamenti miratoi rezolutën, përfaqësuesi kryesor, ai që nënshkroi marrëveshjen doli para mediave dhe u tha që të mos e marrin seriozisht këtë marrëveshje se e bëmë tha që të kthehej opozita në parlament. Nuk do merret njeri seriozisht me këtë çështje tha ai. Kaq seriozë keni qënë, dhe sot thoni se edhe po nuk deshët ju ne do ta bëjmë. Ne nuk i duam kriminelët, i vendosim në krye por nuk i duam. I bëjmë drejtorë por nuk i duam dhe mbi 50 dosje ka denoncuar PD-ja që nga Parlamenti e deri tek ministria e Brendshme. Bëhej fjalë për poste kryesore të njerëzve që meritën e vetme kanë të shkuarën kriminale. Ky është problem dhe nuk janë vendosur gabimisht aty. Nuk është vendosur kontrabandisti gabimisht drejtor Dogane, nuk është vendosur gabimisht trafikanti i drogës si drejtor i antidrogës. Janë vendosur me qëllim sepse janë të tillë. E kam thënë disa herë që për mua personalisht kjo është çështje vullneti politik. E kam bindje personale se edhe nëse e miratojmë, e kam bindje personale këtë, prapë do të ngelet çështje vullneti politik që ky zotëria e ka në krahun e kundërt. Për këtë ndodhin sot të gjitha këto. Po të ishte se donte të bëhëj protagonist e të merrte flamurin le ta marrë atë, nuk ka asnjë problem. Por nuk e ka për atë. Kërkon të na injorojë edhe njëherë ne. Gjithçka po e bën për ta bllokuar që deputetët e tij kriminelë të jenë në listat për deputetë. Kë vendose para një jave si kryetar qarku?! Si mund të presim që ky do bëjë dekriminalizmin.
Sigurisht që ne nuk e bëjmë dot vetëm sepse nuk kemi votat. Për këtë arsye kërkojmë që qoftë edhe sa për sy e faqe, qoftë që ia kërkojnë ndërkombëtarët, të ulet me ne dhe kemi komisionin për këtë qëllim dhe propozimet që ka ti paraqesë nëpërmjet deputetëve. Të mos e poshtërojë edhe njëherë Parlamentin siç e ka bërë rregullisht meqë paska edhe propozim të përafërt siç thotë vetë ai. Të jetë konsensual por nuk i pelqen konsensusi. Ka një pikë që i dhemb shumë, që është testi i drogës. Kjo i dhemb shumë  dhe e ka frikë. Ndaj është gati të bëjë çdo pikë tjetër por atë të mos e miratojë.


Fjala në Kuvend e kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, 17 Dhjetor 2015