Jam sot këtu për ti kërkuar Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës, të nisë një hetim të shpejtë e serioz ndaj Ilir Metës, i cili akuzohet se ka marrë rryshfet nga kompania DIA, kompani që ishte kontraktuar nga CEZ, nën ndikimin e Ilir Metës për mbledhjen e borxheve të energjisë.

Faktet janë tronditëse dhe të publikuara tashmë në media.

Avokatët e huaj të qeverisë shqiptare që po mbrojnë çështjen e OSHEE në arbitrazh, kanë deklaruar se kanë prova që Ilir Meta ka marrë rryshfet nga kompania e mikut të tij, Ismailaj, person që gjendet aktualisht nën arrest për pastrim parash, ndërtim skeme mashtrimi dhe korrupsion.

Kompania DIA e Ismailajt u krijua enkas për këtë biznes, për të mbledhur borxhet e CEZ, sipas Agjensisë së njohur BIRN, me lobimin e drejtpërdrejtë të Ilir Metës, i cili shkoi edhe në Pragë në zyrat qendrore të kompanisë çeke, për të ndikuar në kontraktimin e firmës në fjalë.

Avokatët e qeverisë shqiptare kanë zbuluar se firma e mikut të kryetarit të Kuvendit ka përfituar miliona euro, dhe një pjesë të parave e ndante me Ilir Metën.

Faktet janë publikuar. Dosja është e plotë. Çështja është shumë serioze.

Siç shprehet avokatja e qeverisë shqiptare Clifford Chance, hetimi mund të zbulojë skemën më të madhe të korrupsionit dhe mashtrimit në Shqipëri.

Korrupsioni, marrja e rryshfetit, përvetësimi i miliona eurove është kthyer në normë sjellje e Ilir Metës dhe Edi Ramës, është bërë zakoni i tyre. Por kjo është e papranueshme për ne, është e papranueshme për qytetarët shqiptarë.

Ne nuk do të lejojmë që korrupsioni e rryshfeti të sundojnë vendin.

Ilir Meta ia ka dalë ti shpëtojë drejtësisë më parë, duke ndikuar hetimet, për akuza shumë të rënda, duke i paracaktuar konkluzionet e hetimit me pushtetin e tij.

Ndaj, Partia Demokratike, dhe unë, kërkojmë sot dorëheqjen e menjëhershme të Ilir Metës nga posti i tij, dorëzimin para drejtësisë pa imunitet, pa pushtetin e numrit dy të vendit.

Largimi i tij nga detyra është një parakusht që çështja të zbardhet e plotë.

Të shkojë para drejtësisë e të japë llogari për akuzat, si qytetar i thjeshtë.

Barazia para ligjit do të arrihet me çdo çmim. Drejtësia do të vendoset me çdo mjet. Nëse Ilir Meta e ortaku i tij Edi Rama do tentojnë sërish manipulimin, do të përballen me forcën e qytetarëve të bashkuar.


Deklaratë për mediat e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, 3 Shtator 2015.