Zonja deputete, zotërinj deputetë, zonja kryesuese e seancës, te dashur qytetarë dhe qytetare që ndiqni këtë seancë,

Duke mbështetur fuqimisht çdo përpjekje për zbatimin e ligjit, dënoj me ashpërsinë më të madhe fushatën banditeske të ndërmarrë ndaj bizneseve, e cila po mbyll cdo ditë me dhjetëra e qindra biznese, e cila bazohet ne diferencimin klasor dhe kjo nuk është fushatë formalizimi por është fushatë diferencimi që më rikujton terroret e pushtuesve mbi popullatat shqiptare jashtë Shqipërisë. Nuk është fushatë formalizimi kjo, që atij me një qemane i kërkon të presë faturën kurse tjetrit që bën dhjetëra milionë xhiro në ditë funksionon krejt pa faturë sepse rri në krah të pushtetit dhe të kryeministrit. Nuk është fushatë, por kjo është një taksë e jashtëzakonshme në shembullin e etërve tuaj, nuk është fushatë por ashtu siç vutë gjobën elektronike gjoja rastësisht, ai është program dhe nuk është rastësi, bëtë gjithshka që tu merrni një gjobë ekstra mbi 90% bizneseve. Dje tani që u kap si hajduti me presh në duar, thoni që ishte gabim programi. Këto qëndrime armiqësore ndaj biznesit, këto qëndrime klasiste ndaj biznesit kanë pasoja katastrofale për ekonominë shqiptare.

Por unë jam sot këtu për të denoncuar faktin se, Shqipëria, në asnjë qelizë të saj, në asnjë skaj të saj, në asnjë vend nuk qeveriset dhe nuk udhëhiqet më nga ligji. Shqipëria sundohet kryekëput dhe tërësisht nga banditizmi. Një aferë e madhe, më e madhja, e kam thënë edhe këtu para dy seancave në mos gaboj, më e madhja në historinë 23 vjeçare të Shqipërisë, ajo e korrupsionit të CEZ-it, ka shpërthyer. Aferë e tmerrshme, me të cilën kjo mazhorancë gjobiti çdo shqiptar me marrëveshjen që firmosi me CEZ-in, 1200 euro për çdo shqiptar. Një marrëveshje e cila shkel çdo parim të mbrojtjes së interesit kombëtar, një marrëveshje e cila është denoncuar nga avoketërit më të mëdhenj të Europës, si marrëveshje korruptive. Një marrëveshje e cila bëri që, llogari me fatura prej 800 milionë euro ti falen CEZ-it kundër 200 milionë euro që i kishin borxh atij institucionet shqiptare, pra nga 1 miliardë, 200 milionë kishin borxh ndaj CEZ-it, 800 milionë kishte borxh CEZ-i ndaj qeverisë shqiptare, autoriteteve shqiptare, doganave shqiptare, sipërmarrjeve shqiptare, tatimeve shqiptare, dhe një marrëveshje në kulisa në mungesë të plotë transparence të cilën e firmosët me një klauzolë, e cila nuk ka ligj në botë që ta ketë dhe ta përmbajë, me një klauzolë kryekëput anti-shqiptare, kryekëput anti-kushtetuese, klauzolë e cila nxjerr jashtë dhe i jep imunitet absolut çdo lloj krimi të shëmtuar që është kryer me këtë marrëveshje, të gjithë atyre që e firmosën dhe të gjithë atyre që e hartuan këtë marrëveshje. Ne këtë çështje e kemi ngritur me dhjetëra herë, ne prapë e ngremë dhe do ta ngremë. Nuk lodhemi kurrë së mbrojturi interesin kombëtar, interesin individual të shqiptarëve, interesin publik të tyre.

Cfarë ka ndodhur? Dy javë më parë mediat botuan seancën e arbitrazhit në Vjenë, seancë në të cilën, kompania e avokatisë, që është gjigandi i botës, Clifford&Chance, dhe pse u mor ajo nëse doni ta dini. Ajo u mor sepse edhe CEZ ishte gjigandi i Europës, ishte një nga pesë gjigandët e Europës në energji, por ne kontraktuam kompaninë më të fuqishme në mënyrë që të përballej në mënyrën më të sigurtë me CEZ-in dhe dëmin e tmerrshëm që i krijoi ekonomisë shqiptare. Refuzuam në mënyrë kategorike zgjidhjen me negociata dhe kërkuam zgjidhje me arbitrazh një një kohë kur avoketër të famshëm na garantuan se çështja jonë do fitohej, se është e fitueshme. U gris çdo gjë dhe në kulisa, duke shkëmbyer shuma marramëndëse, u kalua marrëveshja që firmosi Parlamenti. Po në këtë seancë arbitrazhi, çfarë del? Del se njëra nga kompanitë e kontraktuara nga CEZ për të vjelë borxhin, sillte dhe ndante me CEZ-in paret e borxhit. Kjo ishte njëra, që doli due, të tjerat janë gjashtë ose shtatë, të dërguara në prokurori që të gjitha gjatë periudhës së qeverisjes së mëparshme. Të gjitha, të vërtetuara disa prej tyre për larje parash shumash marramëndëse, për vjedhje parash. Clifford & Chance deklaron aty se ka patur korrupsion, një pjesë e parave ka kaluar për zyrtarë të lartë të ERE-s dhe një pjesë, sigurisht më e madhe, për një ish kryeministër i përfshirë më parë në afera.., nuk përmënd emra por emrat dihen. Cfarë del tjetër? Tjetër del se, ish drejtori i parë i CEZ në Shqipëri, Hasi, deklaron se “ministri i jashtëm i Shqipërisë Ilir Meta ka ardhur në prag dhe ka negociuar me mua për Kastriot Ismailaj”. Të gjitha këto kërkojnë hetim në mënyrën më serioze. I kërkuam hetim Ilir Metës. Nuk themi asgjë, i besojmë hetimit që duhet të bëhet. Dhe çfarë ndodhi?! Edi Rama e kapi menjëherë, pasi i kishte nxjerrë vetë të gjitha këto, pasi ja kishte dhënë Clifford & Chance të gjitha të dhënat, përfshirë edhe dëshminë, edhe investigimin e agjensive të lëvizjes së transaksioneve, dhe thotë “tani jemi 1 me 1, unë kam firmosur marrëveshjen, ti je i përzierë me DIA-n, tani të sulmojmë Berishën”. Cka ndodh ndërkohë? Dëshmitari më i çmuar i mbrojtur nga drejtësia, që vetëm në shtetin e bandave mund të bëhet kjo dhe kurrë në një shtet nuk ndodh, të cilit s’mund ti shkojë njëri, as dhe Presidenti Republikës, as dhe Kryeministri i vendit, as dhe Kryetari i Parlamentit, as dhe ministri i brendshëm, asnjëri, atij mund ti shkojë në përputhje me proçedurën vetëm Prokurori i çështjeve, por edhe ai jo vetëm. Vendndodhjen e tij nuk mund ta di kurrë asnjënjeri, as ministri, as kryeministri, as presidenti, sekretet e drejtësisë nuk janë sekrete të administratës publike, ai (dëshmitari) pra ka garanci të plotë. Dhe cka ndodh? Atij i dërgohet xhelati. Kush ishte xhelati? Kësaj here nuk ishte Tahiri që iu dërgua Bamit, s’ishte Sajmir Shullazi. Jo! Kësaj here u zgjodh një jurist, që i çoi mesazhin e kokës, kërcënimit me jetë që të tërhiqet, një njëriu që ka vënë veten, ka vënë gjithë qënien e tij, jetën e tij, familjen e tij në funksion të interesit publik i dërgohet një xhelat në banesën ku është për ti thënë “qepe se përndryshe të likuidojmë”. Ky nuk është shtet, ky është antishtet, ky është shteti bandave. Të njëjtën gjë i bëtë ju njëriut për të cilin njoftuat shqiptarët se ka vrarë 27 vetë me tritole, ai ju denoncoi. Të njëjtën gjë i bëtë dëshmitarit të Bandës së Lushnjes që denoncoi Aldo Baren, të njëtën gjë pra i bëtë edhe këtij. Të njëjtën gjë edhe punonjësit të DIA-s, i cili mori përsipër të zbërthejë krimin e kryer nga kjo kompani.

Atëherë çfarë mbetet këtu për këtë?!

Dhe përsëri, këtë aferë kriminale, Edi Rama e përdor tërësisht për luftë të brendshme në mazhorancë. A doni t’ju them një të dhënë të fundit? “I miri i gjyshes”, i cili është një analist që njëlloj si Edi ka kultin e gjyshes, u thirr dje dy orë nga Rama, i cili kishte vetëm një detyrë, të thoshte që “fajin e ka Berisha dhe Meta”,  kaq kishte për detyrë ai, të përsëriste si papagall që këta të dy janë të përfshirë dhe kaq. Pra, u bashkuan tek gjyshet, që janë antipod të njëra tjetrës, për të thënë që Rama s’ka punë këtu por e kanë këta.

Ky shtet ka marrë fund! Ky shtet që sillet kështu me dëshmitarë të mbrojtur s’mund të ketë drejtësi, s’mund të ketë gjykime, s’mund të ketë hetime. Një shtet që sillet në këtë mënyrë është i dominuar nga bandat.

Ndaj dhe unë kërkoj këtu, duke mbështetur plotësisht kërkesën e mëparshme për dorëheqjen për hetim të zotit Meta, unë kërkoj hetim ndërkombëtar për çështjen e CEZ-it. Unë mendoj se dueht të ulemi qetë, ta marrim pa pasion. Pjesa dërrmuese e juaja ska asnjë lidhje me atë çështje. Hetimi i asaj çështje është interesi më jetik i atyre që kanë votuar për ju, hetimi nuk vjen tek ju, është një grup drejtuesish kryesorë të vendit që do hetohen dhe që unë e konsideroj jetike hetimin. Atëherë, bëhuni një herë më në fund të lidhur me zgjedhësit tuaj, vini një herë në jetën tuaj të parat interesat e zgjedhësve tuaj dhe jo të Edi Ramës, jo pushtetit të tij dhe hajnave të tij. Urdhëroni, keni eksperiencë me hetimet ndërkombëtare dhe hetimi ndërkombëtar në atë rast dha një përgjigje. Jo më të plotën por ama e dha një përgjigje, s’mund të thotë kush se nuk e dha. Atëherë urdhëroni, të ndërmarrim një hetim ndërkombëtar, nuk ka çështje më të tmerrshme se kjo, nuk ka gjë më të dhimbshme. Këto ditë po lexoja se KESH është 250 mln dollarë minus, që të gjitha vjedhje të CEZ, që të gjitha fatura të CEZ-it, të gjitha. Por CEZ-it ja mbylli Edi Rama.  Po sa borxh i ka OST-s, sa i ka Tatimeve, sa i ka Doganave?  Ja u mbylli Edi Rama! Sa i ka të gjithave së bashku? 1 miliardë dollarë sipas kompanive ndërkombëtare më serioze, 200 milion i kemi ne CEZ-it, me fatura. Ju falën 800 mln. Nuk ka fatkeqësi më të madhe në botë se sa avokati atyre që nuk mbrojnë dot veten por ja mbathin. E kam konstatuar, ky është robotik, ky është avokati robotik. Ndaj dhe të miratojmë një ligj, të thërrasim hetimin ndërkombëtar, i cili ti hetojë të gjitha pa asnjë kufizim. Unë ju siguroj ju se çdo qytetar shqiptar do të fitojë në xhepin e tij, personalisht, 1200 euro më së paku. Ju siguroj se, jo që nuk do rritet çmimi energjisë, por çmimi do ulet dhe jo nga 2 mijë leke por nga niveli nga i cili u rrit çmimi energjisë dhe ju siguroj se pa hetimin ndërkombëtar, paqja dhe stabiliteti në këtë vend nuk do vendoset.


Fjala në Kuvend e ish kryeministrit Sali Berisha, 23 Shtator 2015