Saimir Tahiri ka pranuar dje se makina e trafikut të drogës, taksia me imunitet, AA003GB, është pronë e tij dhe përdoret herë nga ai, herë nga kushërinjtë e tij habilaj.

Pra ai e ndan makinën, si ministër i brendshëm që është, me një grup kriminal, të njohur mirë nga policia, të mbajtur nga policia nën vëzhgim, si trafikantët më të rrezikshëm të drogës në Jug.

Duke nxjerrë alibi të reja, sa herë del në televizion ka një variant të ndryshëm për implikimin e tij, Tahiri mbrëmë u mundua të mbrohej duke thënë se habilajt i paska kushërinj të largët. Po, aq të largët, sa u lë makinën personale që ata të mos ndalohen nga policia e të kalojnë edhe në pikat e kalimit kufitar, dhe kur ata të mos kenë punë, makinën e drogës e merr sërish Saimiri.

Makina përdoret për trafik dhe këtë e kanë konstatuar në punën e tyre vëzhguese oficerët e anti-drogës. Dhe për tiu dhënë edhe më shumë garanci e imunitet, vetë Saimir Tahiri, ministër i brendshëm shfaqet në timonin e kësaj makine, për t’iu treguar edhe një herë policisë e strukturave të zbatimit të ligjit se në fakt është ai pronar, drejtues i linjës AA003GB. U tregon policëve e strukturave të tjera që të rrinë larg kësaj makine, larg këtij grupimi kriminal, larg bandës së tij të drogës.

Skandali i Tahirit po zmadhohet çdo ditë me alibitë që ai prodhon, dhe çdo variant që nxjerr është një krim i ri. Deri mbrëmë, ai mbrohej duke thënë se ka shitur makinën në të zezë, ka fshehur pasurinë. Pra ka bërë një krim më të lehtë se sa përfshirja direkte në trafikun e drogës. Por mbrëmë e pranoi vetë se e ka përdorur sërish narko-taksinë, AA003GB, edhe pse e paska shitur, duke u vetëdenoncuar si i implikuar në trafikun kriminal.

Nuk ka më asnjë shteg shpëtimi për Saimir Tahirin.

Duhet të largohet nga zyra e nga detyra që mban, që prokuroria të bëjë hetim të plotë e të pandikuar.


Deklaratë për shtyp e kreut të Departamentit të Rendit dhe Sigurisë, Enkelejd Alibeaj, 25 Shtator 2015