Operacioni i Partisë për spastrime nga puna dhe krijimin e vendeve për militantët ka nisur edhe në Jug, nën drejtimin e komisarit Kokëdhima.
Pasi mori gjithë zonën e Jugut nën zotërim me dekret të posaçëm nga Edi Rama, puna e parë e Koços ka qënë kalimi në sitë i administratës, identifikimi i çdokujt që mund të ketë biografi jo të mirë.
Ja ku është shkresa që zyra e Kokëdhimës ka shpërndarë për gjithë institucionet, ku i kërkohet me urgjensë të plotësohen formularët për cdo punonjës të administratës.
Plani i partisë ka nisur të zbatohet, dhe një furtunë shkarkimesh priten në gjithë zonën që ka nën komandë Kokëdhima.
“Konsiderojeni prioritet”, thotë urdhëri i Kocos, dhe për ata që kanë deri në 20 punonjës u jep afat 1 ditë, për ata që kanë nga 20 deri në 50 punonjës u jep afat 2 ditë, për ata që kanë 50 deri në 100 punonjës u jep 3 ditë, dhe 5 ditë kohë kanë ata që kanë mbi 100 punonjës.
Ky është një akt skandaloz i shkatërrimit të administratës, i konsiderimit të institucioneve publike si pronë e partisë.
Eshtë një kthim mbrapa dhe minim i një prej prioriteteve kyçe në rrugën e integrimit europian.
Aq më tepër kur i gjithë Jugu i besohet një personi si Koço, e kritereve të tij, një deputet i spikatur në emërimet kriminale që ka bërë deri tani, një frymëzues i mbjelljes së hashashit, një shkelës i përsëritur i ligjit dhe i Kushtetutës.
Ne i kërkojmë Prokurorisë të nisë menjëherë hetimin për këtë shkelje të rëndë dhe të informojë opinionin publik mbi ecurinë e procesit.
Partia Demokratike do të vërë në dijeni partnerët ndërkombëtarë, Ambasadën e Shteteve të Bashkuara dhe ambasadat e vendeve të Bashkimit Europian për këtë akt skandaloz të shkatërrimit të administratës.
Partia Demokratike do të përdorë çdo mjet për të mbrojtur administratën dhe nëpunësit dhe ne i ftojmë qytetarët të denoncojnë çdo rast të shkarkimit të padrejtë nga detyra.
Ky është fundi i një pushteti të inkriminuar, dhe shumë shpejt administrata do të çlirohet nga ky sundim, punonjësit do të kenë garancitë që meritojnë.
Deklarata për shtyp e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike, Arben Ristani, 27 Shtator 2015