Pas denoncimit që kryetari i opozitës Lulzim Basha i bëri një aferë të dyshimtë të një kompanie pranë qeverisë, Info-telekom, që ka arritur të 100 fishojë xhiron vjetore në vit, duke shkuar në 145 milionë euro, gazetarët e Opinion, janë thelluar dhe më tej duke zbuluar hije të tjera të këtij biznesi.
Për këtë arsye, njerëzit e përfshirë në këtë biznes, klientë të qeverisë, kanë kërcënuar sot në mënyrë kriminale gazetaret e Opinion.
Kjo është klima që ka krijuar në vend Edi Rama, i cili mbetet frymëzuesi i kërcënimeve e shantazheve që i bëhen medias sa herë që publikohen skandalet e tij dhe të ministrave të tij.
Partia Demokratike e dënon me ashpërsinë më të madhe këtë sulm ndaj medias, ndaj fjalës së lirë.
Ne i bëjmë thirrje prokurorisë të nisë hetimin për kërcënimin që i është bërë gazetarëve, për këtë akt të rëndë ndaj lirisë së shprehjes.
Partia Demokratike dhe qytetarët janë në krah të medias së lirë dhe ne e inkurajojmë atë në misionin fisnik të hetimit të korrupsionit dhe garantimit të transparencës.
Kërcënimet e shantazhet ndaj medias, janë aktet e një kryeministri të rrëzuar që është kapur me forcë pas karrikes, janë reagimet e një qeverie të zhytur në hajdutëri e krim.
Deklarata për mediat e deputetit Luçiano Boçi, 31 Tetor 2015