Të nderuar kolegë deputetë

Partia Demokratike dhe opozita ka kërkuar një hetim ndërkombëtar, si e vetmja zgjidhje që mund të arrijë në një hetim të plotë, të gjithanshëm, të besueshëm, për aq kohë sa këto ditë i gjithë sistemi i drejtësisë është vendosur nën gijotinë si dhe Prokurori i Përgjithshëm është kërcënuar me amendamentet kushtetuese për ndërprerjen e mandatit të tij. Në këtë çështje janë përfshirë drejtpërdrejtë zyrtarët më të lartë të vendit dhe është e pamundur që një hetim vendas të bëhet jashtë një ndikimi politik të këtyre zyrtarëve më të lartë të vendit. Partia Demokratike ka kërkuar që ky projekligj i depozituar prej saj të miratohet me procedurë të përshpejtuar. Patëm debate të gjata në konferencën e kryetarëve dhe së fundmi konferenca e kryetarëve e rrëzoi kërkesën e Partisë Demokratike për shqyrtimin e ligjit me procedurë të përshpejtuar.

Në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, dua të bëj të qartë për qytetarët shqiptarë se çështja për të cilën kërkohet një hetim i plotë ndërkombëtar i shpejtë, efikas, gjithëpërfshirës dhe i gjithanshëm, është një çështje jashtëzakonisht e rëndësishme dhe në interes të gjithë qytetarëve shqiptarë. Ashtu siç të gjithë e dinë, në vitin 2009 qeveria shqiptare miratoi kontratën e shitjes së OSSH-së dhe po ashtu janë fakte të njohura botërisht se CEZ nuk zbatoi asnjë nga kushtet me shtetin shqiptar duke shkaktuar dëme të pariparueshme të sistemit të energjisë elektrike. Në këto kushte, në tetor të vitit 2012 Banka Botërore këshilloi shtetin shqiptar të ndërmerrte masa për heqjen e licensës së CEZ dhe orientoi qeverinë që të kontaktonte dhe të thërriste në garë disa kompani të specializuara ligjore në fushën e arbitrazhit të investimeve. Për këta arsye, më 5 nëntor 2012 nga ministria e Drejtësisë u shpallën fituese në një garë dy kompani. Në nëtor 2012, pas dështimit të negociatave me CEZ, studio ndërkombëtare e këshilloi qeverinë shqiptare ti hiqte licensën CEZ-it dhe në vijim të angazhohej fuqimisht për ngritjen e padive në arbitrazh ndërkombëtar referuar marrëveshjes së privatizimit. Konkretisht, sipas konsulentit ndërkombëtar, CEZ duhet të mbante përgjegjësi. Ajo studio, e zgjedhura nga qeveria e mëparshme dhe jo nga kjo qeveri, thoshte se  CEZ duhet të mbante përgjegjësi për dëme të rrjedhura nga mosrealizimi i madh i investimeve të nevojshme për përmbushjen e detyrimeve të CEZ sipas kontratës së shitblerjes e vlerësuar në afërsisht 700 milionë euro. Nuk e ka thënë qeveria shqiptare. E ka thënë studio ndërkombëtare e zgjedhur nga qeveria shqiptare në 2012. Së dyti, dëme të rrjedhura nga shkëputja e energjisë. Së treti, likundime të faturave ndaj KESH dhe OST në masën 300 milionë euro. Pra të gjitha bashkë në masën e 1 miliardë eurove. Ky ishte raporti i një studio ligjore të kontaktuar në vitin 2012 e cila për hir të së vërtetës i ka çuar të njëjtin raport edhe qeverisë së re të dalë mbas zgjedhjeve të qershorit të vitit 2013. Më 28 gusht është nënshkruar një kontratë me BDO-në dhe më pas me Bejker, dhe një kompani tjetër, e cila për 8 javë duhet të bënte një vlerësim edhe njëherë nga e para dhe kjo tashmë e sjellë në datën 30 shtator 2013. Në shkurt 2014 janë përgatitur raportet e eskpertëve, vlerësimet teknike financiare dhe vlerësimet e claim-s kundër CEZ Sha dhe të CEZ AS por për hir të vërtetës këto rezultate janë mbajtur të fshehura për opinionin shqiptar. Të dyja raportet e vlerësimit teknik dhe financiar i janë dhenë qeverisë në shkurt 2014 dhe shprehin shprehimisht; se CEZ nuk investoi në kompaninë e shpërndarjes referuar marrëveshjes së bërë në vitin 2009. Kjo gjendet në faqen 67 dhe 74 të vlerësimit të tyre. Së dyti, kompania u shkatërrua me qëllim, se kishte një vit që përgatitej të largohej. Kjo e thënë në të njëjtin numër faqesh. Më pas vazhdon me një sërë pikash të tjera dhe konfirmohet edhe njëherë se detyrimi që CEZ i kishte shtetit shqiptar ishte 1 miliardë euro.

Pavarësisht detyrimit që CEZ i kishte shtetit shqiptar në minimumin, nga raportet e ekspertëve ndërkombëtarë, në vlerën e 1 miliardë eurove, qeveria deklaroi se kishte arritur të zgjidhte me mirëkuptim marrëveshjen duke i falur të gjitha detyrimet dhe duke i dhënë CEZ-it edhe 95 milionë euro të tjera. Kjo marrëveshje arrihej kur CEZ pretendonte edhe 200 milionë euro të tjera nga qeveria shqiptare në një arbitrazh investimesh ndërkohë që kjo kompani ishte eskpozuar karshi shteti shqiptar në një padi arbitrazhi tregtar nga 1 deri në 3 miliardë euro.

Pra, të dashur qytetarë, çështja e referuar sipas raporteve të sjella nga studiot financiare në shkurt 2014 ka qënë një situatë kur CEZ ishte përballë shtetit shqiptar në një padi ku i kërkohej nga 1 deri në 3 miliardë euro, të thëna sipas raportit, ndërkohë që CEZ kërkonte 200 milionë nga shteti shqiptar. Eshtë e qartë dhe e thënë botërisht se asnjë avokat ndërkombëtar nuk rezulton të ketë këshilluar qeverinë shqiptare për të zgjidhur në këtë formë mosmarrëveshjen me CEZ përveçse konsulentëve privatë të kryeministrit. Nuk ka ndodhur asnjëherë në këto 20 vite që një mosmarrëveshje që ka qënë në arbitrazh, ku njëra palë kërkon nga 1 deri në 3 miliardë euro dhe pala tjetër 200 milionë euro, të zgjidhet në mirëkuptim dhe të mos ketë një studio ligjore të vetme që të ketë konsultuar qeverinë shqiptare në këtë mënyrë. E gjithë kjo sigurisht përbën një dëm të madh shkaktuar interesave të qytetarëve shqiptarë dhe buxhetit të shtetit dhe kjo përbën një vepër penale e cila ka nevojë për një hetim të plotë e të thelluar për të vendosur përpara përgjegjësisë autorët e kësja vjedhje.

Po kështu, pak javë më pare, janë bërë publike fakte të tjera të rënda për një aferë tjetër korruptive që ka lidhje me të njëjtën çështje, CEZ-in. Ish-kryeministri dhe sot kreu i Parlamentit akuzohet se ka marrë rryshfet nga kompania DIA dhe kjo është thënë jo nga opozita por ka ardhur nga një raport nga avokati i zgjedhur nga qeveria shqiptare, një nga studiot më të mira në Europë. Me aq njohuri sa kam, është fakt i njohur që asnjë strategji mbrotje e studiove ligjore nuk mund të kalojë në asnjë moment pa u konsultuar me klientin. Ky klient në rastin konkret është qeveria shqiptare dhe kryeministri. Pra asnjë strategji, procedurë, apo dokument nga kompania ligjore nuk mund të nisë një aksion apo procedurë ligjore pa marrë më parë më parë miratimin e avokatit të përgjithshëm të shtetit dhe respektivisht edhe të kryeministrit. Pra del e qartë se procedura dhe faktet e bëra publike nga kompania ligjore vijnë të vërteta të bazuara sepse ngrejnë akuza konkrete për përfitimin e 4.5 milionë eurove gjatë një periudhë gati 1 vjeçare nga nëntori 2010 deri në tetor 2011. Të gjitha këto janë aksione komplekse dhe për faktin se në to janë përfshirë zyrtarët më të lartë të vendit, ndaj është tërësisht e kuptueshme se vetëm një hetim i plotë ndërkombëtar mund të nxjerrë në shesh të vërtetat.

Ndaj dhe Partia Demokratike është angazhuar dhe e ka bërë hapin konkret duke sjellë projekligjin i cili duhet të miratohet me procedurë të përshpejtuar për arsye se edhe hetimi duhet të bëhet me procedurë të përshpejtuar. Ajo që ka kërkuar Partia Demokratike është autorizimi i Prokurorit të Përgjithshëm, si në rastet e mëparshme të miratuar në këtë parlament, të kërkojë një ekip prokurorësh të huaj euro-amerikanë të cilët të bëjnë hetimin e plotë dhe të gjithanshëm të kësaj çështje. E theksoj edhe njëherë se në këtë aferë janë përfshirë zyrtarët më të lartë të vendit përfshi edhe faktet se menjëherë pas daljes së kësaj afere u nxitua duke bërë amendamente kushtetuese ku propozohej se prokurorit të përgjithshëm i ndërpritej mandati në mënyrë të menjëhershme dhë të gjithë prokurorët dhe gjyqtarët e vendit janë vendosur nën gijotinë. Nisur nga kjo situatë, vetëm një hetim i plotë dhe i shpejtë ndërkombëtar mund të zbardhë të vërtetën për shumë çështje që përfshihen në këtë histori komplekse, mbi motivet se pse raporti i ardhur nga një studio ndërkombëtare të paguar nga taksapaguesit shqiptarë u injorua në shkurt 2014 ku thoshte se CEZ i kishte borxh Shqipërisë nga 1 deri në 3 miliardë euro por edhe mënyrën se si u zgjidh nga kryeministri. Nuk ndodh që një çështje në arbitrazh të zgjidhet pa një konsulencë ndërkombëtare. Nuk ndodh kjo dhe nuk ka ndodhur. Kjo fsheh aferën e madhe që do një hetim të plotë dhe të gjithanshëm, ashtu si çështja e dytë që ka të bëjë me DIA-n dhe po ashtu motivet e kryeministrit që raportin e një prej studiove më të mira nuk ia çoi Prokurorisë por e fshehu derisa e nxori media. Të gjitha këto mund të dalin në dritë vetëm në sajë të një hetimi të plotë ndërkombëtar.

Po çfarë ndodhi?! Maxhoranca e rrëzoi duke ngritur alibinë se procesi i miratimit të ligjit kërkon 84 vota sepse ka implikime kushtetuese. Ligji për hetimin ndërkombëtar ka zero implikime në kodin e Procedurës Penale dhe në çdo kod të Republikës së Shqipërisë. E them që është zero dhe nuk ka asnjë implikim. Ligji duhet të miratohet me shumicë të thjeshtë i cili nuk ka injektim në Kushtetutën e vendit, apo në Kodin e Procedurës Penale, apo Kodin Penal pasi prokurorët e huaj që do vijnë këtu do zbatojnë legjislacionin shqiptar. Personat e implikuar do të dënohen sipas Kodit Penal shqiptar dhe hetimi do të jetë sipas legjislacionit shqiptar dhe ne nuk ndryshojmë asnjë normë hetimi përveçse subjekteve që do të kryejnë këtë hetim. Siç e thashë, këta duhet të jenë prokurorë të huaj për arsye se janë përfshirë zyrtarë të lartë.

Alibia se duhet të kalojë me 84 vota dhe jo me procedurë të përshpejtuar është një alibi që duan për ta zvarritur, dhe është një alibi që vjen mbas deklarimit të djeshëm të kryeministrit se nuk do ketë hetim për CEZ-in. Duan ta shtyjnë sa më gjatë. Ndaj dhe opozita është e vendosur që ky hetim të fillojë sa më parë. Asnjë procedurë parlamentare dhe asnjë alibi teknike që nuk ekziston nuk mund të zhbëjë kërkesën për një hetim të shpejtë efikas dhe të gjithanshëm ndërkombëtar nga parlamenti shqiptar. Ndaj dhe kërkoj dhe njëherë që kjo çështje të vendoset nga seanca, për sa kohë që neni 28 i rregullores thotë që kur nuk bien dakord në Konferencë Kryetarësh, këtë çështje e vendos seanca. I bëj thirrje edhe njëherë maxhorancës të tërhiqet nga qendrimi i saj për të bllokuar hetimin ndërkombëtar apo për ta shtyrë atë me shpresën se kjo çështje nuk do të hetohet, me shpresën se provat do të humbasin dhe dëshmitarët do të intimidohen dhe do të fshehin të vërtetën. Hetimet penale të tilla komplekse kërkojnë shpejtësi dhe kjo ishte arsyeja e vetme që Partia Demokratike kërkoi që ky projekligj të miratohet me procedurë të përshpejtuar.

Ndaj z.kryetar duke u bazuar edhe në deklarimet e tua publike, nëse nuk keni ndryshuar mendje nga qendrimi i djeshëm i kryeministrit, duhet që hetimi të jetë me procedurë të përshpejtuar dhe që ju ti qendroni deklarimeve. Edhe alibia juaj tjetër që paska dy qendrime nga opozita nuk qendron, po ua bëj të qartë ju dhe opinionit publik se ne jemi për një hetim të plotë të të gjithë aferave të çështjes CEZ që janë bërë publike. Askush nuk ju ka penguar ju, kur jeni në qeveri prej dy vitesh, që të hetoni çfarë të doni, ku të doni dhe të depozitoni çfarëdo kallëzimi ndaj çdo zyrtari të këtij vendi për 8 vite që kemi qënë ne në pushtet. Nga viti 1912 po të doni, dhe nuk u ka penguar askush. Ne e shprehëm gadishmërinë në emër të grupit parlamentar të PD-së, që në objektet e hetimet që është depozituar për dy aferat t’i shtohet çdo kërkesë e ardhur nga çdo kryetar partie apo grupi parlamentar për të hetuar me prokurorë të huaj, çdo çështje që ju mendoni se nuk e zgjidhnit dot këto dy vjet me prokurorinë apo me sistemin e drejtësisë shqiptare. Ndaj, qendrimi i PD është i njëjtë më atë që ka pasur, që jemi për një hetim të plotë e të gjithanshëm ndërkombëtar të aferës CEZ sha.


Fjala në Kuvend e nënkryetarit të grupit parlamentar të PD, Eduart Halimi, 1 Tetor 2015