Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha priti sot Raportuesin për Shqipërinë pranë Parlamentit Europian, Knut Fleckenstein. Dekriminalizimi ka qenë në qendër të këtij takimi. Zoti Basha ka vlerësuar mbështetjen e eurodeputetit Fleckenstein për procesin e dekriminalizimit dhe angazhimin e tij për t’i shkuar deri në fund këtij procesi. Zoti Basha ka shprehur shqetësimin në mungesën e vullnetit nga ana e mazhorancës për të bërë dekriminalizimin e politikës dhe administratës. Po bëhet një vit nga arritja e marrëveshjes me ndërmjetësimin e eurodeputetëve Fleckenstein dhe Kukan, procesi vazhdon të zvarritet nga mazhoranca për të mbrojtur personat me rekorde kriminale që i ka promovuar në pushtet. Partia Demokratike, tha zoti Basha e ka propozuar që para zgjedhjeve vendore projektligjin per dekriminalizimin por nuk u pranua me qëllimin e vetëm që të kandidojë persona me rekorde kriminale të cilat fituan dhunshëm në zgjedhjet e kapura dhe të prishura të 21 Qershorit, siç u faktua dhe në raportin e OSBE/ODHIR-it. Përveç tyre, zoti Basha bëri të ditur se me dhjetra persona të tjerë me rekorde kriminale u emëruan në administratën e qeverisjës qendrore dhe vendore.
Kryetari i Partisë Demokratike ka shprehur vendosmërinë e opozitës për kalimin e ligjit për dekriminalizmin dhe ç’është më e rëndësishmja, implementimi e tij. Nxjerrja e kriminelëve jashtë nga Kuvendi, jashtë nga zyrat e kryetarëve të bashkive, nga administrata, jashtë nga sferat e vendimmarrjes është pritoritet i Partisë Demokratike, tha zoti Basha.
Në këtë takim u diskutua edhe për reformën në drejtuesi, aferën CEZ, korrupsionin galopant, evazionin dhe kontrabandën nga oligarkët e lidhur me qeverinë, represionin mbi biznesin e vogël dhe qytetarët dhe krizën e ekonomike që ka mbërthyer vendin.
Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 24 Tetor 2015