Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha iu bashkua përkujtimit të shqiptares së madhe Nënë Tereza në 12 vjetorin e Lumturimit të saj organizuar nga Bashkia Lezhë.

Forca e mesazhit dhe përkushtimit të Nënë Terezës rrezaton sot në këtë situatë të vështirë ekonomike e sociale që po kalon vendi, tha zoti Basha.
“Në qoftë se kujdesemi për njëri-tjetrin, në qoftë se mendojmë për fatin e njëri-tjetrit,  jo vetëm për fatin tonë, veçanërisht ne njerëzit e vendimmarrjes, vendore apo qendrore të politikës, atëherë nuk ka vështirësi që nuk tejkalohet dhe nuk ka problem që nuk zgjidhet,” -theksoi kryetari i Partisë Demokratike.

Nga Lezha e Besëlidhjes së Skënderbeut, zoti Basha ka ftuar qytetarët të bëhemi bashkë pa asnjë dallim kundër të keqes, ta flakim të keqen, të përqafojmë të mirën e të ecim përpara.
“Po të bëhemi prapë bashkë rreth të mirës do të dimë ti themi ndal të keqes që po na gërryen ditë për ditë në siguritë tona, mirëqenien tonë, në shëndetin tonë dhe të fëmijëve tanë.”

“Kjo është një ditë ku shumë prej nesh në Lezhë dhe anembanë Shqipërisë mendohemi, reflektojmë për ditë të vështira që janë ulur këmbëkryq në mijëra vatra familjare, shqiptare.  Shqiptarja e madhe që u nderua me çmimin Nobel për Paqen u ka dhënë një shembull të madh, jo vetëm të krishterëve anembanë botës,jo vetëm shqiptarëve nga gjiri i të cilëve ndodhet, por gjithë civilizimit, shembullin se me forcën e shpirtit nuk ka gjë që nuk tejkalohet!
Kjo forcë e shpirtit, duhet për të kuptuar dhe për të besuar, për të qenë të bindur se në qoftë se kujdesemi për njëri-tjetrin, në qoftë se mendojmë për fatin e njëri-tjetrit, jo vetëm për fatin tonë, veçanërisht ne njerëzit e vendimmarrjes, vendore apo qendrore të politikës, atëherë nuk ka vështirësi që nuk tejkalohet dhe nuk ka problem që nuk zgjidhet. E keqja e të keqes, është kur pushon, ndal së kujdesuri, së shqetësuari për fatin e njerëzve. Por ama kur zemrën e ke të hapur dhe të frymëzuar, nga dashuria për njeri-tjetrin, nga besimi që bashkë mund t’ja dalim dhe mund të zgjidhim edhe probleme më të mëdha, atëherë nuk ka asgjë që nuk mund të zgjidhet. E dimë këtë në kohërat më të vështira të kombit tonë kur një grusht burrash u mblodhën bashkë këtu në Lezhë, ia dolën dhe i bënë ballë për një kohë të gjatë fuqisë më të madhe, rrebesheve më të mëdha të kohës këtu në Lezhë. E pra, po të bëhemi prapë bashkë rreth të mirës, do të dimë ti themi ndal të keqes që po na gërryen ditë për ditë në siguritë tona, mirëqenien tonë, në shëndetin tonë dhe të fëmijëve tanë. Të bëhemi bashkë pa asnjë dallim kundër të keqes, ta flakim të keqen, të përqafojmë të mirën e të ecim përpara! Ky është reflektimi që më ndrin sot në shpirt teksa emocionohem dhe gëzohem në këtë përkujtim të të bekuarës Nënë Terezë!”


Njoftim për shtyp i Partisë demokratike, 19 Tetor 2015