Kryetari i Partisë Demokratike priti në një takim anëtarët e bordit të Fondit Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve, dhe Kryetarin e Bordit të Drejorëve të këtij Fondit si dhe Fondacionit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit, Michael Granoff.
Zoti Basha ka shprehur mirënjohjen e tij dhe të Partisë Demokratike për ndihmën që ka dhënë Fondi Shqiptaro-Amerikan i Ndërmarrjeve në nxitjen e sektorit privat, në financimin e projekteve të rëndësishme të cilat kanë kontribuar në zhvillimin e ekonomisë shqiptare, në punësimin, rritjen dhe zhvillimin e tregut të punës, por edhe në fusha të tjera sociale, kulturore etj.
Në mënyrë të veçantë zoti Basha falenderoi Fondacioin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim për mbështetjen që i dha iniciativave të tij si kryebashkiak i Tiranës për ngritjen e fondit prej 5 milionë dollarësh ëë do të mbështesë të gjithë ata që duan të hapin një biznes të vogël apo të mesëm me prioritet të rinjtë dhe gratë, si dhe për projektin e Pazarit të R i cili do të shndërrohet në model për rajonin.
Situata ekonomike në vend ka qenë në qendër të këtij takimi. Zoti Basha ka shprehur shqetësimin për krizën ekonomike që ka mbërthyer vendin.
“Rritja e papunësisë dhe mungesa e shpresës tek të rinjtë është një shqetësim i madh sot, çka ka sjellë dhe një numër të madh azilkërkuesish nga Shqipëria drejt Gjermanisë dhe vende të tjera europiane,”-tha zoti Basha.
Kryetari i Partisë Demokratike theksoi se klima e biznesit është përkeqësuar, borxhi është rritur dhe asnjë investim i ri nuk është bërë në dy vjet. Rritja e nivelit të taksave dhe pasiguria ka bërë që investitorët e huaj të kërkojnë tregje të tjera dhe të zhvendosen nga Shqipëria.
Ndërkohe lufta kundër informalitetit, si aksion dhe jo si një iniciativë e mirëstudiuar ka sjellë mbylljen e mijëra bizneseve të vogla duke rritur ndjeshëm papunësinë dhe pamundësinë e qytetarëve për të përmbushur dhe nevojat më elementare.
Rritja e ndjeshmje e taksës së qarkullimit ka bërë që çmimi i naftës në Shqipëri të jetë më i larti në Europë, gjë që ka vështirësuar punën në bujqësi. Sipërfaqe të tëra toke janë të pambjella ndërsa edhe ai pak prodhim që kanë mundur të sigurojnë fermerët nuk gjen hapësirë për treg për shkak të rritjes së taksave, rritjes së çmimeve të naftës dhe energjisë, e rëniës së fuqisë blerëse.
Partia Demokratike, tha zoti Basha ka nisur një tur konsultimesh me qytetarët për programin qeverisës të demokratëve. Politika e taksave të ulëta, rritjes së investimeve, krijimit të një klimë miqësore për biznesin është vizioni i Partisë Demokratike.
Në këtë kuadër zoti Basha kërkoi ndihmën dhe ekspertizën e Fondacionit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit në mënyrë që programi qeverisës i Partisë Demokratike të krijojë një kuadër sa më të mirë për zhvillimin ekonomik të vendit, rritjen e punësimit dhe kthimin e shpresës së qytetarëve.
Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 9 Tetor 2015