Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë priti në takim shefen e Misionit Vëzhgues të ODIHR për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të vitit 2015. Audrey Glover dhe këshilltarin e lartë për zgjedhjet të OSBE/ODIHR z. Richard Lappin.

Në këtë takim u shkëmbye këndvështrimi mbi zgjedhjet jo-demokratike të 21 qershorit, gjetjet dhe rekomandimet e ODIHR, dhe identifikimin e rrugëve për zbatimin e këtyre rekomandimeve.

Z.Basha, falënderoi zj. Glover për punën e misionit vëzhgues të ODIHR dhe veçanërisht për raportin realist i cili nënvizon problemet e rënda të konstatuara në zgjedhjet e 21 qershorit, si pasojë e abuzimit me pushtetin dhe presionin e jashtëligjshëm të qeverisë dhe maxhorancës.

Kryetari i opozitës, nënvizoi se të gjitha shkeljet e standardeve të OSBE-së të konstatuara nga Raporti, dhe hapat mbrapa në krahasim me zgjedhjet e shkuara, ishin produkt i drejtpërdrejtë i mungesës së plotë të vullnetit politik nga ana e krerëve të shumicës Rama dhe Meta, në funksion të qëllimit për të fituar zgjedhjet me çdo kusht.

Shkeljet që opozita ka konstatuar dhe denoncuar  të cilat evidentohen edhe në konkluzionet e ODIHR për zgjedhjet, si blerja dhe tjetërsimi i votës, intimidimi i votuesve, përdorimi i burimeve të administratës në fushatë, censura e mediave, manipulime me listat e zgjedhësve, dhe mbi të gjitha kandidimi i personave me të shkuar kriminale dhe përdorimi gjerësisht i elementëve kriminalë në fushatë janë provat flagrante të krimit elektoral të 21 qershorit, të konsumuar me vetëdije të plotë nga Rama dhe Meta.

Z.Basha theksoi nevojën urgjente për fillimin e një reforme zgjedhore përmes konsensusit, por nënvizoi se pa vullnetin politik për të zhvilluar zgjedhje të vërteta demokratike, çdo reformë zgjedhore në letër është e pamjaftueshme. Zgjedhjet e vitit 2015, që organizoi maxhoranca e kryesuar nga Rama dhe Meta, nuk janë të denja për një shtet me statusin e vendit kandidat për në BE dhe përbëjnë pengesë për hapjen e negociatave për anëtarësim.

Në këtë kontekst, z. Basha vlerësoi si të domosdoshme asistencën e ODIHR për fillimin e një reforme me qëllim garantimin e një procesi zgjedhor demokratik në Shqipëri dhe ftoi ODIHR që të kontribuojë në mënyrë aktive me ekspertizë në këtë proces. Kjo do të ishte një ndihmë e madhe për zhvillimin e zgjedhjeve të vërteta demokratike, gjë që do të kthente  besimin e publikut te kontrolli i pushtetit nëpërmjet votës së lirë.

Zj. Glover falënderoi z. Basha për pritjen dhe bashkëpunimin gjatë misionit të vëzhgimit dhe ndau me të shqetësimin për trajtimin e plotë dhe serioz të problemeve të konstatuara nga raporti përfundimtar. Ajo dhe përfaqësuesi i zyrës së ODIHR z.Lappin, shprehu gatishmërinë për kontribuar në përmirësimin e standardeve të procesit zgjedhor në Shqipëri.


Prenoncim për mediat e kryetarit të PD, Lulzim Basha, 15 Tetor 2015