Ndryshimet në këtë projektligj vijnë si një përgjigje ndaj kërkesave të komunitetit të biznesit, në ndihmë të përmirësimit të klimës së biznesit.

Ato synojnë në lehtësimin e biznesit nga pagesa e tarifës së shërbimit të skanimit nëpërmjet përcaktimit të deklaratave doganore për të cilat nuk do të paguhet kjo tarifë.

Por si paraqitet në realitet situata e klimës ndaj biznesit dhe realizimi i të ardhurave nga doganat dhe tatimet?

Raporti i fundit i Bankës Botërore, Doing Bussines, mbi liritë ekonomike, konstaton rënie të lirisë për të hapur dhe për të bërë biznes si dhe rënie të lirisë fiskale, si rezultat i korrupsionit skandaloz, klientelizmit, rritjes së taksave, kontrabandës, evazionit, represionit dhe dhunës ndaj biznesit që nuk është afër qeverisë.

Sipas këtij raporti, ekonomia shqiptare është në rënie të lirë dhe ka humbur 35 vende, krahasuar me një vit më parë.

Të gjithë treguesit kryesorë janë në përkeqësim të ndjeshëm. Mjafton të përmendim lejet e ndërtimit minus 67 pikë, taksat minus 12 pikë, marrja e kredisë minus 6 pikë dhe nisja e biznesit minus 4 pikë.

Megjithëse ka dy muaj që strukturat tatimore janë sulur kundër biznesit, përsëri arkës të shtetit i mungojnë 25 milionë dollarë vetëm për shtatorin, dhe 230 milionë dollarë për këto 9 muaj.

 Statistikat fiskale të përpunuara nga të dhënat progresive të Ministrisë së Financave, për periudhën janar-shtator 2015, flasin për një rënie të të ardhurave në buxhet me 6.9 miliardë lekë më pak se plani i rishikuar, duke thelluar gropën në raport me 8 mujorin.

Me planin e rishikuar të qeverisë, plan i cili u ul për shkak të mungesës të të ardhurave, me policë në terren, dhe sërish, më pak para.

Të gjitha zërat e taksave dhe tatimeve, tatimi mbi vlerën e shtuar, tatimi mbi fitimin, akcizat, tatimi mbi të ardhurat personale, janë mbledhur më pak se plani.

Peshën kryesore të mosrealizimit të të ardhurave tatimore e mbartin të ardhurat nga Tatimet dhe Doganat në shumën prej minus 4.2 miliardë lekë.

Në vlerë absolute të ardhurat, në shtator 2015, ishin 230 milionë lekë më pak, në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, pra me  shtatorin 2014, ose 1% më të ulëta.

Duke llogaritur dhe inflacionin (2.2% në shtator) dhe rritjen ekonomike (2.7% të pritshme këtë vit), tkurrja reale e të ardhurave në shtator ishte 5.9%.

Të ardhurat nga tatim fitimi ranë me 26%, në një reflektim të situatës së vështirë që po kalojnë bizneset.

Shtatori ishte dhe muaji i fundit i tremujorit të tretë, nëse kemi parasysh që në bazë të ligjit, tatimi mbi fitimin paguhet njëherë në tre muaj.

Edhe të ardhurat nga akciza ranë me 19%.

Aksioni kundër informalitetit nuk po sjell të ardhura shtesë në buxhetin e shtetit. Ose edhe mund të ketë sjellë, por mesa duket, realiteti pa këtë aksion, duket se ka qenë vërtet shumë i zymtë.

Në shtator financat raportuan me bujë rritje të ndjeshme të xhiros së bizneseve me 14 miliardë lekë, apo rreth 34%, rreth 33 mijë biznese të reja, rreth 60 mijë punonjës të deklaruar, rritje të ndjeshme të përdorimit të kasave dhe 4800 kasa të instaluar rishtazi.

Por goditja e këtij aksioni po bie kryesisht mbi bizneset e vogla, që mbizotërojnë në numër, por që kanë një peshë të vogël në buxhet, krahasuar me bizneset që lidhen me karburantin, cigaret dhe pijet alkolike.

Mijëra kontrolle të dhunshme dhe arrogante, janë sulur në bizneset e vogla dhe sipërmarrjet familjare që sigurojnë ushqimin e përditshëm me një dyqan.

Nga ana tjetër, evazioni dhe kontrabanda kanë arritur në shifra rekord, sidomos në artikujt e akcizës, si duhani dhe nafta.

Vetë ministri i Financave ka pranuar gjendjen e patolerueshme dhe dështimin e madh të kësaj qeverie në drejtimin dhe menaxhimin e këtyre sektorëve kyç, që janë burimet  kryesore  të të ardhurave për buxhetin e shtetit.

Janë mijra ton karburante dhe qindra ton cigare të çdoganuara më pak se viti i kaluar dhe në arkën e shtetit mungojnë miliona dollarë, duke bërë që deficiti, në raport me të ardhurat e planifikuara, të vazhdojë të rritet.

Kjo lloj reforme, e aplikuar në këtë mënyrë, jo vetëm që nuk do të funksionojë, por do ta paralizojë dhe atë pak të ashtuquajtur ekonomi që lëviz me zor.

Qeveria po godet biznesin e vogël, për të mbuluar evazionin që bëjnë kompanitë e mëdha, të lidhura me të.

Evazioni u krijua nga rreth 6% e biznesit dhe drurin po e hanë 94% të tjerët.

Asgjë nuk do të arrihet pa goditur evazorët e dhe kontrabandistët e mëdhenj të klientelës qeveritare, të cilët kanë marrë paratë që duhej të kishin përfunduar në arkën e  shtetit.

Këto para janë kthyer në pasuri për një grusht njerëzish, miq të qeveritarëve, dhe janë përdorur për të blerë vota.

Efektet anësore të aksionit kundër informalitetit, kanë filluar të ndihen tek biznesi, duke dhënë një efekt të kundërt nga sa pritej.

 Ky aksion, në vend që të bëhej një nxitje për formalizimin e ekonomisë, po kthehet në një ndëshkues për biznesin, duke i prerë rrugën bizneseve të cilat kanë paqartësi dhe probleme të riparueshme, por dhe iniciativave të reja të cilat nuk mund të lulëzojnë në një klimë të tillë.

Gjithashtu, masat penalizuese në ligj nuk tentojnë të edukojnë dhe të korrektojnë gabimet e biznesit, por kanë një efekt penalizmi të tejskajshëm që sjell falimentin e tyre.

Lufta kundër informalitetit duhej të fillonte si një reformë e menduar mirë, e mbështetur në politika fiskale lehtësuese, me taksa të ulëta që e nxisin biznesin të bëhet pjesë e ekonomisë formale.

Kryeministri, me mburrje, deklaroi këtu në parlament javën e kaluar se është rritur konsumi dhe është ulur papunësia.

Si mund të rritet konsumi, kur fuqia blerëse ka rënë në mënyrë drastike, si pasojë e rritjes të çmimeve nga rritja e taksave dhe akcizave, kur varfëria dhe mjerimi ka pllakosur kudo.

Si mund të rritet konsumi, kur pagat janë të ngrira për të gjithë periudhën, paga minimale nuk ka ndryshuar prej 2 vitesh dhe paga reale është ulur.

Nuk ka rritje, por rënie të konsumit. Dhe kjo, jo se e themi ne, por e thonë qytetarët, e thonë dyqanxhinjtë e lagjeve, e thotë biznesi i vogël, i mesëm dhe i madh, por e vërteton dhe vetë drejtoria e Tatimeve me mos mbledhjen e TVSh.

Po si mund të ulet papunësia, kur rënia e fuqisë blerëse, rritja e taksave dhe kontrollet e dhunshme dhe arrogante, kanë bërë që bizneset e vogla të falimentojnë një nga një.

Nga ana tjetër, biznesi i mesëm dhe i madh po tkurret. Investimet e huaja afër zeros. Kredia për investime të brendshme në rënie të plotë.

Për pasojë, mijra qytetarë kanë humbur vendet e tyre të punës dhe u janë shtuar mijra të tjerëve, që nuk shikojnë asnjë mundësi punësimi.

Skandalet e korrupsionit të qeverisë me fondet publike, po shpërthejnë çdo ditë, si kërpudhat mbas shiut.

Dy ndërtues personalë të kryeministrit, po bëjnë miliarda me paratë e shqiptarëve.

I pari, që ngriti sarajet e tij në Surrel, merr 6 miliardë lekë nga bashkia e Korçës dhe 5 miliardë lekë nga OSHEE, në një tender të fryrë dhe me fitues të paracaktuar.

Ndërtuesi tjetër personal i kryeministrit, ai i vilave të tij në Dardhë dhe në Durrës, merr miliona euro për blerje ambulanca dhe jaguarë luksozë që i duhen qeverisë, do marrë miliona euro për shërbimet që do tju bëjë, dhe në fund, pas kontratës, makinat janë sërish pronë e tij.

Dhe siç po ndodh tashmë rëndom në çdo tender, edhe këtu fituesi është i paracaktuar.

Nuk ka garë dhe asnjë përpjekje për të kursyer paratë e shqiptarëve, sepse përcaktohet nga Kryeministri, që në fillim, lloji i makinës dhe dyqani ku duhen marrë.

Qytetarët shqiptarë janë revoltuar pas vendimit të kryeministrit, për t’i shtuar rehatisë së tij dhe të ministrave edhe nga një Jaguar të tipit të fundit me paratë e tyre.

Kryeministri i jep djalit të nënkryetares të Kuvendit një ekskluzivitet qeveritar për 25 vjet, hekurudhën Ballsh-Fier-Vlorë me një koncesion të bërë pa transparencë, pa garë dhe pa asnjë njoftim.

Ministri i shëndetësisë, në 22 muaj, ka marrë 28 tendera për kompaninë e tij private me rreth 11 milionë euro.

 Nga ana tjetër shpërndan qindra milionë euro me koncesionet në shëndetësi, tek miqtë e tij e të kryeministrit.

KLSH ka depozituar pranë organit të prokurorisë kallëzimin penal për ministrin e energjisë dhe industrisë, me akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”, për një dëm ekonomik që i ka shkaktuar buxhetit të shtetit prej 479 milionë euro.

Drejtori i ALUIZNI-t, shpenzon miliona dollarë fonde publike, me subjekte private, për evidentim në terren të ndërtimeve pa lejë, ndërkohë kur qeveria trumbeton me të madhe se, si rezultat i luftës kundër informalitetit në ndërtim, nuk ka më ndërtime pa lejë dhe kur ALUIZNI ka struktura të ngritura prej vitesh, me qindra punonjës me eksperiencë dhe të trajnuar, që paguhen për këtë punë.

Kjo është pra qeveria e Rilindjes, një qeveri hajdute. Shqiptarët nuk e meritojnë një qeverisje të tillë.


Fjala në Kuvend e deputetit të Partisë Demokratike, Gjergji Papa, 29 Tetor 2015