Beqaj tha sot se është ministër i sëmundjeve. Po!!!
Është ministri i sëmundjes madje kampioni i sëmundjes më të rëndë për një shtet dhe shoqëri demokratike. Është ministri kampion i korrupsionit dhe i grabitjes së taksave të qytetarëve shqiptarë.
Ministri hesht, edhe pse është në akuzë si përfitues direkt i fondeve publike që kapin shumën e 11 milionë dollarëve.
Ministri hesht dhe nuk jep përgjigje pse kompania e tij Intech në 22 muaj ka fituar 28 tendera me prokurim të drejtpërdrejtë, pa zhvilluar asnjë proces tenderi. 14 tendera ne 7 muajt e vitit 2015. Dy tendera në muaj. Por nuk mbaron këtu. Ai ka përfituar miliona edhe nga nënkontraktime në këmbim të koncesioneve dhe tenderave korruptivë e abuzivë të dhënë prej tij klientëve dhe sponsorve të tij dhe të Ramës.
Ministri rri ende në zyrë ndërsa buxheti i shtetit kalon në llogarinë e tij personale, të kamufluar përmes kompanisë, që rrit fitimin e dukshëm për dy vite që ai mban postin ministrit me 100 milion lekë të reja.
Deri kur do të vazhdojnë pazaret e Ministrit dhe Kryeministrit me jetën dhe shëndetin e shqiptarëve ?
Me 11 milion dollarë fitime të kompanisë tuaj, zoti ministër mund të ishin ndërtuar plot 450 qendra shëndetësore, anembanë Shqipërisë.
Me 11 milion dollarë mund të ishin ngritur 15 shkolla moderne me standarde te larta.
Me 11 milion dollarë mund të ishin furnizuar të gjitha spitalet dhe qendrat shëndetësore dhe ato spitalore.
Me 11 milion dollarë mund të ushqeheshin 184 mijë familje në nevojë, që ju i mohoni pensionin social
Ndërkohë seriali i skandaleve në shëndetësinë falas të Rama-Beqaj vazhdon. Reparti i oksigjenimit në QSUT po shkrihet, psokologët po pushohen nga puna, reparti i trauma po zhvendoset në një ambient tjetër. Siç duket ministri po përgatit tenderin e radhës për shërbim koncensionar. Mbi 40 punonjës të QSUT kanë marrë këto ditë fletëthirrjet për ndërprerjen e kontratave të punës. Sepse për këtë pushtet, për këtë qeveri, taktika e fshehjes së korrupsionit duhet të ecë paralel me kërcënimin e bukës së gojës.
Partia Demokratike i bën thirrje personelit mjekësor, që me përgjegjësi profesionale të denoncojnë abuzimet dhe të mos lejojnë krimet në shëndetësi.
Ministri i tenderave të japë dorëheqjen ! Partia Demokratike i bën thirrje prokurorisë të fillojë e të hetojë të gjitha dosje e korrupsionit në shëndetësi.
Deklarata për mediat e deputetes Albana Vokshi, 21 Tetor 2015