Rendi është në pikë kritike dhe biznesi kriminal i drogës vazhdon me ritme të larta, ndërsa në krye të Ministrisë së Brendshme kemi një minister të diskredituar publikisht, një ministër që ka humbur legjitimitetin, një ministër të provuar tashmë me fakte e prova si i lidhur me bandat e narkotikëve.
Saimir Tahiri është një nxitje për krimin, një nxitje për trafikun e drogës.
Me Saimir Tahirin janë krijuar grupet e paprekshme që kanë imunitet që sundojnë në zona të caktuara e në qytete të caktuara.
Oficeri i lartë i anti-drogës, Zagani, dëshmoi se grupet kriminale që ai vëzhgonte, përdorën makinën AA003GB, mjetin privat të Ministrit. Oficeri dëshmoi se e ka rapotuar faktin tek eprorët e tij, por çështja e mbyll. Lidhjet e forta të bandave me ministrin, kanë bërë që shumë aksione anti-drogë të dështonin e shumë aksione të dekonspiroheshin.
Edhe pse doli publikisht lidhja e tij me bandën e habilajve, fakti që u jepte makinën personale me të cilën kryheshin punët e pisëta, të njëjtën makinë që më pas e merrte Saimir për të kaluar pushimet, sërish ky i inkriminuar vazhdon të jetë në krye të rendit.
Dhe kur një i inkriminuar është në krye të rendit, sigurisht se rend nuk ka, siguri nuk ka më.
Krimi ka njeriun e tij në detyrë, krimi ka gjetur ministrin e duhur, ndaj shtohet e zgjeron terren.
Krimi me Tahirin zmadhohet dhe trafiku i drogës, vrasjet, ekzekutimet mafioze nuk ndalen asnjë ditë.
Largimi i Saimir Tahirit është një emergjencë. Largimi i tij dhe hetimi i plotë i lidhjeve kriminale do të hapte rrugën për rivendosjen e rendit në vend, për luftën ndaj krimit e ndaj trafikut të drogës.
Deklarata për mediat e deputetit Alban Zeneli, 2 Tetor 2015