Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha nisi turin e dëgjimit të qytetarëve në mbarë Shqipërinë  në kuadër të përgatitjes së programit me të cilin demokratët do t’u kthejnë shpresën shqiptarëve. Lushnja ka qënë ndalesa e parë e kreut të demokratëve ku ka dëgjuar shqetësimet dhe sygjerimet e tregtarëve dhe qytetarëve. Tregtarët thanë se rritja e taksave, dhuna që po ushtrohet nga tatimoret dhe policia ua kanë bërë të pamundur jetesën.

Kam mbjellë dhe unë sera si të gjithë. Shisja atje me një arkë sallator. Më kanë hedhur në rrugë. Më thonë shko paguaj dyqanin. Një arkë tranguj kam dhe ushqej tre femijë. Edhe një gazetareje që ju drejtova një ditë me tha ik se na heq nga puna. Po se hapi gojën askush, kush do të ankohet ?!  Ky fëmijë i vogël ( tregon femijën e saj disa muajsh)  Ne duam bukë. Populli do bukë. Burri im ka punuar  20 vjet në emigrim dhe sot është pa duar pa këmbë. Kam tre femijë. Në treg të gjithë rrinë me frikë sikur kanë vrarë njerëz, jo sikur shesin domate dhe speca”, tha një shitëse ambulante.

Në kohën e qeverisë së Partisë Demokratike për kasat fiskale na jepnin rimbursim ndërsa tani pa asnjë lloj përgjegjësie. Vijnë si terrorista edhe mbyllin dyqanet, sekuestrojnë mallra, venë gjoba nga 500 mijë lekë deri në 5 milionë.  Ne nga ju kërkojmë qe ta udhehiqni këtë popull që të ngrihet. Lushnjarëve u ka vajtur thika në palcë”, tha një tregtare.

Çmimin e dritave e rriten, taksat i rriten, asnjë premtim nuk kanë mbajtur e tani kërkojnë t’ia mbyllin gojën qytetarëve me presione, me policë, me taksidarë. Populli do të shpërthejë se i ka vajtur thika në palcë e ata të gjejnë vrimë miu të futen’, tha një tjetër qytetare.

Ndërkohë që qytetarët vuajnë sot për bukën e gojës, qeveritarët, tha zoti Basha, shtojnë pasuritë e tyre nga paratë e qytetarëve shqiptarë duke iu referuar megaskandalit CEZ dhe CEZ -DIA por dhe tenderit prej 5 milionë dollarësh që iu dha mikut të Edi Ramës për të rregulluar zyrat e OSHEE-së.

Prej muajsh keni keni dëgjuar Tiranën politike të flasë, të premtojë, të zotohet, të thurë intriga, të akuzojë e të akuzohet. Ndërkohë që kjo ndodh, politikanët, qeveritarët, aleancistët e 1 Prillit majmen me pasuri e katandi në shuma prej qindra milionë euro siç u kanë dalë të palarat në pazar, jo nga ne por nga dokumente ndërkombëtare. Ndërkohë që kjo ndodh, qytetarë shqiptarë, të rinj e të moshtuar, të papunë, sipërmarrës e të vetëpunësuar ndodhen çdo ditë në vështirësi të panumërta, në krizë të thellë ekonomike, sociale dhe depresion.  Po ku po shkon Shqipëria?! Çfarë po ndodh kështu?!

Sot është bërë e ditur se tenderi prej 5 milionë dollarësh i OSHEE-së së kërbaçit mbi qytetarët, i OSHEE-së së gjobave dhe padrejtësive që bëjnë kryefamiljarët  të flasin me vet, i OSHEE-së shkaktare të vetëflijimit të Qamil Zelës e dhjetërave të tjerë. 5 milionë dollarë që ua kanë marrë shqiptarëve me kërbaç ia kanë dhënë me një dorë ndërtuesit të sarajeve të Edi Ramës. Eurocol quhet kompania. Nuk kishte ofertën më të ulët por kishte ofertën më të lartë. Jo 5, as 50 dhe as 500 milionë lekë më të lartë por 750 milionë lekë më të lartë. Kjo u perzgjiodh se ishte oferta e mikut të Edi Ramës, ndërtuesi i sarajeve të Edi Ramës.

Një muaj më parë kur u hapën letrat, nga selia e Partisë Demokratike ne e denoncuam sepse informacionet ishin që nuk kishte tender siç nuk ka tendera në këtë vend. Janë fasadë sepse fituesit i cakton Edi Rama.  Dhe ja ku doli fjala. 5 milionë dollar, para gjaku të marra me hir dhe me pahir nga xhepat tuaja, nga xhepat e qytetarëve që janë detyruar të shesin orenditë shtëpiake, tek fermerët që janë detyruar të shesin lopët për të paguar bandën e OSHEE-së. i jepen me një dorë mikut të Edi Ramës për të ndërtuar selinë e re të OSHEE-së. Asnjë shkollë, asnjë qendër shëndetësore, as kompensim për të përdjekurit, për pronarët. As kompensim për shtresat në nevojë për çmimin e rritur të energjisë. Po miliona dollarë shkojnë për ndërtesën e re të korrupsionit që i jepet mikut të  Edi Ramës. Çfarë po bëhet kështu?! Kush janë këta që vërsulen mbi pasuritë e shqiptarëve në këtë mënyrë?! Janë po këta që u ka dalë tymi në Shqipëri dhe Europë si njerëzit që qendrojë pas skandaleve më të mëdha të korrupsionit. Vjedhja e CEZ, 600 milionë euro, 135 për Ilir Metën dhe DIA-n dhe pjesa tjetër për Edi Ramën dhe CEZ. Por sapo u kthye nga vizita apo nga pushimet në New York, u ulën me njëri tjetrin dhe mbyllën pazaret sepse për ta pazari dhe pushteti është gjithçka. Pa pushtet nuk ka pazar”, tha Basha.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi prerë nga Lushnja se demokratët nuk bëjnë pazare as me Ramës as me Metën. Partia Demokratike ,tha zoti Basha, është në alenca vetëm me qytetarët shqiptarë.

Sot dua t’ju them këtu se opozita dhe Partia Demokratike nuk janë në shitje, nuk janë në pazar se Lulzim Basha aleancën e ka me shqiptarët. Se hallet tuaja, problemet tuaja dhe zgjidhja e tyre është e vetmja arsye e ekzistencës së opozitës. Kurrë pazar me Edi Ramën apo me Ilir Metën. Por ne jemi gati për një mision tjetër, përballje të rëndësishme, të pastrimit të klasës politike nga plehrat e 1 Prillit, të rikthimit të pushtetit në duart e qytetarëve të një qeverie që mendon dhe punon për ju e jo për pazare politike. E që ta bëjmë këtë na duhet të ecim në një rrugë të vështirë por jo të pamundur. Me vendime të vështira që i përkasin një vizioni për një Shqipëri ndryshe, për një Shqipëri të drejtë, për një Shqipëri europiane, për një Shqipëri moderne siç e meriton brezi i ri për të mbyllur një herë e mirë derën e vuajtjeve dhe tranzicionit. Për ti thënë jo pazarit të tranzicionit , për të mos shkëmbyer një të keqe me një të keqe më të vogël, për të përzgjedhur me vendosmëri të mirën dhe rrugën e drejtë.

Si ta bëjmë këtë?! Do ta bëjmë me të gjithë qytetarët, do ta bëjmë duke dëgjuar qytetarët , duke marrë mendimin tuaj,  duke pyetur , duke dhënë llogari para jush sot për gjithçka që po jetojmë dhe kërkojmë të realizojmë në emrin tuaj.. Nuk ju dëgjon qeveria, nuk ju dëgjon oligarkia, nuk do t’ju dëgjojë mafia. Por ne jemi këtu për të dëgjuar e për t’u përgjigjur , por mbi të gjitha për tu dëgjuar e për të marrë propozimet tuaja, mendimet tuaja revoltën tuaj, e për ta kthyer këtë në një energji të pandalshme deri në rrëzimin e kësaj qeverie harbute dhe hajdute dhe kthimin e drejtësisë përmes një qeverie përfaqësuese të çdo shqiptari e shqiptareje. Përmes një demokracie të re, pjesëmarrëse dhe jo një fasadë demokracie”, tha Basha.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 6 Tetor 2015