Ky projektligj bën fjalë për ratifikimin e marrëveshjes të financimit nga KfË për përgatitjen e projektit dhe studimeve të fizibilitetit për ndërtimin dhe rindërtimin e sistemeve të furnizimit me ujë të zonave rurale, për përzgjedhjen e skemave të ujësjellsave, të cilët do të financohen në fazën e tretë të programit “Furnizimi me ujë i zonave rurale III”.

Kjo marrëveshje, ashtu si gjithë paketa e financimit nga KfË, për programin e furnizimi me ujë të zonave rurale, e filluar gjatë qeverisjes së PD, do të kontribuojë në mbështetjen e projekteve infrastrukturore me interes madhor për vendin, siç është përmirësimi i shërbimit të ujit në zonat rurale me potenciale zhvillimi.

Gjithashtu, ajo lidhet me forcimin e raporteve të bashkëpunimit me partnerë strategjikë ndërkombëtarë, siç është edhe qeveria e Republikës Federale të Gjermanisë.

Është e rëndësishme që studimi i fizibilitetit që do të bëhet me financimin që po miratojmë sot, të mos bëhet mbi kritere politike, por të bëhet në bazë të kritereve ekonomike.

Ujësjellsat rurale ju përkasin fshatrave të veçantë dhe duhet të bëhen përpjekje për integrimin e tyre në sisteme rajonale, të cilat mundësojnë tarifa me të ulëta pagese nga ana e qytetarëve.

Qeveria ka ndjekur politika të gabuara në kryerjen e investimeve dhe menaxhimin e sektorit të ujësjellës kanalizimeve. Pas përmirësimeve të rëndësishme në shërbimin me ujë dhe të kanalizimeve si dhe në eficiencën operative të ndërmarrjeve të ujësjellësave, në 2 vitet e fundit ky sektor nuk po koniderohet si prioritetet buxhetor.

Gjendja e varfër dhe degraduese e infrastrukturës së këtij sektori kërkon një detyrim të kushtëzuar për rritjen e investimeve të reja si dhe të rikonstruksionit e rehabilitimit të sistemeve ekzistuese.

Sektori i ujit dhe kanalizimeve ne Shqipëri ndodhet ne një gjendje të rënduar dhe pjesëmarrja private në këtë sektor është e kufizuar.

Shqiptaret përballen me kosto shtese te konsiderueshme për te kompensuar furnizimin e dobët me ujë. Depozitat e ujit vlerësohen rreth 5 milion US$ në vit ose 0.1% e GDP vjetore. Një pjesë e mirë e qytetarëve furnizohen me ujë të ambalazhuar ne shishe ose bidona, që ka një kosto 1000-3000 lek/muaj, kundrejt një mesatare te faturës totale te ujit te furnizuar nga rrjeti, përfshire edhe për pirje, rreth 600 lek/muaj.

Ndërmarrjet e ujësjellës-kanalizimeve tashmë janë shndërruar në ndërmarrje të punësime politike, për militantët e PS dhe LSI.

Për pasojë, ato shfaqin dobësi administrative dhe menaxhuese. 69% e sasisë së ujit që hyn në rrjet nuk paguhet. Nga ana tjetër, humbjet teknike (rrjedhjet ne rrjet) janë më shumë se 50%.

Përmirësimi i shërbimit me ujë varet edhe nga rritja e autonomisë financiare të njësive të qeverisjes vendore. Me shume se 50% e kostove operacionale dhe pothuajse 90% e kostove te tyre te investimit, financohen nga qeveria qendrore.

Për pasojë, nuk ka nxitje për Njësite e Qeverisjes Vendore qe te menaxhojnë me efektivitet sistemet e ujsjellsave.

Pavarësisht nga anët pozitive, marrëveshja që po diskutojmë sot është një borxh publik i marë nga qeveria shqiptare.

Dhe qeveria po e përdor borxhin publik si mekanizëm për kompensimin e dobësisë dhe dështimit të saj. Qeveria vazhdon të marrë borxh për ujësjellsat, ndërkohë që një muaj më parë, me aktin normativ, e shkurtoi buxhetin e ujësjellësve për këtë vit me 2.67 miliardë leke, ose, e thënë ndryshe, me 17.7%.

Ky shkurtim ishte rrjedhojë e dështimit të mbledhjes së të ardhurve nga tatimet dhe doganat, të cilat do të mundësonin realizimin e disa projekteve për ujësjellsa, pa kosto për brezat e ardhshëm.

Në vitin 2013, Kryeministri, nën justifikimin e detyrimeve të prapambetura, përdori rritjen e borxhit si mekanizëm për shpërblimin e klientëve të tij, në vend të investimeve publike.

Por investimet janë jetike për të mbajtur në këmbë ekonominë shqiptare, për të hapur vende pune dhe për të siguruar mirëqenie.

Sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë, investimet gjate vitit 2014 ishin 13.4% ose 124 milionë euro më pak sesa një vit më parë.

Për vitin 2015, u miratuan 67 miliardë lekë për investime publike, po aq sa ishin në vitin 2014, ndërsa investimet ne infrastrukture u ulen me rreth 3 miliardë lekë.

Më rishikimin e buxhetit, investimet u ulen edhe me 5 miliardë lekë të tjera, duke pësuar ulje edhe në terma reale me 0,3% të PBB.

Me aktin Normativ, Qeveria shkurtoi me 1.8 miliardë leke, ose me 8.7%,  investimet ne rrugët nacionale, duke bërë të pamundur, deri në fillim të këtij viti të tretë të qeverisjes, të përfundimit të projekteve të mëdha të trashëguara dhe të fillimit, qoftë edhe të një investimi të ri në infrastrukturën rrugore, kaq shumë të nevojshme për vendin dhe për ekonominë.

Ka 2 vjet që, jo vetëm nuk ka përfunduar, por nuk po punohet, në rrugën Tiranë-Elbasan, nuk është investuar asnjë lek në Rrugën e Arbërit, është lënë pas dore rruga Qukës-Qafë-Plloçë, nuk ka përfunduar rrugën Qafë-Thanë-Pogradec e shumë projekte të mëdha, të filluara vite më parë.

Vonesat dhe mosfillimi në kohë i projekteve, rrisin edhe koston e financimit.

Në buxhetin e rishikuar, projektet e zhvillimit, të cilat do të financoheshin me financime të huaja, u zëvendësuan me projekte jo-prioritare, që nuk rrisin punësimin. Kështu, në rishikimin e buxhetit, financimet e huaja u ulen me 8,3 miliardë lekë.

E njëjta situatë për investimet konstatohet edhe në qarkun e Korçës. Asnjë investim i ri në këto dy vjet në rrugë, ujësjellsa, shkolla dhe qendra shëndetësore.

Vetëm disa projekte luksi me kosto shumë të lartë dhe për efekt elektoral, në qytetet e Korçës dhe të Ersekës.

E kam thënë dhe herë tjetër. Investimet e luksit me kosto të lartë, rezultojnë sot si metoda më e mirë e kamufluar, por dhe më korruptive për të gllabëruar paratë e taksapaguesve shqiptarë.

Investimet e luksit që u bënë në qytetin e Korçës gjatë vitit të kaluar, përfshi këtu rikonstruksionin e sheshit para teatrit, me shpenzimet marramendëse të kullës tashmë të famshme dhe rikonstruksionin e Parkut “Rinia”, me urdhër të kryeministrit, bashkia e Korçës ja dha ndërtuesit të sarajeve të Surelit, me nje vlere prej 6.3 miliarde lekesh.

Por si duket këto para nuk mjaftonin. Atëherë me një tender të bërë enkas për të, me çmim të fryrë dhe në kundërshtim me rregullat e prokurimit, ofertuesit më të shtrenjtë, mundësisht aq sa është fondi limit, kryeministri i jep ndërtuesit të sarajeve të tij edhe 5 miliardë lekë te tjera.

Pardje dhe sot kryeministri foli për domosdoshmërinë e rikonstruksionit të godinës të OSHEE, për të cilën askush nuk thotë se nuk duhej rikonstruktuar.

Megjithëse e futi veten tek mjalti, por kjo vetëm mjaltë nuk është, nuk foli asnjë fjalë për denoncimin që ka bërë me kohë opozita, pa u zhvilluar ky tender, se ai do të ishte me fitues të paracaktuar dhe konkretisht do të fitohej nga ndërtuesi i sarajeve të tij.

Nuk tha asnjë fjalë që ndërtuesit të tij  i janë dhënë para për të bërë punime rregulluese që shkojnë 1639 Euro për metër katror. Edhe sikur të ishte ndërtuar godinë e re, nga themelet, kostoja do të ishte 4 herë më e vogël.

Edhe sot, ketu ne seance, kryeministri foli shume, por nuk tha asnje fjale per shkeljet e procedurave te prokurimit te tenderave qe ka mare ndertuesi i tij.

Veç kësaj, me sa duket, OSHEE është kthyer në një institucion që shlyen detyrimet financiare të parave pa fund, të hedhura gjatë fushatave elektorale të PS dhe LSI. Ajo vazhdon të shpërdorojë miliona lekë për deputetë të PS, kandidatë për kryetar bashkie dhe për donatorë të PS apo LSI, me negocim, pa shpallur garë.

Kështu shpërdorohen paratë e shqiptarëve të mbledhura me dhune, me forcë dhe me burg, ndërkohë që lihen në errësirë fëmijë të porsalindur dhe pleq të vetmuar.

Do të ishte më mirë që këto lekë të kurseheshin dhe OSHEE ti investonte në përmirësimin e furnizimit me energji elektrike, ti investonte tek hidrovorët, të cilët nuk punonin, që të mos përmbyteshin qytetarët, ti investonte për të mos patur ndërprerje të vazhdueshme të energjisë elektrike në mbarë vendin.

Prokuroria duhet të hetojë këto raste skandaloze të shkeljes të ligjit dhe të procedurave në tendera, duhet të hetojë këto raste të pastra të korrupsionit, ku paratë publike shkojnë gjithnjë tek miqtë e Edi Ramës.

Kjo është rilindja që prisnin shqiptarët. Kjo është arritja më e madhe e kësaj qeverie: një korrupsion i pafund dhe i pa skrupull, që sfidon varfërinë dhe skamjen e qytetarëve shqiptarë.


Fjala në Kuvend e deputetit të Partisë Demokratike, Gjergji Papa, 22 tetor 2015