Pakti i hajdutëve nuk e mbyll dot aferën e shekullit, PD do hetojë deri në fund korrupsionin me CEZ

07 Tet
0

Të nderuar deputetë,

Ashtu, siç e thamë dhe e parashikuam në mbledhjen e javës së kaluar, krerët e qeverisjes së kalbëzuar Edi Rama dhe Ilir Meta, e gjetën gjuhën për të mbyllur, sipas mendjes së tyre, skemën më të madhe të korrupsionit dhe mashtrimit, skandalin më të madh financiar, ekonomik  dhe  politik  në 25 vite, vjedhjen e 600 milionë eurove me miratimin dhe firmën e tyre dhe me votën e deputetëve-kartona apo me rekorde kriminale, për llogari të  kusarëve në  pushtet dhe rreth pushtetit,  të pushtuar nga ethet  dhe rivalitetet e pasurimit  të shfrenuar me paratë e qytetarëve shqiptarë.

Kur Rama dhe Meta e panë se shpërthimi i skandalit po i njolloste njërin më keq se tjetrin; kur e panë se që të dy janë deri në grykë; kur e kuptuan se loja kukafshehtazi për t’ja futur njëri-tjetrit i merrte me vete dorë për dore si  bashkëfajtorë, kur e nuhatën se transparenca për këtë skandal që sapo ka treguar majën e ajsbergut  po i diskretiton  e do t’i diskretitojë si asnjëherë tjetër në sytë e shqiptarëve dhe mbarë botës; nxituan t’i venë kapakun gjirizit që ka shpërthyer duke bashkuar duart e përlyera nga rryshfetmarrja për të cilën akuzohen dhe akuzojnë njëri tjetrin.

Dhanë shfaqjen e puthjes pasi ishin pështyrë. Jemi të dënuar të qëndrojmë së bashku për hir të pushtetit dhe pazarave; ky ishte konkluzioni i pazarit të tyre të fundit.  Sepse ndryshe nuk ju dilte ndryshe hesapi.

Kjo  është një histori  e shëmtuar që ka  neveritur e revoltuar mbarë  shqiptarët  e ndershëm, pavarësisht teserave apo preferencave politike.

Kjo është historia e kalbëzimit të plotë të koalicion-pazarit Rama-Meta  të 1 Prillit; është një skandal me vete,  po aq i rëndë, se vetë skandali  i ryshfetmarjeve, korrupsionit  dhe abuzimeve 600 milionë Euro me CEZ.

Qytetarëve shqiptarë nuk u vlen për asgjë puthja dhe pajtimi i krerëve të qeverisë  mbi genjeshtrën, mbi fshehjen e së vërtetës, mbi krimin e pazbardhur.

I ashtuquajturi pajtim Rama-Meta për skandalin CEZ s’ka asnjë lidhje me vlerat e pakteve politikë për të mirën e qytetarëve. Është pajtim për të fshehur të vërtetën, për ti ikur drejtësisë, është pajtim për të zezën e qytetarëve.

Është marrëveshja e bashkëfajtorëve. Është nevoja e secilit prej tyre dhe e taborrëve që kanë rreth e rrotull  për të shtrydhur pushtetin, për të përfituar nga pushteti, për t’u pasuruar përmes pushtetit. Është interesi vetjak mbi interesin publik, është batakçillëku mbi parimet e qeverisjes së mirë. Është, dakordësia e të rikatuarve të ndjersjelltë me  bëmat, të fshehtat dhe dobësitë e ndërsjellta.

Se çfarë qeverisje është kjo tashmë e ka kuptuar i madh e i vogël. Këto lloj paktesh me shantazhe, kërcënime dhe rikatime ndodhin vetëm më botën e malavitës.

Qeveria shqiptare paguan një zyrë ndërkombëtare avokatie për të rrëzuar në arbitrazhin ndërkombëtar pretendimin e shoqërisë DIA për 135 milion euro, përfaqësuesi zyrtar i së cilës Kastriot Ismailaj po hetohet në burg për pastrim parash dhe korrupsion.

Shuma kolosale për të cilën bëhet fjalë janë para të qytetarëve shqiptarë. Një tufë hijenash  u vjen rrotull  këtyre parave pasi ka bërë planin kriminal se si mund t’i shtjerë në dorë. Kumbarët politikë  të  kësaj  tufe, që  pretendojnë pjesën e luanit, shohin në endërr kapjen për shumë vite të sitemit politik në vend, nxjerrjen e zgjedhjeve në  tregun e  zi ku ata të thyejnë kokën, siç thotë populli,  me paratë e  pista që kanë bërë.

Në këtë moment shumë  të rrezikshëm  për fatin  e demokracisë sonë,  që po luhej jashtë vëmendjes së publikut shqiptar, në Vjenë në arbitrazhin ndërkombëtar, avokati i qeverisë shqiptare publikon përmes rrjetit të gazetarëve investigativë të Ballkanit Perëndimor BIRN, një  fragment të dëshmisë që ka dhënë njëri prej dëshmitarëve kryesorë,  ish administrator i CEZ, i cili akuzon  Ilir Metën se ka marrë rryshfet dhe qëndon prapa shoqërisë DIA. Ndërkohë, prokuroria  po heton  rreth pagesave abuzive  në shuma të mëdha të  CEZ  për llogari  të  DIA si dhe  trasferimit të këtyre shumave  në adresa të dyshimta.

Rama e ka ditur dhe duhej ta dinte i pari cili ishte ishte zyrtari i lartë  politik që akuzohej për rryshfetmarrje. E ka ditur i pari se ky ishte llir Meta.

Po çfarë ka dashur, çfarë ka kërkuar kokoshi, që politikën e di intrigë në kulisa dhe lojë cicmicesh?! Ka dashur të shpëtojë paratë e  rrezikuara të shqiptarëve pa marrë parasysh se kush goditet? Apo ka dashur të damkosë dhe të kushtëzojë ortakun e tij të koalicionit,  Ilir Meta?

Si opozitë, ne na ka interesuar e na intereson fati i parave të shqiptarëve në radhë të parë. Na intereson trasparenca, drejtësia, zbardhja e çdo akuze në organin e akuzës, ndëshkimi sipas ligjit i çdo abuzimi.

Nuk na intereson dhe nuk futemi në lojën kukafshetas të dyshes Rama-Meta. Ndaj kemi kërkuar dorëheqjen e Ilir Metës për akuzat që i kanë  ardhur nga avokati i qeverisë shqiptare, hetimin e tij  si deputet i thjeshtë, zbardhjen e  gjithë skandalit nga një drejtësia e pavarur, ndëshkimin ligjor të fajtorëve.

Edi Rama mund të na ketë ngatërruar me veten e tij, duke menduar se ne do të joshemi nga llogaritë meskine, duke hedhur gurin e fshehur dorën si burracakët.  Ne nuk e njohim ketë lloj politike. Ne jemi të hapur dhe ballorë në opozitën që bëjmë, busulla jonë është interesi publik, nuk njohim e nuk do të njohim rrugë tjetër përveç interesit publik për të shkuar drejt pushtetit.

Në një pamje për ti qarë hallin, për të mos thënë të pështirë, Edi Rama i ra në gjunjë partnerit të tij, të akuzuar  prej avokatit të qeverisë së tij, duke shkumëzuar kundër opozitës, mediave të lira dhe gjithkujt që ka kërkuar zbardhjen e skandalit.

Me këtë qëndrim kryeministri i vendit u ka dhënë avokatëve  të qeverisë në arbitrazhin e  Vjenës mesazhin se unë ju lë në baltë sapo ta shoh pisk punën,  sapo të më  nxjerrin përpara të palarat e mia.  Aq ma bën për  mbrojtjen e 135 milion eurove në arbitrazh.

Por shqiptarët janë dhe  duhet të jenë shumë të vëmendshëm. Po luhen lojëra të ndyra me paratë e tyre për të marrë peng fatin e tyre.  Kemi një kryeministër  që është ulur në karriken që mban si sekser i interesit publik, i interesit popullor, i interesit të njerëzve të thjeshtë,  i interesit të shqiptarëve për interesat, pasuritë dhe mëkatet e tij.

Ndërsa ortaku i tij në vend që të jepte dorëheqjen dhe të hetohej si deputet i thjeshtë për akuzat e rënda  për marrje ryshfeti, në vend që të kërkonte si numri dy i shtetit  trasparencë dhe llogari  për 600 milionë eurot që Rama dhe ministrat e tij ndanë me CEZ, ngriti furtunën në gotë të komplotit që demek paskan organizuar kundër tij kryeministri i  vendit, kryetari i opozitës së vendit dhe një diplomat i lartë i një vendi mik.

Nuk i erdhi rëndë, nuk u skuq nga turpi të përfshinte aleatët tanë strategjikë në paranojat e  tij !

Nuk i erdhi rëndë dhe nuk u skuq nga turpi të fyente opinionin publik dhe qytetarët e Shqipërisë  duke i marrë për  budallenj.

Po të bashkohej vërtetë PD me PS, siç i tha paranoja, ai nuk do të qëndronte asnjë ditë në  karrigen e tij  pa zbardhur akuzat që i janë  bërë. Këtë e di edhe një nxënës shkolle.

Por Partia Demokratike nuk mund e nuk do të bashkohet në asnjë rrethanë në pazaret e politikës me njerën gjysmë të kalbësirës kundër gjysmës tjetër.

Zanatin e diversionit ja kemi lenë Edi Ramës  dhe Ilir Metës. Këta le të puthen e le të pështyhen, le të shtërngohen e le të hanë njëri tjetrin. Derisa ata janë ccifti i qeverisjes së vendit, ne do të jemi përballë tyre duke kërkuar transparencë për shqiptarët, llogari para shqiptarëve, dekriminalizim dhe drejtësi, derisa ti largojmë si   bashkëpërgjegjes, si bashkëfaktorë për gjendjen e mjerë ku e kanë katandisur vendin.

I ashtuquajturi komplot kundër Ilir Metës  ishte parasëgjithash një shpërthim paniku  se mos  Kastriot Ismailaj kthehej në një të penduar i drejtësisë. Në gjithë botën e lirë zyrtarët e lartë, ligji dhe institucionet inkurajojnë pendimin dhe  bashkëpunimin e të penduarve me organet  e drejtësisë  si një nga mënyrat  më efikaset në luftën  kundër  rrjeteve kriminale, kundër zyrtarëve të korruptuar të lidhur me krimin.  Vetëm zyrtarët e lartë të Tiranës politike, Ilir Meta i pari,  kishin dhe kanë  shqetësimin e kundërt; mos po flet Kastrioti.

Të penduarit nuk mund të godasin të pafajshëm, edhe po të duan, edhe po të jenë tendenciozë. Kjo sepse dëshmitë e tyre verifikohen në shumë filtra.

Ndërkohë që të papenduarit e privojnë të vërtetën nga faktet e panjohura dhe e vështirësojnë zbardhjen e saj.

Kujt nuk i djeg miza, nuk ka asnjë arsye për t’u shqetësuar pse dikush po pendohet  dhe po bashkëpunon me drejtësinë.

Ka folur apo nuk ka folur, do të flasë apo nuk do të flasë  Kastriot Ismailaj në arrest, faktet për pagesat dhe trasfertat abuzive për të cilat akuzohet nga Prokuroria  nuk mund  të mos hedhin dritë mbi të vërtetën në aulën e drejtësisë.

I ashtuquajtur  “komplot” për destabilizimin e vendit  ishte një kërcënim  për të  trembur Edi Ramën, duke i kujtuar të palarat e tij dhe karrigen e tij me këmbë të liruara.

Por gabojnë ata që mendojnë se meqenëse u zverdh Edi Rama dhe meqenëse shtërnguan duart dy bashkëfajtorët, e vërteta për aferat skandaloze të CEZ u varros.

Rama-Meta janë vendosur së bashku në anën tjetër të barrikadës ligjore dhe qytetare për transparencë dhe drejtësi  për milionat e vjedhur, milionat e humbur dhe milionat e rrezikuar. Kaq e kanë ata në dorë. Por nuk kanë në dorë  të mbyllin skandalin.

Ne nuk do ta lejojmë këtë.  Kemi paraqitur projektligjin për hetimin ndërkombëtar   të skandalit  CEZ nën autoritetin e Prokurorit të Përgjithshëm.  Javën e kaluar shumica  qeveritare  refuzoi futjen  e projektit tonë në rendin e ditës me procedurë të  përshpejtuar. Grupi ynë do të  vijojë me  futjen  e projektligjit me procedurë të zakonshme. Jemi të vendosur në nismën tonë.

Si nismëtare e  projektligjit, PD ofrohet me gjithë  zyrtarët  e saj edhe si subjekt i hetimit kurdo që të kërkohet. Kjo është trasparenca jonë me publikun. Kjo është shpallja e kurajos sonë.

Kjo është njëkohësisht sfida që u  hedhim  kundërshtarëve  tanë, Ramës dhe  ministrave të tij në radhë të parë. Pranoni hetimin, votoni hetimin ndërkombëtar, zbardhuni para drejtësisë dhe qytetarëve për skandalin më të madh të kohës.

I bëj thirrje deputetëve socialist t’i bashkohen nismës sonë, duke ofruar kontributin e saj për një ligj konsensual të  parametrave demokratikë. Uroj që Ilir Meta nuk do bëjë përsëri lojën e gjysmagjelit por do të votojë ashtu siç premtoi  me votë  unanime të grupit të tij parlamentar hetimin ndërkombëtar.

Parnerët tanë ndërkombëtarë janë shprehur publikisht se e mbështesin si një domosdoshmëri  këtë hetim. Mesazhet e tyre për qeverinë shqiptare janë shumë të qarta.

Miratimi nga Kuvendi i projektligjit të dekriminalzimit është një kusht për integrimin europian.

Qytetarët presin, meritojnë dhe kanë të drejtë të mësojnë të vërtetën  përmes trasparencës së plotë dhe hetimit kombëtar e ndërkombëtar të skandalit të CEZ.

Qytetarët presin dhe meritojnë pastrimin e Kuvendit  dhe insititucioneve të tjera nga individët me rekorde  kriminale, promovimi i të cilëve në politikë dhe në administratën  e lartë përfaqëson poshtërimin më të madh që u është bërë atyre nga  Edi Rama me kompani.

Ata po ngrihen e do të ngrihen për të drejtat e tyre të nëpërkëmbura si kurrëndonjëherë më parë, për paratë e tyre në shuma marramendëse të  humbura, të vjedhura dhe  të rrezikuara nga një qeveri e korruptuar dhe e papërgjegjshme, për dinjitetin e tyre të shumëzuar me zero nga një grusht qeveritarësh  dhe banditësh që po u rrjepin lëkurën,  për  bukën e tyre, për të sotmen dhe të ardhmen  e fëmijëve të tyre, për sigurinë e tyre të goditur në palcë nga një kryeministër që mban në krye të rendit  në postin e  ministrit  garantin e narkotrafikut, pronarin e  mësimores së drogës Saimir Tahirin.

Ne po e shohim, po e dëgjoijmë dhe po e prekim këtë  vlim  popullor.  Bashkë me ju kemi nisur dje nga qyteti i Lushnjës turin e takimeve  “Fjalën e kanë qytetarët”. Duam të dëgjojmë nga goja juaj hallet dhe problemet tuaja, duam të prekim e të ndjemë dhimbjet, pasiguritë dhe shqetësimet tuaja, duam të maturojmë qëndrimet tona, zgjidhjet dhe programin tonë në hapësirën e problematikës së vërtetë,  përparësive dhe mundësive të vërteta që ofron Shqipëria e vërtetë, Shqipëria e njerëzve, e familjeve, e të rinjve dhe të rejave.

Sa herë jam mes njerëzve, sa herë takoj qytetarët, kuptoj  dhe ndjej me dhimbje se e keqja s’ka të ndalur. Se e keqja nuk ka bërë hapa prapa, por ka përparuar në krahasim me takimin e mëparshëm. Se e keqja që ka pllakosur vendin, familjet dhe sipërmarrjen, është më e madhe se sa e mendojmë ne në Tiranë.

E vërteta e përkeqësimit është një hap para. Kjo është një thirrje për të qenë akoma më pranë njerëzve, për të qenë zëri i tyre dhe për  t’u dalë zot akoma më mirë dhe me bindshëm, për tu bërë  gati, për të marrë përgjegjegjësinë e ndryshimit të gjendjes.

Ne mbështesim dhe frymëzojmë reagimin e qytetarëve kundër së keqes. “Qytetarët në këmbë” është zgjidhja më e mirë, për të mos thenë e vetmja, kundër një qeverie të kalbur me tipare oligarkike.

Për ne si opozitë  “stabiliteti” i ngritur  mbi  pazaret dhe allishverishet e  krerëve të shumicës  për të  penguar drejtësinë  dhe për të vijuar avazin e  shpërdorimit të pushtetit,  vjedhjeve  dhe abuzimeve  me pasuritë publike, është  stabiliteti i së keqes.

“Stabiliteti” i bazuar në ndarjen e zonave të korrupsionit nga Rama dhe Meta është një turp dhe një provokacion  i rëndë i tyre kundër qytetarëve. Shikoni rastin më të fundit. Përmes sejmenëve të tij në krye të OSHEE, Edi Rama i jep mikut të tij të ngushtë ndërtues tenderin me vlerë 4 milionë e pesëqind mijë euro për ndërtimin e ndërtesës së re!

“Stabiliteti” që varfëron çdo ditë qytetarët, që falimenton dhe asfikson çdo ditë sipërmarrjen, që prodhon vetëm eksod të shqiptarëve drejt Perëndimit u shërben pushtetarëve, por  është armiku numër një i shqiptarëve.

Ndaj duhet të jemi në këmbë, me të gjitha forcat dhe energjitë tona, bashkë me qytetarët, për t’i dhënë fund një orë e më parë kësaj gjendje të padurueshme dhe për të filluar në histori  të re të  demokracisë së re dhe stabilitetit  të vërtetë të mbështetur në trasparencë, drejtësi,  respekt për njeriun, rritje të mirëqënies, zhvillim dhe siguri për të nesërmen.


Fjala e kryetarit të PD, Lulzim Basha, në mbledhjen e Grupit Parlamentar, 10 Shtator 2015