Projektligji i ardhur nga Qeveria për ndryshimin në ligjin për “Barnat dhe Shërbimin Farmaceutik” cënon rëndë sigurinë medikamentoze te ne.
Ky ndryshim kërkon heqjen nga ai ligj, në nenin për importin e medikameteve te prodhuara ne vendet e Ballkanit, të detyrimit “që ato të qarkullojne në një nga vendet e BE”.
Ky “liberalizim” godet frymen e ligjit, eliminon kriteret e cilësisë se medikamenteve të qarkulluara te ne mbi të cilat bazohet ai.
Argumentimi i Ministrise se Ekonomise me mareveshjen e CEFTA është i gabuar, se ajo ka të bëjë me tregtine e lirë, që nuk preket.
Standartet e koeficienti i sigurisë janë diçka tjetër, për të cilën pergjigjet së pari Ministria e Shendetesise para popullsise.
Ky ndryshim në ligj, nëse realizohet duhet paraprirë detyrimisht me të tjerë elementë që sigurojne cilësinë e atyre medikamenteve edhe te ne, njëlloj si në vendet e BE.
Në këto kushte, ne kërkojme që më parë të ngrihet një komision i posaçëm i përbërë nga specialiste vendas dhe të huaj të zyrtarizuar nga EMA ose OBSH për të përmiresuar ligjin tonë në drejtim të sigurise së medikamenteve:
– Të prodhuara ne vend.
– Të importuara nga prodhimet e atyre vendeve të Ballkanit.
– Generiket në tërësi.
– Për të forcuar kapacitetet tona kontrolluese laboratorike etj.
Kjo, me qellim që e njejta garanci të vlejë si për medikamentet e prodhuara në Shqiperi, për nga vendet e Ballkanit, apo generiket.
Për prodhimin vendas duhen percaktuar mekanizmat e plota të sigurise, si fillim kriteret GMP të OBSS.
Medikamentet e prodhuara në vend, ato të importuara prej jashte vendeve të referimit dhe generiket duhet të analizohen para licensimit dhe periodikisht, për të percaktuar edhe bioaktivitetet e tyre, në laboratore të certifikuara të BE.
Pra, në kushtet aktuale kur tregu farmaceutik në vendin tonë është në një konfuzion, kur te ne mungojnë kapacitetet e plota kontrolluese të medikamenteve, nuk duhet realizuar një ndryshim ligjor i tille, pa u implementuar me parë mekanizmat e kontrollit.
Siguria medikamentoze nuk mund të preket as për premtime politike ndaj vendeve të tjera, as per ulje artificiale të kostos dhe as për interesa grupimesh të ndryshme.
Deklarata për mediat e kreut të Departamentit të Shëndetësisë, Tritan Shehu, 5 tetor 2015