Afro 300 familje që janë në terr energjitik prej 9 muajsh, protestuan sërish sot në Institutin Bujqësor, Kamëz. Strukturat qeverisëse nuk japin asnjë alternativë për pagesën e energjisë duke i lënë ata në terrorin e errësirës dhe harresës. Familjet mes të cilëve të moshuar e fëmijë të sëmurë jetojnë në kushte shumë të rënda dhe pa mundësi shërbimesh. Në mbështetje të protestës, ishte sot deputetja Mimoza Hajdarmata, e cila tha se është jonjerëzore që qeveria, ministria e energjitikës, nuk po i jep asnjë zgjidhje situatës së krijuar

“Si deputete qe përfaqësoj prejardhjen e këtij komuniteti dhe si anëtare e komisionit parlamentar të veprimtarisë prodhuese që merret me çështjet energjitike i bëj thirrje ministrit të energjetikës të gjejë nje zgjidhje sa me pare, sepse janë me qindra gra e fëmijë, invalidë dhe të sëmurë që vuajnë në terr. Këta njerëz kërkojnë të paguajnë dritat si të tjerët, sipas standarteve ligjore, por shteti nuk ngre kushtet për matjen e konsumit. Eshtë një shpërfillje  arrogante  e ministrisë, e strukturave shtetërore ndaj këtij komuniteti, të cilin nuk vjen ta takojë e degjojë asnjë zyrtar”, tha Hajdarmata.

Gratë dhe nënat thanë se nuk mund të kryejnë nevojat më minimale për vete dhe familjet e tyre, ndërkohë që ka shumë invalidë dhe të moshuar që vuajnë mungesën e dritave për kurim mjekësor.

Prindër të tjerë shprehën shqetësimin se fëmijët nuk po ndjekin shkollën pasi nuk arrijnë dot të mësojnë nga mungesa non-stop e rrymës elektrike. Gjatë bisedës me banorët e komunitetit, pati dhe nga ata që deklaruan se janë futur në burg për mospagesë të faturave ndërkohë që nuk kanë energji.


 

Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 3 Tetor 2015