Tanimë nuk po mbajnë as premtimin për të vjedhur me lezet. Njoftojmë Prokurorinë se një akt vjedhje shumë i rëndë prej qindra milionësh po ndodh këto ditë në zyrat e ALUIZNI-t.
Rama dhe Lamja po organizojnë një vjedhje ashiqare miliona eurosh duke dhënë para për kinse konsulenca për të dhëna që ekzistojnë në serverat e ALUIZNI-t prej shumë vitesh. Po shpallin tendera me objekti i prokurimit: “Evidentimi faktik në terren i ndërtimeve pa leje…”
ALUIZNI i kish kryer matjet në terren për thuajse të gjithë objektet që ishin në proces legalizimi qysh para 2013 dhe këto të dhëna gjenden në serverat e ALUIZNI-t. Sikur të mos mjaftonte kjo, në intervistat në dy vitet e fundit Rama-Lamja janë vetëmburrur se kanë bërë gjithë matjet me një shpejtësi të madhe.
Kështu, me 4 korrik 2014 z. Lame deklaroi në gazetën e partisë së tij se në 4 muaj kishin kryer 20,400 matje në terren
9 muaj më pas, me 28 Mars 2015, z. Lame deklaroi për fletushkën e Koços se (Citoj):
ALUIZNI ka “40 grupe pune, rreth 100 specialistë, që punojnë në terren vetëm në qytetin e Tiranës me matjet e ndërtimeve informale të vetëdeklaruara” http://www.shekulli.com.al/p.php?id=234511
Por nga vetëmburrjet e para pak muajve, tani po shohim sesi Rama-Lamja po shkojnë tek ndarja e miliona eurove mes tyre për punë që ekzistojnë.
Buletini nr. 33 datë 24 Gusht 2015 i Agjensisë së Prokurimeve Publike:
Shpallet tenderi “Shërbimi i evidentimit faktik të ndertimeve pa leje në Durrës”
500 milionë lekë pa TVSH ose 650 milionë lekë me TVSH për një punë 80 ditore.
Buletini nr 39, date 5 Tetor 2015 i APP njofton për fituesin e tenderit dhe se në Shtator 2015 është lidhur kontrata me kompanine private.
Tender konsulence për 600,000 USD që kryet për 2 javë?! Në Gusht shpallet tenderi dhe në Shtator është lidhur kontrata prej 600,000 dollarësh?!
- Kush specialist prokurimesh garanton pastërtinë e këtij procesi? Pyesni një specialist prokurimesh të Bankës Boterore dhe ju tregon ai/ajo se çfarë do të thotë dhe sa procedura ka për një tender të tillë prej 600,000 dollarësh për konsulencë.
- Ku qenkan kompanitë e konsulencës që paskan mbi 200 punonjës të trainuar dhe me experiencë që të tejkalojnë ritmet e ALUIZNI-t që kish mbi 100 punonjës në terren vetëm në Tiranë?
- Kush kompani konsulence paguhet 8,000 dollarë në ditë? 8,000 dollarë/dita nuk e kanë as studiot më të mëdha urbanistike të Europës, por mos vallë Shqipëria e Ramës është më të pasur se Europa?!
- Pse duhen bërë këto matje nga firma private, kur ALUIZNI e ka strukturën të ngritur prej vitesh, me qindra punonjës me eksperiencë?
Kjo është një aferë kuterbuese që e paditen vetë nëpunësit seriozë të ALUIZNI-t pasi nuk pranojnë të jenë pjesë e kësaj vjedhjeje.
Kërkohet urgjentisht ndërhyrja e prokurorisë për të shpëtuar paratë publike. Kjo pasi Rama-Lamja edhe javën e shkuar që Shqipëria ishte e përmbytur vijuan lojën e përlarjes së parave dhe kanë përmbyllur tendera të tjerë qindra milionësh edhe për shumë qytete të tjera të vendit apo për zona të Tiranës. 0 lekë për dëmin nga përmbytjet që ju shkaktuan banorëve të Vlorës dhe Fierit, ndërsa përlahen miliona euro për punë të kryera prej vitesh.
Qeveria në turravrapin të vjedhë ç’të mundet nuk po pyet me as për premtimin e saj solemn për të vjedhur me lezet. Nuk besoj të ketë as socialist të ndershëm që t’i quajë “me lezet” vjedhjet 600 miliona eurosh me CEZ, koncesionet miliona euroshe në shëndetësi, vjedhjet 150 milionë eurosh në dogana dhe tatime, apo vjedhjen miliona euroshe përmes ALUIZNI-t. Shqiptarët nuk meritojnë këtë qeveri hajdutë.
Deklaratë për shtyp e kreut të departamentit të Turizmit dhe Ambjentit, Jamarbër Malltezi, 16 Tetor 2015