Skandali i 600 milionë eurove të aferës së Edi Ramës me CEZ bëhet më ulëritës sa më shumë e mohon kryeministri, sa më shumë e fsheh atë.

Në intervistën në Opinion me Blendi Fevziun, Rama paraqiti në publik një seri genjeshtrash.

Partia Demokratike do tregojë çdo ditë me fakte, manipulimet dhe të pavërtetat e qëllimshme të Edi Ramës, me të cilat mundohet të fshehë vjedhjen e 600 milionë eurove. Po e nisim nga kryemashtrimi.

Afera me CEZ ka parashikuar që autorët e marrëveshjes nga të dy palët të kenë imunitet, të mos hetohen. Por Rama e mohon. Ja ku keni në ekran qëndrimin e tij.

Fevziu: Në raportin e studios avokatore franceze thuhet në datën 30 nëntor 2012 që duhet hapur kalëzim penal ndaj stafit ekzekutiv të CEZ dhe në marrëveshjen tuaj të 2014 nuk lejohet të hapet padi ndaj asnjërit prej pjestarëve të CEZ.

Rama: Po të përsëris që nuk ka asnjë kufizim. Më dëgjo me vëmëndje sepse është turp që merrni llokume këtej e bëni ballokume andej. Nuk ka asnjë kufizim. Ajo është një kontratë mirëkuptimi siç janë të gjitha zgjedhjet me marrëveshje për palët. Ndërkohë prokuroria e Shqipërisë nuk është palë. Nuk ka asnjë detyrim prokuroria nga kjo marrëveshje. Nuk ka lidhje. Çështjet penale nuk i ka në dorë as CEZ dhe as ne.

Pra gazetari e pyet për këtë çështje, ai me arrogancë e me fyerjet e tij tashmë të zakonshme e mohon.

Po ja si është e vërteta. Në ekran keni pikat e marrëveshjes, nenet që ndalojnë ndjekjen penale të autorëve të korrupsionit më të madh në historinë e vendit.

6.2 Midis Datës së Nënshkrimit dhe Datës së Përmbushjes, asnjë Palë nuk do të ndërmarrë hapa armiqësore, veprime apo kufizime ndaj ndonjë Pale tjetër, Dege apo të Punësuarve të saj, në mënyrë të veçantë nuk do të fillohet asnjë procedim, gjykim, arbitrazh apo procedurë tjetër nga ndonjë Palë kundër Palës tjetër, Degës apo të Punësuarve të saj.

9.5. Pa ndikuar në ndonjë detyrim tjetër të përcaktuar sipas kësaj Marrëveshjeje, duke përfshirë, pa u kufizuar, detyrimet për dëmshpërblim sipas nenit 7 të kësaj Marrëveshjeje, në rast se ndonjë nga Palët Shqiptare vihet në dijeni të ndonjë procedimi ligjor nga një Palë Shqiptare kundrejt Grupit CEZ i cili përbën një Pretendim Përkatës, këto procedime do të përfundohen menjëherë.

10.2. Pa cenuar nenin 15.1 më poshtë, Palët Shqiptare angazhohen që asnjë prej Degëve të tyre nuk do të ngrejë ndonjë pretendim apo do të paraqesë apo vazhdojë ndonjë procedim në lidhje me ndonjë Pretendim Përkatës në ndonjë juridiksion kundër Grupit CEZ.

11.2. Palët Shqiptare angazhohen që as ato dhe as ndonjë prej Degëve të tyre nuk do të nxisin apo shkaktojnë (përveç kur kërkohet me ligj) apo të asistojnë ndonjë palë të tretë për të paraqitur ndonjë pretendim apo të fillojnë apo vazhdojnë, në çdo juridiksion, ndonjë procedim në lidhje me ndonjë Pretendim Përkatës.

Ja pra marrëveshja që ndalon hetimin. Që i vë kapak vjedhjes.

Eshtë e qartë, se Edi Rama e ka bërë me vetëdije të plotë aferën me CEZ, sepse ka ndarë me të 600 milionë euro.

Ka vjedhur pasurinë e shqiptarëve, ka shkaktuar dëmin më të madh në ekonominë e vendit.

Për këtë arsye, po bën gjithçka për të ndaluar hetimin.

Sulmon institucionet e pavarura që kanë konfirmuar këtë abuzim në miliona euro.

Sulmon shtypin që kërkon llogari.

Sulmon avokatët ndërkombëtarë.

Sulmon opozitën që kërkon transparencë dhe llogari para ligjit, dhe që ka ofruar edhe instrumentin për ta bërë këtë, që është hetimi ndërkombëtar.

Me çdo kusht, Edi Rama kërkon ta mbyllë, ti vërë kapak vjedhjes së shekullit.

Por nuk do ta bëjë dot.

Eshtë pasuria e shqiptarëve, dhe ka për të dhënë llogari deri më një.

Çështja do të zbardhet, paratë do tu kthehen shqiptarëve.


Deklarata për mediat e deputetit Luçiano Boçi, 24 tetor 2015