Ka vetëm një njeri sot, që marrjen e 600 milionë eurove nga xhepat e shqiptarëve dhe faljen e kësaj shumë kompanisë CEZ, e quan marrëveshje të mirë.

Ky është Edi Rama, i cili edhe mbrëmë, përmes zëdhënësit të tij Gjiknuri, sërish e cilësoi marrëveshje të mirë.

Për Edi Ramën, zëdhënësin e tij, e kushdo tjetër që është përfshirë në aferën më të madhe korruptive në historinë e vendit kjo është një marrëveshje e mirë.

Të ndash 600 milionë euro në një kohë kur kryeministri e soji i tyre janë sulur për të vjedhur e zhvatur, është patjetër një marrëveshje e mirë.

Sa më shumë e mbrojnë, sa më shumë bëjnë avokatin, aq më shumë identifikohen si autorët e vjedhjes së shekullit.

Opozita, Partia Demokratike e denoncoi të nesërmen e 31 korrikut, ditën kur kjo marrëveshje kriminale me CEZ kaloi në parlament përmes deputetëve kartona.

Avokatët ndërkombëtarë të qeverisë i rekomanduan Edi Ramës jo vetëm të mos falë këto 600 milionë euro, por i thanë se ekzistojnë të gjitha rrethanat për të pretenduar 2 miliardë euro prej kompanisë CEZ, për shkeljet që ajo i kishte bërë kontratës.

Shtypi, agjensitë ndërkombëtare hetuan e nxorën të palarat në shesh.

Së fundmi, Kontrolli i Lartë i Shtetit, ka konstatuar se me marrëveshjen me CEZ, shtetit, qytetarëve të këtij vendi, u është bërë një dëm prej 479 milionë eurosh.

Këtu përfshihen detyrimet e njohura prej kompanisë, që u falën.

Përfshihen edhe 95 milionë eurot që qeveria ia dha në fund në dorë kompanisë, si shpërblim për këtë marrëveshje kriminale.

Pra i dha edhe 95 milionë euro, pasi ndau me të qindra miliona euro të tjera.

Çdo faktor jashtë këtij pakti, avokatët ndërkombëtar, opozita, shtypi, kontrolli i lartë i shtetit, qytetarët e vendit, e denoncojnë skandalin më të madh financiar të vendit. Vetëm për Edi Ramën kjo është një marrëveshje e mirë dhe e mbron me çdo kusht.

Por është i izoluar, i rrethuar në krimin e tij. Hetimi do të bëhet. Kjo çështje do të zbardhet deri në fund.

Këto para janë pasuria e vendit, me të cilat është bërë pazar për tu mbushur xhepat e Edi Ramës dhe skotës se tij.

Nuk janë letra që rriten në kopshtin e saraveje të Surrelit. Janë mundi, djersa gjaku i shqiptarëve.

Janë para që nuk shkojnë për rritje rrogash e pensionesh, për rrugë e spitale, për kopshte e çerdhe, për krijimin e vendeve të punës.

Janë para që u takojnë shqiptarëve, që u janë marrë me dhunë nga Edi Rama.

Por nuk kanë për ta mbyllur dot këtë aferë pavaresisht se edhe dje refuzuan hetimin nderkombëtar duke mos pranuar futjen ne kalendarin e punës të Kuvendit të propozimit të Partisë Demokratike për këtë qëllim.

Paratë do gjenden, përgjegjësit do shkojnë para ligjit. Bashkë me zbardhjen e këtij skandali, do të zbardhë një ditë e re për vendin, demokracia e re, ku qeveria vendos bashkë me qytetarët dhe prihet nga interesat e tyre.


Deklaratë për shtyp e deputetit të PD, Edmond Spaho, 16 Tetor 2015